Kërko

Kulla e Niccolò V, selia e IOR-it në Vatikan. Kulla e Niccolò V, selia e IOR-it në Vatikan.

IOR publikoi Raportin 2025: fitimi është 51 milionë euro; 24.3 milionë euro për Ndjetet e Papës

«Instituti për Veprat e Fesë» porsa ka publikuar Raportin Vjetor me bilancin e vitit të kaluar. Komisioni i kardinalëve miratoi shpërndarjen e një dividenti prej 24.3 milionë eurosh për Papën, një rritje prej 76.1% krahasuar me vitin 2024.

R.Sh. /Vatikan

Instituti për Veprat e Fesë (IOR) publikoi Raportin Vjetor të katërmbëdhjetë të veprimtarisë së tij, ku përcillen të dhënat financiare të vitit 2025. Këto konfirmojnë qëndrueshmërinë dhe rritjen e qëndrueshme të këtij Institutit, që është edhe banka e Shtetit të Vatikanit, me një fitim neto prej 51 milionë eurosh. Kjo e dhënë tregon për një rritje prej 55.5% krahasuar me vitin 2024, me fjalë tjera rekord për dhjetë vitet e fundit, thuhet në një njoftim për shtypin që bëri vetë IOR.

Raporti thekson gjithashtu faktin se, në dritën e të dhënave pozitive financiare vitit 2025 dhe në dritën e kërkesave të kapitalizimit, Komisioni i Kardinalëve miratoi shpërndarjen e një dividendi prej 24.3 milionë eurosh për Ndjetet e Papës, duke shënuar një rritje prej 76.1% krahasuar me vitin 2024, "në përputhje me misionin e Institutit për të mbështetur veprat e fesë dhe bamirësisë".

Më konkretisht, në vitin 2025 instituti IOR arriti rezultatet e mëposhtme: 51 milionë euro fitim neto, duke shënuar një rritje prej 55.5% krahasuar me vitin 2024, pjesërisht falë rritjes së depozitave të klientëve. Të ardhura neto nga interesi ,prej 32.3 milionë eurosh, nga 29.4 milionë euro që ishin në vitin 2024.

Raporti i Nivelit 1 – që është treguesi kryesor i qëndrueshmërisë dhe i besueshmërisë së një banke – është 71.9%, domethënë ka një rritje prej 3.5% krahasuar me vitin 2024, për shkak të një uljeje të përgjithshme të rreziqeve dhe rritjes së kapitalit neto. Financimi total (depozitat, llogaritë rrjedhëse, menaxhimi i portofolit dhe letrat me vlerë) të menaxhuara nga Instituti kap shifrën e 5.9 miliardë eurove, krahasuar me 5.7 miliardë eurot e vitit 2024. Në fund, kapitali neto është 815.3 milionë euro, me një rritje prej 83.4 milionë eurosh krahasuar me vitin e kaluar.

Menaxhim aktiv dhe i disiplinuar

Lidhur me rritjen e ndjeshme të fitimit neto, IOR shpjegon se kjo i detyrohet kryesisht veprimtarisë së menaxhimit aktiv dhe të disiplinuar të portofolit dhe të kushteve të favorshme të tregut. Kjo performancë çoi në një rritje të ndjeshme të fitimit të përgjithshëm, e mbështetur më tej nga ndryshimi pozitiv në rezervat e Fondit të Pensioneve.

Të gjitha strategjitë e menaxhimit të aseteve të klientëve (GPM) konfirmojnë pozicionin e IOR si një nga menaxherët kryesorë të aseteve që u shërbejnë subjekteve dhe investitorëve katolikë. Në përputhje të plotë me Doktrinën Sociale të Kishës Katolike, Instituti vijon të ofrojë një gamë të larmishme produktesh, duke gërshetuar ekspertizën e tij të menaxhimit me atë të mbi 11 menaxherëve ndërkombëtarë të aseteve.

Marrëdhëniet me Kongregacionet Fetare të Konsoliduara

Në këtë kuadër, janë konsoliduar më tej, marrëdhëniet me kongregatat fetare. Konkretisht, gjatë vitit 2025, pati një rritje si në numrin e kongregacioneve që shërbejnë si klientë të Institutit, ashtu edhe në ato që ia besojnë asetet e tyre këtij instituti përmes linjave të menaxhimit të aseteve. Vitet e fundit, këto kongregata e kanë njohur IOR-in si një partner të besueshëm, falë mbarështimit të duhur të tij, masave të kontrollit të brendshëm, transparencës fiskale, zbatimit të ofertës së tij dixhitale dhe fuqisë së kapitalit të Institutit.

Shërbimet për klientët

Qëndrueshmëria e «Tier 1 ratio», si dhe sasia e likuiditetit, e vendosin IOR-in ndër institucionet financiare më të forta në nivel ndërkombëtar përsa i përket kapitalizimit dhe likuiditetit. Kjo forcë kapitali pasqyron një qëndrim të bazuar në maturi dhe përgjegjësi, që synon të sigurojë mbrojtjen e klientit dhe qëndrueshmërinë e Institutit.

Kjo forcë është vlerësuar edhe nga klientët e Vatikanit, shpjegon IOR, të cilët gjatë viteve të fundit e kanë rritur vazhdimisht sasinë e aseteve që i janë besuar IOR-it.

Po ashtu, me kalimin e viteve, përmirësime janë shënuar edhe në treguesit jo-financiarë: përmes një programi të vazhdueshëm investimesh në infrastrukturën operative dhe teknologjike, IOR ka forcuar ndjeshëm efikasitetin e proceseve të tij dhe cilësinë e përgjithshme të shërbimeve të ofruara klientëve. Në këtë kontekst, Instituti ka paraqitur shërbimin bankar online, duke zgjeruar kanalet e aksesit dhe duke siguruar operacione më të thjeshta, më të sigurta dhe më të shpejta, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

11 maj 2026, 16:10