Kardinali Tagle në Asamblenë e Shoqërive Misionare Papnore (© Agenzia Fides) Kardinali Tagle në Asamblenë e Shoqërive Misionare Papnore (© Agenzia Fides)

Kard. Tagle: duke i treguar një bote të plagosur nga lufta dhe padrejtësia se uniteti është i mundur

Kardinali Pro-Prefekt i Dikasterit për Ungjillëzim, hapi punimet e Asamblesë së Shoqërive Misionare Papnore: "Misioni dhe uniteti lindin nga Pagëzimi"

R.SH. / Vatikan

Me rastin e hapjes së Asamblesë së Përgjithshme të Shoqërive Misionare Papnore (PMS), që u zhvillua në Romë pasditen e së mërkurës, më 27 maj, Kardinali Luis Antonio Tagle propozoi një riinterpretim shpirtëror të Mesazhit të Papës Leoni XIV për Ditën Botërore të Misionit 2026, duke u frymëzuar nga lutja e Jezusit për unitet dhe përvoja e bashkësive të para të krishtera. Mesazhi papnor u botua më 25 janar, ditën në të cilën liturgjia e Kishës përkujton kthimin e Palit Apostull. Dita Botërore e Misionit (WMD) u krijua njëqind vjet më parë, në vitin 1926, nga Papa Piu X e sivjet do të festohet të dielën, më 18 tetor.

"Një në Krishtin e të bashkuar në mision"

Kardinali - njofton Fides - kujtoi se tema e Mesazhit të Papës Leoni XIV Një në Krishtin, të bashkuar në mision, i bën jehonë motos së tij papnore augustiniane, In Illo uno unum. Proprefekti i Dikasterit për Ungjillëzim (Seksioni për ungjillëzimin e parë dhe Kishat e reja të veçanta) paraqiti një ekzegjezë të Kapitullit 17 të Ungjillit sipas Shën Gjonit, që e informon reflektimin e Papës, veçanërisht lutjen e Jezusit: "Nuk lutem vetëm për ta - domethënë për dishepujt - por edhe për ata që, falë fjalës së tyre, do të besojnë në mua, që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty, që edhe ata të jenë në ne e që bota të besojë se ti më dërgove". "Më lejoni ta theksoj këtë pjesë të lutjes së Jezusit: që të gjithë të jenë një", deklaroi Kardinali, sepse ajo përfshin të gjitha fijet e teologjisë, përshpirtërisë, Trinitetit, ekleziologjisë dhe misionit.

"Vëllezër dhe motra, kjo është lutja e Jezusit para vdekjes së tij. E ne besojmë se, i ulur në të djathtën e Atit, duke ndërmjetësuar për ne,  vazhdon të lutet. Vazhdon t'ia drejtojë këtë lutje Atit: që të gjithë të jenë një".

Uniteti për të cilin lutet Jezusi - vazhdoi kardinali - nuk është "thjesht  çështje organizimi, planifikimi ose strategjie, por çështje e bashkësisë hyjnore, ndarë me dishepujt, në të cilën dishepujt ftohen, me anë të hirit, të marrin pjesë". Uniteti është dhuratë: "Uniteti që dëshiron Jezusi, për të cilin Jezusi lutet për ne dhe që na jepet me anë të besimit në sakramentin e pagëzimit. Është kjo lloj bashkësie shpirtërore dhe kishtare që na jepet... kështu që," shtoi ai, "kur përgatisim materialet tona kateketike për të Dielën Botërore të Misionit, në përgjigje të kësaj thirrjeje nga Ati i Shenjtë për të qenë një në Krishtin - dhe për këtë arsye një në mision - shpresoj se nuk do të harrojmë të kthehemi te ky aspekt themelor i bashkësisë së krishterë, i cili shpesh anashkalohet ose minimizohet në favor të formave të tjera të të ashtuquajturit unitet". Për kardinalin, ky është vetë themeli i misionit: "Kur flasim për Pagëzimin si sakrament besimi, e gjithashtu si sakrament misioni, duhet të kthehemi te ky element themelor i unitetit, i bashkësisë me Trinitetin".

Uniteti, kusht për besueshmërinë misionare

Duke zhvilluar pjesën e dytë të Mesazhit të Leonit XIV, kushtuar "unitetit në mision", Kardinali Tagle - njofton Fides - këmbënguli se uniteti nuk është e mirë ekskluzive që duhet përjetuar në grupe të vogla, elitare, por dëshmi për botën. "Në lutjen e Jezusit, nuk është uniteti i njerëzve që i thonë njëri-tjetrit: 'Unë të shikoj, ti më shikon mua, unë të buzëqesh, ti më buzëqesh, ne jemi të bashkuar, jemi të lumtur së bashku'. Për Jezusin, uniteti - uniteti i vërtetë shpirtëror dhe bashkësia autentike kishtare - nuk është e kthyer nga brenda". Uniteti i të krishterëve, në lutjen e Jezusit, është  kusht misionar: "Një kusht autenticiteti dhe besueshmërie misionare. Uniteti i të krishterëve është deklaratë misionare që tregon kush është Perëndia ynë. Ne themi, në një farë kuptimi, 'Na shikoni, sepse Perëndia i bashkësisë banon brenda nesh'. Jeta e të krishterëve duhet, në vetvete, të jetë Fjalë e gjallë për botën".

