Zbulime në Megido: gjurmë të reja të Biblës
R.SH. / Vatikan
Për herë të parë, arkeologjia duket se po i afrohet konkretisht njërit nga episodet më dramatike në historinë biblike: Betejës së Megidos, në të cilën Mbreti Josia humbi jetën, rrëfyer në Librin e dytë të Mbretërve, si dhe në Librin II të Kronikave.
Për ta forcuar këtë shpjegim, kontribuojnë elemente të tjera: qeramika e Egjeut lindor, që daton ndërmjet viteve 630 dhe 610 para Krishtit, e edhe një shkallë armature e gjetur në të njëjtin kontekst. Këto të dhëna flasin për mundësinë e pranisë së mercenarëve grekë. "Hipoteza mbështetet nga disa faktorë", shpjegon Finkelstein, "studimet petrografike lidhin disa materiale me zonën e Miletit, ndërsa burime jashtëbiblike dëshmojnë përdorimin e milicive nga Lidia dhe Greqia, në shërbim të Egjiptit". Prova të ngjashme u gjetën edhe në një fortesë të vogël bregdetare ndërmjet Tel Avivit të sotëm dhe Ashdodit, duke sugjeruar një model më të gjerë të pranisë ushtarake egjiptiane në rajon.
Zbulimet e reja, thënë shkurtimisht, ndihmojnë në vendosjen e rrëfimeve biblike brenda një kuadri historik më realist. "Teksti i Librit të Mbretërve, thekson Finkelstein, është përgjithësisht më i besueshëm, ndërsa kalimet në Kronika pasqyrojnë përpunime të mëvonshme, të lidhura me ideologjinë e autorit".
Megido, në fund të fundit, nuk është thjesht vend i çfarëdoshëm. Është vendi i vetëm i përmendur si në Bibël, ashtu edhe në kronikat e mëdha të Lindjes së Afërt të lashtë. Identifikimi i tij me Armagedonin e Librit të Zbulesës (nga greqishtja Har Megiddo, "mali i Megidos") e bëri atë simbol universal të ndeshjes përfundimtare ndërmjet së mirës dhe së keqes. Sipas Finkelstein, "ideja apokaliptike mund të rrjedhë pikërisht nga kujtimi i vdekjes së Josias, i konsideruar si më i drejti nga mbretërit Davidikë: vendi i fundit të tij do të ishte riinterpretuar si vend për betejën e fundit në histori".
Nga pikëpamja metodologjike, gërmimet po përdorin gjithnjë e më shumë mjete teknike në dispozicion. "Analizat petrografike - përfundon arkeologu - na lejuan të identifikojmë me saktësi origjinën e materialeve. Në kontekste të tjera, përdorim gjithashtu analizën e ADN-së, analizën e mbetjeve organike dhe datimin me radiokarbon".Lidhur me marrëdhënien ndërmjet arkeologjisë dhe teksteve biblike, kujdesi mbetet i justifikuar: "Nuk ka rregull të përgjithshëm", paralajmëron Finkelstein. "Çdo rast duhet të vlerësohet në kontekstin e të dhënave arkeologjike, ekzegjezës moderne dhe burimeve të lashta të Lindjes së Afërt".
Megjithatë, pikërisht në Megido, për një çast, këto nivele të ndryshme duket se bashkëveprojnë. E, së bashku, ndriçojnë një nga pasazhet më tragjike e më domethënëse të Testamendit të Vjetër.
nga Avvenire