Kërko

2026.04.29 Giuseppe falegname MMM

Çfarë pune bënte Jozefi? Zdrukthëtar i Ungjijve

Ndër Ungjijtë, një fjalë e vetme greke përcakton mjeshtrinë e Jozefit: "tektōn". Tradita e ngushton, arti e bën të dukshme: kështu, puna e ndërtimit përqendrohet në dru, e i afrohet kryqit.

R.SH. / Vatikan

Burimet ungjillore e përshkruajnë zanatin e Jozefit me një fjalë të vetme. Në Ungjillin e Markut (6,3), Jezusi quhet "tektōn", ndërsa në Ungjillin e Mateut (13:55) është "i biri i tektōn". Termi grek τέκτων, i përkthyer në traditën latine  faber, ka një kontekst më të gjerë sesa ideja aktuale e një zdrukthëtari: kujton një zejtar ndërtimi, të aftë për të punuar me materiale të ndryshme dhe për të ndërhyrë në krijimin e strukturave. Fjala ka një vlerë të caktuar: e vendos Jozefin brenda një konteksti pune konkrete, jo të specializuar në mënyrë të ngurtë. Që në vitin 155, Justini, në Dialogun    me Trifonin, kujton se Jezusi bënte parmenda dhe zgjedha, objekte të lidhura me tokën e me punën, shenjë e një mjeshtërie konkrete, të cilën termi e ruajti që nga burimet më të hershme të krishtera.

Gerrit van Honthorst, Sacra famiglia nella bottega di carpentiere di S. Giuseppe, 1610, Museo statale Ermitage, San Pietroburgo

Gerrit van Honthorst, Familja e Shenjtë në Punëtorinë e Marangozëve të Shën Jozefit, 1610, Muzeu Shtetëror i Hermitazhit, Shën Petersburg

Një fjalë, një zanat

Konteksti i Galilesë së shekullit I e bën më të saktë këtë profil. Në disa vise ku druri për ndërtim ishte i kufizuar e ndërtimi mbështetej kryesisht në gurin vendas, tektōn ishte afër vendit të ndërtimit, transformimit të hapësirës së jetesës dhe mirëmbajtjes së nevojave të përditshme. Prej këndej del një figurë e zhytur në punë, me zotësi praktike dhe me aftësi për t'u përshtatur me materialet e zakonshme, larg përkufizimit reduktiv dhe tepër të specializuar. Ky kuadër përfshin gjithashtu një element delikat, por domethënës: në Ungjillin e Lukës (2:24), dhurimi i dy pëllumbave në Tempull e vë familjen në një gjendje modeste, siç e kërkonte ligji biblik, pa e shteruar kompleksitetin e profilit të tyre, i cili mbetet i lidhur me një punë cilësore e të njohur nga të gjithë.

Giulio Carpioni, Gesù Bambino falegname, XVII secolo, olio su tela, Venezia, Pinacoteca Egidio Martini

Giulio Carpioni, Gesù Bambino falegname, XVII secolo, olio su tela, Venezia, Pinacoteca Egidio Martini

Nga ndërtimi - te druri

Duke u nisur nga ky element themelor, tradita bën një ndryshim vendimtar. Fjala e madhe e burimeve ngushtohet progresivisht: tektōn bëhet marangoz, ndërtimi përqendrohet te druri, e ky përqendrim krijon një hapësirë ​​për interpretim, që i tejkalon të dhënat origjinale, pa i kundërshtuar. Druri, material i punës së përditshme, bëhet pika ku mund të shihet, në filigran, druri i kryqit sipas një vazhdimësie që nuk i përket historisë së Ungjillit, por interpretimit të saj.

Bottega di Robert Campin, San Giuseppe lavoratore (particolare), Trittico dell'Annunciazione (Pala d'altare Mérode) ca. 1427-32, Metropolitan Museum of New York. Sulla finestra e sul tavolo di lavoro ci sono due trappole per topi.

Punëtoria e Robert Campin, Shën Jozefi Punëtor (detaj), Triptiku i Lajmërimit (Altari i Mérode), rreth viteve 1427-32, Muzeu Metropolitan i Nju Jorkut. Në dritare dhe në tavolinën e punës janë dy kurthe për minj.

E në këtë horizont, një reflektim si ai i Agustinit të Iponës fiton vlerë, jo si burim i drejtpërdrejtë pamjesh, por si përqendrim kuptimi: në Predikimin e 265-të kryqi konceptohet si kurth a si karrem, që e tërheq dhe e mposht djallin; e kjo dendësi shumë simbolike e drurit e ndriçon në mënyrë retrospektive zanatin që i atribuohet Jozefit, duke dëshmuar se materiali më i zakonshëm mund të bëhet vendi ku mblidhet dhe parashikohet e gjithë ngjarja e shëlbimit. 

