2018.10.15 cardinal Béchara Boutros Raï, Patriarca di Antiochia dei Maroniti, Libano

Liban, kardinali Raï: "Atdheu i zënë ngusht ndërmjet ankthit, çoroditjes dhe një lufte të imponuar "

"Jemi në një atdhe të zënë ngusht midis ankthit, çoroditjes dhe pritjes." Me fjalë që shprehin gjendjen e rëndë të Libanit, Patriarku Maronit kardinali Béchara Boutros Raï hapi muajin marian në bazilikën e Harisës, rreth 20 km në veri të Bejrutit, para besimtarëve të shumtë.

R.SH. / Vatikan

"Ne e gjejmë veten në një realitet të mbetur pezull, duke u lëkundur midis një lufte të imponuar dhe një lufte të refuzuar, në mes të shkatërrimit, të shpërnguljeve të njerëzve dhe të vdekjes", u shpreh Patriarku, duke folur për "një gjendje drobitëse që i lodh njerëzit dhe i ligështon zemrat e qytetarëve, shtetin dhe institucionet e tij". Në këtë gjendje, "populli ynë pret, i zhytur në ankth të përditshëm, duke u përpjekur të kapet pas asaj çfarë ka mbetur nga shpresa".

Në këtë fjalim që hapi muajin marian në Liban, kardinali Raï përmendi edhe përçarjet e brendshme: “Ndërsa presim, po përjetojmë atë që është gjëja më e vështirë: përçarjet midis nesh, tensionet, a thua se e kemi humbur aftësinë për t’i lëshuar pe njëri-tjetrit. Një mosmarrëveshje e vetme, një fjalë e vetme, mjafton që të shkatërrohet ajo që na ka mbetur nga besimi.”

Pastaj, edhe disa rreshta veçanërisht kritike që kishin të bënin me frymën që vihet re nëpër mediat sociale: “Nuk është thjesht luftë fjalësh, por shenjë e një rënieje shqetësuese të gjuhës dhe të vlerave, si edhe e lëshimeve që bëjmë kur fyhet dinjiteti njerëzor, të cilin askush nuk ka të drejtë ta shkelë.”

Kardinali Raï më pas ripohoi dinjitetin dhe thirrjen e atdheut të tij: "Libani është më i madh se polemikat kalimtare dhe është shumë fisnik që ta tkurrësh thjesht te potera e zërave të njerëzve që plagosin njëri-tjetrin".

Prej këndej, buron edhe grishja e Patriarkut për t'iu drejtuar shpresës së krishterë: "Le t'i drejtohemi Marisë, tek e cila Zoti realizoi gjëra të mëdha dhe le të pyesim me besim: nëse Zoti realizoi diçka kaq madhështore tek ajo, a nuk mundet vallë ta realizojë edhe në këtë vend?"

Duke kujtuar sprovat që Libani ka kaluar përgjatë historisë së tij, Patriarku theksoi: "Sa herë është dukur që po binte por është ngritur përsëri!? Sa herë është shkatërruar dhe është ngritur nga rrënojat!?". Kardianali maronit Raï e mbylli fjalën e tij duke ripërtërirë besimin e të pranishëmve: "Pavarësisht nga gjithçka, ne vazhdojmë të besojmë. Ne vazhdojmë të shpresojmë. Ne vazhdojmë të presim një agim të ri, një agim që do të lindë nga durimi i këtij populli dhe nga besimi se Zoti, i cili ka bërë gjëra të mëdha, është ende në gjendje të bëjë mrekulli përsëri, këtu, në këtë vend dhe në jetën e çdo qenieje njerëzore që ende mbahet te shpresa."

04 maj 2026, 14:41