Kardinali Gugerotti gjatë fjalimit të tij Kardinali Gugerotti gjatë fjalimit të tij

Kardinali Gugerotti në fronëzimin e patriarkut të kaldeas: "Ruaje besnikërinë dhe shërbimin"

Në ceremoninë e Katedrales së Shën Jozefit, në Bagdad, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Kishat lindore, Kardinali Gugerotti e ftoi Polis III Nona ta ruajë besnikërinë ndaj traditës dhe shërbimin ndaj besimtarëve, duke inkurajuar misionin në Lindjen e Mesme të plagosur dhe në diasporë, për të jetuar "një pranverë të re feje", bamirësie dhe shpalljeje të Ungjillit

R.SH. / Vatikan

"Besnikërinë ndaj traditave" dhe "gëzimin e ndarjes së tyre" me Kisha dhe shprehje të tjera fetare, "për një dëshmi që e bën botën më të mirë, më të qetë, më të hapur ndaj shpresës, më të aftë për rritje". Këtë i kërkoi Kardinali Claudio Gugerotti, Prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Kishat Lindore, Patriarkut të Bagdadit të Kaldeasve, Polis III Nona, gjatë ceremonisë së fronëzimit, zhvilluar sot në mëngjes, 29 maj, në Katedralen Kaldease të Shën Jozefit të Bagdadit, në Irak.

"Ditë historike", e quajti Kardinali Gugerotti, duke u bërë zëdhënës i urimeve dhe solidaritetit të Leonit XIV në impenjimin "për të jetuar në bashkësi të plotë dhe mbështetje vëllazërore për të mirën e të gjithëve".

Një histori e habitshme

Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Kishat Lindore përshkoi, më pas, historinë e Kishës Kaldease, "plot mister" dhe "e habitshme në shumë mënyra", e përbërë nga apostujt dhe pasardhësit e tyre të parë, të rrënjosur drejtpërdrejt në tokën e Jezusit.

Kardinali Gugerotti kujtoi edhe zhvillimin filozofik e teologjik "të nivelit të lartë" zhvilluar në manastire e universitete, dhe "punën e përkthyesve të shkrimeve të lashta greke", "urë lidhëse me botën evropiane" të mirëfilltë. Elemente të tjera përbërëse, theksuar nga Kardinali Gugerotti, ishin martirizimi, "në mënyrë të vazhdueshme dhe besnikërisht, deri vonë", si dhe prania gjithnjë e më e përhapur në vende të ndryshme anembanë botës për shkak të paqëndrueshmërisë së "Lindjes së Mesme, të dashur e të plagosur", ku Kisha Kaldease është prani "e mirëpritur, e vlerësuar, e admiruar" e aftë për t'u përshtatur, por "e lidhur thellësisht" me historinë e saj.

Përqafim shpirtëror i përditshëm

Një "trashëgimi e madhe" e ruajtur "në enë prej balte", e përmblodhi kardinali prefekt, duke kujtuar rolin delikat të misionit të patriarkut të ri. "Duajini gjithnjë këta besimtarë, Fortlumturia Juaj" -  e nxiti kard. Gugerotti - janë familja juaj", që duhet mirëpritur "gjatë përqafimit shpirtëror" të lutjes, kujdesit dhe solidaritetit të përditshëm. Në kërkim "të një ati, të një mësuesi" por, mbi të gjitha, një shembulli shenjtërie, jo vetëm ata, por e gjithë Kisha e shikon patriarkun e ri si "mundësi të jashtëzakonshme për një pranverë të re".

Ajo që Patriarku Polis III Nona e ka përballë, për Prefektin e Dikasterit të Kishave Lindore është "sfidë shpirtërore dhe asketike", që përfshin liturgjinë, katekizmin, "dëshminë për bamirësinë" dhe "solidaritetin pjesëmarrës me të varfrit", "formimin kulturor dhe shpirtëror të klerit", si dhe "praninë e vazhdueshme", duke i dhënë "përparësi absolute predikimit të Ungjillit mbi interesat e tjera njerëzore, legjitime, por të rrezikshme nëse vendosen të parat".

Fe e lashtë, për shtigje të reja

Përpjekjet dhe shqetësimet janë të nevojshme, në mënyrë që "të lulëzojë një jetë e re", duke u dhënë "ngushëllim zemrave të humbura" e guxim për të nisur shtigje të reja, duke mishëruar pasurinë e traditës në nevojat dhe sfidat e përditshme të jetës moderne", theksoi ai. Për më tepër,  shprehu edhe besimin që zëri i Kishës Kaldease të mos "zvogëlohet nga rrethanat historike ose politike" dhe që "kjo tokë e shenjtë të jetë, edhe më shumë se në të kaluarën, vend shtegtimi jo vetëm për viset e fesë së lashtë, por edhe për bashkësitë, që ngjallin frymëzim dhe admirim për besnikërinë e tyre ndaj Krishtit".

Për të frymëzuar popujt e tjerë

Nuk po flasim, sqaroi Kardinali, "fjalë të çastit": shërbimi i klerit dhe i besimtarëve e besimtareve "është detyra e kopshtarit që kujdeset për kopshtin e tij pa llogaritje, pa ambicie, pa gënjeshtra, por me transparencë të plotë të zakoneve e të mjeteve, përfshirë edhe ato financiare", përsëriti ai. Së fundmi, siguroi praninë dhe gatishmërinë e Selisë së Shenjtë "për të bashkëpunuar në çdo gjë që mund të jetë e dobishme për të forcuar çka e ndihmon këtë Kishë të përmbushë përsëri misionin e saj, i cili nuk është i rezervuar për një territor të kufizuar, por që, edhe për shkak të diasporës aktuale, vazhdon të përhapet e të jetë bërthamë frymëzimi" për shumë popuj.

29 maj 2026, 14:01