Arti e mbledh dhe e bën të dukshëm këtë kalim. Skena e punishtes, si hapësirë ​​për Familjen Shenjte, gradualisht pohon veten duke nisur nga shekulli i 16-të, kur gravurat e Albrecht Dürer ofrojnë një repertor të hershëm figurativ të jetës së përditshme në Nazaret: Maria, që përgatitet të qepë ose të tjerrë; Jozefi, në tryezën e tij të punës, Biri, i pranishëm e gjithnjë gati! Është një ikonografi, që i përgjigjet shijes për natyralizëm, mbizotëruese në artin e shenjtë, që gjeti tokë pjellore gjatë Kundër-Reformës, kur zgjerimi i festës liturgjike të Shën Jozefit në të gjithë Kishën (1621) i dha shtytje vendimtare prodhimit artistik. Punishtja, mjetet dhe dërrasat e punuara bëhen elemente të vazhdueshme, përmes të cilave druri fiton prani këmbëngulëse, të aftë të drejtojë shikimin, pa u bërë i qartë.

Cerchia di Jerónimo Jacinto de Espinosa, San Giuseppe falegname, prima metà del XVII secolo, olio su tela, Herzog Anton Ulrich-Museum, Braunschweig.

Rrethi i Jerónimo Jacinto de Espinosa, Shën Jozefi Marangoz, gjysma e parë e shekullit të 17-të, vaj mbi kanavacë, Muzeu Herzog Anton Ulrich, Braunschweig.

Gjatë shekullit të 17-të, kjo ikonografi u bë gjithnjë e më e pasur me simbolizëm. Ndër shembujt më të njohur janë nokturnat karavagjeske të Gerrit van Honthorst dhe piktura e famshme e Georges de La Tour në Luvër, në të cilën drita e qiriut të mbajtur nga Fëmija e shndërron punishten në një hapësirë ​​ku e përditshmja merr vlerë të shenjtë. Por krahas këtyre kryeveprave të famshme, tradita prodhon vepra më pak të njohura, por jo më pak domethënëse. Tek Familja Shenjte në Punishte, që i atribuohet rrethit të Mattia Preti (1695, Rabat, Maltë), ikonografia shpaloset në dy nivele parafigurimi: Jozefi rrafshon një dërrasë - gjest që të kujton drurin e kryqit - ndërsa Virgjëra, duke qëndruar mënjanë, qep një copë të bardhë, parafigurim i qefinit. Disa vite më vonë, Giuseppe Maria Crespi, i njohur si Lo Spagnolo (1715, tani në Modena), e pasqyroi temën në një dimension familjar dhe antiretorik: Fëmija nuk e ndihmon të atin me punën e tij, por i tregon nënës një kryq të vogël prej druri, ndoshta lodër e bërë për të nga Jozefi, ndërsa Maria ul kokën në hije, e trishtuar dhe e vetëdijshme.

Giuseppe Maria Crespi, Sacra Famiglia nella bottega da falegname, circa 1715, olio su tela, Modena, Galleria BPER

Giuseppe Maria Crespi, Familja e Shenjtë në punëtorinë e marangozit, rreth vitit 1715, vaj mbi kanavacë, Modena, Galleria BPER

Nga ndërtimi në dru

Duke filluar në shekullin e 17-të, kjo ikonografi i tejkaloi kufijtë e artit të lartë dhe u përhap gjerësisht në devocionin popullor përmes figureve të shenjta, gravurave dhe printimeve të prodhuara e të shpërndara në mbarë Evropën nga gravurat dhe shtypshkronjat në bakër. Punëtoria e Shën Jozefit - me mjetet e saj, drurin dhe Birin e tanishëm - u bë një nga subjektet më të riprodhuara dhe më të njohura të devotshmërisë së krishterë, shenjë që tregonte se si ajo skenë kishte arritur të kondensonte, në një formë të dukshme dhe të arritshme, kuptimin e thellë të një misteri, të cilin burimet ungjillore e kishin shprehë me një fjalë të vetme.

Sacra Famiglia nella bottega di san Giuseppe, altorilievo in marmo, inizi del XIX secolo, Carrara, chiesa del Suffragio.

Familja e Shenjtë në zdrukthtarinë e Shën Jozefit, reliev i lartë prej mermeri, fillimi i shekullit të 19-të, Carrara, Kisha e Ringjalljes.

Formohet kështu një gjuhë që lidh veprën me rezultatin e saj përfundimtar, duke ndërtuar me kalimin e kohës, një koherencë që lind nga interpretimi i burimeve të kohës. Mbetet në sfond, thjeshtësia e burimeve. Termi tektōn vazhdon të ketë një kuptim më të gjerë, të lidhur me ndërtimin dhe praktikën e punës. Figura e zdrukthëtarit, kaq e njohur, lind nga leximi që gjeti në dru një pikë kondensimi efektive dhe të qëndrueshme. Në këtë distancë ndërmjet fjalës origjinale dhe figurës, kuptojmë mënyrën se si tradita përpunon, sqaron dhe e bën të dukshme atë që tekstet ofrojnë në formë themelore.

01 maj 2026, 12:06