Manuali mbi bekimet në Gjermani: përgjigja e Dikasterit për Doktrinën e Fesë
R.SH. – Vatikan
Letra e kardinalit Víctor Manuel Fernández, me datën e 18 nëntorit 2024, mbi projekt-manualin e ipeshkvijve gjermanë për bekimet e bashkimeve jashtëmartesore, mbetet një përgjigje e vlefshme edhe për tekstin me titull "Bekimi i jep forcë dashurisë", miratuar në mënyrë përfundimtare nga përfaqësuesit e Konferencës së Ipeshkvnore Gjermane (DBK) dhe nga Komiteti Qendror i Katolikëve Gjermanë (ZdK) në prill 2025.
Prefekti i Dikasterit për Doktrinën e Fesë ia pati bërë të qartë këtë kryetarit të Komisionit për Liturgjinë e Konferencës Ipeshkvnore Gjermane, imzot Stephan Ackermann, ipeshkëv i Trierit, gjatë takimit të fundit, mbajtur në Vatikan me ipeshkvijtë gjermanë më 12 nëntor 2025. Kardinali pati shpjeguar se letra e vitit 2024, e botuar këto ditë në faqen e internetit të Dikasterit, në marrëveshje me Papën Leoni XIV, ishte "përgjigjja e vetme dhe përfundimtare" edhe për tekstin e miratuar në prill 2025. “Çfarë shkruhet në atë letër", shpjegon prefekti kardinal për Vatican News, "vlen edhe për tekstin e Doracakut aktual, i cili nuk është miratuar nga Dikasteri për Doktrinën e Fesë".
Në fakt, edhe nëse teksti përfundimtar është ndryshuar në krahasim me projektin e parë, nuk mban parasysh çfarë shkruhet në letrën e vitit 2024, pasi, megjithëse flet për spontanitet dhe liri lidhur me bekimet për çiftet jashtëmartesore, ofron një lloj liturgjie, ose paraliturgjie, që përjashtohet nga Deklarata “Fiducia Supplicans” e dhjetorit 2023. Vërtet, Deklarata pohon se "lidhur me bekimet, Kisha ka të drejtën dhe detyrën për të shmangur çdo lloj riti", që mund të çojë në konfuzion për martesën. Në avionin e kthimit nga Guinea Ekuatoriale, më 23 prill, duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me propozimin për të formalizuar bekimin e çifteve të të njëjtit seks në Gjermani, Papa Leoni XIV deklaroi: "Selia e Shenjtë ka folur tashmë me ipeshkvijtë gjermanë. Selia e Shenjtë e ka bërë të qartë se nuk pajtohemi me bekimin formal të çifteve, në këtë rast, të çifteve me të njëjtin seks, ose të çifteve në gjendje të parregullta, përveç atyre rasteve të veçanta – nëse mund të themi kështu – që u lejuan nga Papa Françesku".