Duke u nisur nga Shën Pali, kardinali përshkroi atë që e quan "mistika e unitetit misionar": "Diversiteti i dhuratave, diversiteti i gjuhëve, diversiteti i brezave, por të gjithë anëtarë të njëri-tjetrit, duke u kujdesur për njëri-tjetrin, duke punuar për të mirën e përbashkët. Ky është uniteti misionar, gjallërimi misionar".

Pastaj ai përmendi me dhimbje situatat e përçarjeve të brendshme, madje edhe të dhunshme, që dëmtojnë besueshmërinë e mesazhit të Ungjillit, veçanërisht në territoret e ungjillëzimit të parë: "Kush është në lojë nuk është fisi im, as rajoni im. Në lojë është: njerëzit do të besojnë se Jezusi u dërgua nga Ati”.

Bashkësitë e para të krishtera, paradigmë e misionit

Për të ilustruar thirrjen e Papës Leoni XIV, pro-prefekti i Dikasterit për Ungjillëzimin kujtoi në mënyrë të qartë Veprat e Apostujve, ku ai sheh modelin për këtë "mistikë të unitetit misionar": "Në Veprat e Apostujve, kapitulli 2, vargjet 42-47, shohim se si e jetuan këtë komunitetet e para të krishtera. Ato iu përkushtuan mësimit të apostujve, lutjes, thyerjes së bukës dhe ndarjes së të mirave. Cilësia e jetës komunitare - uniteti - u bë  shpallje misionare. Njerëzit, duke i parë ato, ndoshta nga kureshtja, nisën të bashkoheshin me komunitetin". Këto komunitete të para, për të cilat Luka shkruan se kishin "një zemër dhe një shpirt të vetëm" dhe se ndanin gjithçka, mund të përbëjnë një horizont për jetën kishtare bashkëkohore: "Siç e kuptoj unë, Ati i Shenjtë u kërkon famullive tona, dioqezave tona, komuniteteve tona fetare, shkollave tona, ta jetojnë këtë, ta bëjnë rregull jete, në mënyrë që kjo bashkësi të jetë edhe shpallje misionare që tregon se kush është Zoti ynë". Në një botë “të coptuar, të plagosur, të përçarë nga konkurrenca, pabarazia, diskriminimi, padrejtësia, lufta”, kardinali theksoi se Mesazhi i Leonit XIV përsërit një mision specifik për Kishën: “T’i tregojë botës se uniteti është i mundur, se uniteti është real. Në unitetin tonë me Zotin dhe në unitetin tonë ndërmjet nesh – falë unitetit tonë me Zotin – duhet të jemi në gjendje t’i tregojmë botës, me fjalët tona dhe, shpresojmë, me jetën tonë komunitare: “Uniteti është i mundshëm. Unitet real. Shikojeni Korpin e Krishtit”.

Një mision me rrënjë në Dashuri

Pjesa e tretë e Mesazhit të Leonit XIV, të cilën Kard. Tagle e përmblodhi duke folur për një "mision dashurie", identifikon "substancën" e këtij uniteti: "Dashuria është substanca e unitetit e edhe substanca e misionit", deklaroi ai. "Pagëzimi është rilindja, rikrijimi nga Zoti që është dashuri. Ne rikrijohemi sipas shëmbëlltyrës së Zotit Trinitar, që është dashuri. Kur pagëzojmë, nuk pagëzojmë në emrin tonë: kjo do të ishte mënyra më e sigurt për të krijuar përçarje", vërejti ai me humor. "Ne e bëjmë në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt, e personi bëhet person i bashkësisë". Duke kujtuar një vizitë, në një kamp refugjatësh në Liban, kardinali dëshmoi se si misioni i dashurisë e bën Krishtin të dëshirueshëm: në atë rast, kur u pyet nga disa refugjatë pse të krishterë nga vende të ndryshme ishin të pranishëm për të ndihmuar popullsinë vendase, ai u përgjigj: "Sepse Mjeshtri dhe Zoti ynë, Jezu Krishti, na mësoi t’i duam të gjithë. Kjo është arsyeja pse jemi këtu". Në atë pikë, një vajzë e re u përgjigj: "Dua ta takoj këtë Jezus. Ai duhet të jetë mik i mirë".

 Këtë dinamikë ua propozoi Kardinali përsëri më shumë se njëqind drejtorëve kombëtarë të POM: të ndihmohen të gjithë, duke filluar që nga fëmijëria - përfshirë edhe përmes punës së Shoqërisë kushtuar Fëmijërisë Misionare – t’i "thonë jo të gjitha shenjave të përçarjes së pranishme në jetën tonë dhe të zgjedhin unitetin në Krishtin", në mënyrë që të "dëshmojnë një lloj tjetër bashkimi".

E Kardinali përfundoi: "Duke marrë parasysh të gjithë përvjetorët e bukur që festojmë këtë vit, mesazhin e Papës Leoni dhe kontekstin aktual global, besoj se jemi vërtet të thirrur, si të krishterë, individualisht e si bashkësi, ta jetojmë këtë dhuratë bashkimi. Përmes pagëzimit, ne i përkasim njëri-tjetrit. Dhe kjo përkatësi jetohet plotësisht në kujdesin e ndërsjelltë, në kujdesin për njëri-tjetrin për të mirën e përbashkët dhe kështu bëhet  dëshmi misionare për botën e sotme".

29 maj 2026, 12:44