2026.05.09 Santa Messa per la Pace ad Haiti

Kard. Parolin: interesat çnjerëzore ushqejnë trafikimin e luftën, që i shkatërrojnë shoqëritë

Sekretari i Shtetit, Kardinali Parolin, kryesoi një Meshë për Paqen në Haiti, në Kapelën Sforza të Bazilikës së Shën Marisë së Madhe. Në predikim nxiti të mos qëndrojmë indiferentë ndaj vuajtjeve të botës: "Zoti e dëgjon britmën e të gjitha viktimave të padrejtësisë e të varfërisë", edhe ata që në vendin e Karaibeve "dëshirojnë të jenë të lirë nga dhuna"

R.SH. - Vatikan

"Paqja mbretëroftë përgjithmonë në Haiti". Ky është urimi që lartohet kundër indiferencës ndaj vuajtjeve të popullit të Karaibeve e shumë të tjerëve në mbarë botën, viktima të luftës e trafikimit të qenieve njerëzore: dy plagë që, shpesh të nxitura nga interesa personale dhe çnjerëzore, shkatërrojnë komunitete të tëra”. E kjo, thirrja e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolin, për t'i dhënë fund dhunës në Haiti, gjatë një Meshe kremtuar pasditen e 9 majit, në Kapelën Sforza të Bazilikës së Santa Maria Maggiore. Edhe Kryeministrja e vendit, Alix Didier Fils-Aimé, mori pjesë në kremtimin eukaristik, pasi u prit në audiencë nga Papa Leoni XIV.

Kapela Sforza e Bazilikës së Santa Maria Maggiore
Kapela Sforza e Bazilikës së Santa Maria Maggiore   (@VATICAN MEDIA)

Kriza e Haitit

Që nga viti 2021, Haiti është përballur me një krizë të paparë të lidhur me dhunën e bandave. 1.4 milion njerëz u zhvendosën nga grupet e armatosura, që e shkatërruan vendin për vite me radhë. Sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, vetëm në vitin 2025, mbi 5,500 njerëz u vranë dhe më shumë se 2,600 u plagosën. Këto shifra përshkruajnë një realitet që Kardinali e kujtoi edhe në predikimin e tij, mbajtur në frëngjisht: ekziston nevoja për një paqe që "nuk është si ajo që na ofron bota", e imponuar shumë shpesh përmes "dhunës dhe mashtrimit".

Dhurata e parë e të Ngjallurit

Pajtimi i kërkuar nga Kardinali, është ai që e dëshiroi Jezusi, me të cilin "u paraqit para bashkësisë kishtare pas Ngjalljes së tij", duke udhëhequr hapat e parë të bashkësisë së besimtarëve. Kjo, pra, është "dhurata e parë" e të Ngjallurit dhe "shenja e pranisë së tij". Mirëpritja e saj, shpjegoi Kard. Parolin, përfshin misionin e ndërtimit të bashkësisë. "Atje ku është Krishti, mbretëron paqja". Një pajtim që, megjithatë, "nuk mund të imponohet", por të propozohet dhe të pranohet lirisht nga secili njeri.

Nevoja e botës për paqe

Prandaj, paqja nuk përkon thjesht me mungesën e konfliktit, por është e rrënjosur "në pranimin e Krishtit dhe në dinjitetin e njeriut", duke iu drejtuar kështu edhe jobesimtarëve. "Duke vëzhguar situatën aktuale ndërkombëtare, deklaroi Parolin, të gjithë mund ta kuptojmë se sa shumë ka nevojë bota jonë për praninë e Zotit e, si pasojë, për dhuratën e paqes".

Zoti i dëgjon lutjet tona

Përballë kaq shumë tragjedive, Kardinali donte të ofronte siguri: "Zoti dëgjon britmën e të gjitha viktimave të padrejtësisë dhe varfërisë që, në çdo pjesë të botës, i drejtohen me lutje". Prandaj, aspiratat e atyre në Haiti që dëshirojnë "bashkëjetesë pa dhunë, ku mund të jetojnë si vëllezër dhe motra", nuk mund të kalojnë pa u dëgjuar.

  (@VATICAN MEDIA)

Angazhimi i nevojshëm i bashkësisë ndërkombëtare

Stina aktuale e Pashkëve, vazhdoi Sekretari i Shtetit, na fton të përhapim praninë e Krishtit, duke u dhënë zë atyre që vuajnë në heshtje dhe duke i angazhuar të gjithë ata, që i takojmë gjatë rrugës, "pa dallim", në mënyrë që "bota të besojë në Zotin, i cili jep paqe". Ky mision është aq i gjerë, sa kërkon domosdoshmërisht angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare për të mirën e përbashkët, përtej "kufijve, traditave fetare dhe kulturave", përmes "bashkëpunimit sistematik ndërdisiplinor, duke bashkuar institucione, organizata shkencore dhe udhëheqës nga fusha të ndryshme". Ky angazhim është i nevojshëm sepse, shtoi Kard. Parolin, "ne jemi të gjithë vëllezër dhe motra, përgjegjës për njëri-tjetrin".

Sigurimi i drejtësisë, duke respektuar ligjet

Prandaj, të gjithë janë të thirrur të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, duke u angazhuar për rivendosjen e harmonisë, duke punuar për drejtësi "në përkim me ligjin dhe të drejtat e njeriut" e duke synuar "të mirën më të lartë të kombit përmes rindërtimit të institucioneve dhe zbatimit të të gjitha mjeteve që u garantojnë qytetarëve jetë dinjitoze".

Paqe në të ardhmen

Sekretari i Shtetit, më pas, kujtoi fjalët e Papës Leoni XIV gjatë vizitës së tij në Maqam Echahid, Memorial i Martirëve Algjerianë, gjatë udhëtimit të tij të fundit apostolik: "Zoti dëshiron paqe për çdo vend", e kjo mund të arrihet vetëm përmes faljes. "Lufta e vërtetë për çlirim do të fitohet përfundimisht vetëm kur të arrihet paqja e zemrës", përsëriti Kard. Parolin. "E ardhmja u përket burrave e grave të paqes".

Shpallja e Ungjillit (@VATICAN MEDIA)
Shpallja e Ungjillit (@VATICAN MEDIA)   (@VATICAN MEDIA)

Lutje për kë mbetet në shërbim

Homelia përfundoi me besimin ndaj Marisë e të atyre në Haiti që "japin më të mirën në shërbim të më të ligshtëve", atje ku "dhuna e tregon fytyrën e saj më të keqe". Kardinali kujtoi edhe ipeshkvijtë, priftërinjtë e rregulltarët, që e vazhdojnë misionin e tyre baritor në vend, "si dhe shumë gra e burra vullnetmirë që, në përgjegjësitë e tyre të ndryshme, e kuptuan se të ndjekësh të Ngjallurin, do të thotë të punosh pa u lodhur për paqen, duke harruar shpesh herë edhe veten".

10 maj 2026, 09:22