Kryeipeshkvi Pegoraro (Pav): IA nuk mund të vendosë vetëm, çka është e drejtë e humane
R.SH. / Vatikan
"Inteligjenca Artificiale mund të jetë ndihmë e vlefshme, por nuk mund të vendosë e vetme se çka është e drejtë, çka njerëzore e çka meriton të mbrohet. Kjo na takon ne". Këtë theksoi Imzot Renzo Pegoraro, kryetar i Akademisë Papnore për Jetën, gjatë hyrjes së pasdites së 25 majit, në konferencën "Inteligjenca Artificiale dhe e Ardhmja e Dinjitetit Njerëzor: një Urë përtej Tranzicioneve Demografike dhe Profesionale", e mbajtur në Sallën e Conciliazione të Pallatit Lateran. Takimi u organizua nga Akademia Papnore për Jetën, në bashkëpunim me Deloitte Central Mediterranean e nën patronazhin e Universitetit Papnor Lateran. Konferenca u hap me fjalimet e Imzot Pegoraro, Fabio Pompei, Drejtor Ekzekutiv i Deloitte Central Mediterranean, dhe Dongyu Qu, Drejtor i Përgjithshëm i FAO-s.
IA, zhvillim që duhet të lidhet me dinjitetin njerëzor
Në hyrjen e tij, Presidenti i Akademisë Papnore për Jetën imzot Pegoraro shpjegoi se është domethënëse që enciklika Magnifica Humanitas, teksti i parë i madh i Papës Leoni XIV, "kujton, nga fillimi, një pyetje që është para syve të të gjithëve: teknologjia nuk është kurrë neutrale, kur hyn kaq thellë në punë, kur ka kaq kujdes, marrëdhënie shoqërore dhe vendime kolektive". Enciklika - shtoi ai - na kujton se pyetja themelore "nuk është vetëm ajo që mund të bëjë inteligjenca artificiale, por nëse zhvillimi i saj do të mbetet vërtet i orientuar drejt dinjitetit njerëzor dhe së mirës së përbashkët".
Akademia Papnore për Jetën, sipas presidentit të saj, e ndjen plotësisht këtë përgjegjësi: "Të kujtojë se inovacioni është autentikisht njerëzor vetëm kur nuk e redukton personin, të dhënë ose në një funksion, por mbron dinjitetin, lirinë dhe thirrjen e tij relacionale". Në këtë kuptim, Thirrja e Romës për etikën e IA-së, të cilën Akademia Papnore për Jetën e nisi në vitin 2020, "konfirmohet fuqimisht sot. Inteligjenca artificiale mund të jetë ndihmë e vlefshme, por nuk mund të vendosë vetë se çfarë është e drejtë, çfarë njerëzore e çfarë meriton mbrojtje. Kjo përgjegjësi mbetet jona".