Kërko

2025.06.19 Visita a Santa Maria di Galeria

Hyn në fuqi marrëveshja ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Italisë për një termocentral agrovoltaik

Procedurat e kërkuara sipas Nenit 5 të marrëveshjes së nënshkruar në korrik të vitit të kaluar, që parashikon ndërtimin e objektit në zonën ekstraterritoriale të Santa Maria di Galeria, përfunduan dje, 27 maj

R.SH. – Vatikan

         Projekti fyrmëzohet nga enciklika “Laudato si'” e Papës Françesku, sidomos nga ajo pjesë ku pohohet se në një botë, me "një nivel të ulët përdorimi të energjive të pastra dhe të rinovueshme", ka "ende nevojë të zhvillohen teknologji për akumulimin e energjisë". Këtij synimi i përgjigjet sistemi agrovoltaik që Selia e Shenjtë, në marrëveshje me Italinë, do të ndërtojë në Santa Maria di Galeria - në zonën ekstraterritoriale, ku ndodhen antenat e Radio Vatikanit që nga viti 1957 - për të siguruar kështu, si furnizimin me energji të stacionit të radios, ashtu edhe "furnizimin e plotë me energji" të Shtetit të Vatikanit, me respekt për ambientin.

Fazat e projektit

Ishte Papa Françesku ai, që e filloi projektin me motu proprio “Fratello sole” (Vëllai Diell) të 26 qershorit 2024, duke i udhëzuar krerët e Guvernatoratit dhe të APSA-s të "kryejnë aktet e nevojshme administrative të zakonshme dhe të jashtëzakonshme" për të ndërtuar një sistem të aftë të kombinojë prodhimin e energjisë elektrike të rinovueshme me nevojat e tokës bujqësore. Më pas, më 31 korrik 2025, me një ceremoni në ambasadën e Italisë në Selinë e Shenjtë, kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare, si edhe ambasadori italian Francesco Di Nitto, nënshkruan "Marrëveshjen ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Italiane për një termocentral agrovoltaik në Santa Maria di Galeria". Kjo marrëveshje hyri zyrtarisht në fuqi dje, më 27 maj, pas përfundimit të "procedurave të parashikuara në përputhje me Nenin 5 të vetë Marrëveshjes", siç njoftohet sot, më 28 maj, në një deklaratë të Vatikanit. Marrëveshja mbështetet fuqimisht edhe nga Papa Leoni XIV, i cili pati shkuar për vizitën në Santa Maria di Galeria më 19 qershor 2025.

28 maj 2026, 14:55