Kërko

Papa Pali VI në aeroplan, Papa i parë që mori këtë mjet transporti për një shtegtim apostolik. Papa Pali VI në aeroplan, Papa i parë që mori këtë mjet transporti për një shtegtim apostolik.

Shtegtimi dhe Papët: formë misioni për të njohur e për të dashur

Me rastin e shtegtimit të Leonit XIV në Afrikë, nga 13 deri më 23 prill, propozojmë disa reflektime nga Papët mbi përvojën njerëzore të udhëtimit.

R.SH. / Vatikan

Udhëtimi apostolik i Papës Leoni XIV në Algjeri, Kamerun, Angolë dhe Guinenë Ekuatoriale, nga 13 deri më 23 prill, krijon mundësinë për t’i rishikuar disa reflektime nga Papët për kuptimin e përvojës së udhëtimit.

Rrugët e Shtegtimeve Apostolike

Në fjalimin drejtuar më 23 mars drejtuesve dhe stafit të ITA Airways, Papa Leoni XIV u përqendrua në veçanti në udhëzimet që përcaktojnë udhëtimet papnore.

Fluturimet papnore janë një nga simbolet më elokuente të misionit të Pasardhësve të Pjetrit në epokën bashkëkohore. Në veçanti, në udhëtimet e tij apostolike, Papa u shfaqet të gjithëve si lajmëtar paqeje: rrugët e tij janë ato që duhet të jenë gjithmonë: ura dialogu, takimi dhe vëllazërie. Avionët duhet të jenë gjithmonë bartës paqeje, kurrë lufte! Askush nuk duhet të ketë frikë nga kërcënimet e vdekjes dhe të shkatërrimit nga qielli. Pas përvojave tragjike të shekullit të 20-të, bombardimet ajrore duhej të ishin ndaluar përgjithmonë! Në vend të kësaj - siç e dimë - ato ende ekzistojnë, dhe zhvillimi teknologjik, pozitiv në vetvete, vihet në shërbim të luftës. Ky nuk është progres, është regres!

27 nëntor 2025: Një pamje e shkurtër në fillim të udhëtimit të Papës Leoni XIV në Turqi (Türkiye).
27 nëntor 2025: Një pamje e shkurtër në fillim të udhëtimit të Papës Leoni XIV në Turqi (Türkiye).

Udhëtimet papnore, formë misioni

Që nga vitet e fundit të mijëvjeçarit të dytë, aeroplanët janë bërë "krahët e Papës", që i lejojnë Ipeshkvit të Romës të shtegtojë në rajone të ndryshme të botës dhe të takojë njerëz e bashkësi. Në përshëndetjen për stafin e ITA Airways më 14 prill 2023, Papa Françesku kujtoi, në veçanti, një ditë historike:

Më 4 janar 1964, Shën Pali VI ngjitej në Alitalia DC8—DC8-at, tani “në pension - i pari Papë në histori që mori një avion për shtegtim apostolik. Papa Montini e kishte dëshiruar shumë udhëtimin e shkurtër, por intensiv në Tokën Shenjte. Ua kishte njoftuar me entuziazëm dhe emocion Etërve të Këshillit në fund të sesionit të dytë të Vatikanit II. Ai fluturim, që nisej nga Roma-Fiumicino dhe mbërrinte në Aman, përuroi udhëtimet papnore nëpër botë: një mënyrë e re e kryerjes së shërbesës baritore të Papës, e cila i lejoi Ipeshkvit të Romës të arrinte njerëz të panumërt, që nuk do të kishin qenë kurrë në gjendje të bënin një shtegtim në Romë. (...) Pastaj, me Shën Gjon Palin II, i cili bëri 104 udhëtime ndërkombëtare në papninë e tij 27-vjeçare, kjo formë misioni u bë pjesë integrale e papnisë. Pasardhësi i tij, Benedikti XVI, udhëtoi në këtë mënyrë; e kështu kam vazhduar të udhëtoj edhe unë.

Papa Françesku dhe gazetarët në fluturimin për në Kanada (24 korrik 2022).
Papa Françesku dhe gazetarët në fluturimin për në Kanada (24 korrik 2022).

Afrika, Kontinenti i shpresës

Udhëtimi i ardhshëm apostolik i Leonit XIV në Afrikë është edhe ftesë për ta parë këtë kontinent me sytë e paraardhësve të tij. Gjatë udhëtimeve në këtë rajon të botës, Papa Benedikti XVI pohoi - siç e kujtoi vetë Papa gjerman në mesazhin e tij drejtuar Kongresit Pan-Afrikan të Laikëve Katolikë - se "Afrika është e thirrur të jetë kontinenti i shpresës".

Dashuria për jetën dhe familjen, ndjenja e gëzimit dhe e ndarjes dhe entuziazmi për të jetuar besimin në Zotin, të cilin e dëshmova gjatë udhëtimeve të mia në Afrikë, janë ende të skalitura në zemrën time. Mos lejoni kurrë që mendësia e errët relativiste dhe nihiliste që prek pjesë të ndryshme të botës sonë, të shkelë realitetin tuaj! Mirëpritni dhe përhapni me forcë të re mesazhin e gëzimit dhe të shpresës, që sjell Krishti, mesazh i aftë të pastrojë dhe të forcojë vlerat e mëdha të kulturave tuaja.

Një çast nga udhëtimi i Papës Benediktit XVI në Angola në vitin 2009
Një çast nga udhëtimi i Papës Benediktit XVI në Angola në vitin 2009

Udhëtimi është shkollë e përvojës njerëzore

Reflektimi i Papës Pali VI mbi kuptimin e udhëtimit është ftesë për të shkuar përtej kornizës së menjëhershme të kësaj përvoje. Në raste të ndryshme, udhëtari "vëzhgon, mendon, studion dhe ndjen poezinë e njerëzimit", e cila bëhet "vaj, lot, britmë, Aleluja, që lind përbrenda tij". Këtë theksoi Papa Montini  në Engjëllin e Tënzot më 29 korrik 1978, duke shtuar se udhëtimi, shikimi i vendeve e i zakoneve të ndryshme dhe ekzotike, është "formulë për pushimet në kohën e tashme".

Të udhëtosh është shkollë përvoje njerëzore e pakrahasueshme, por, pas reflektimit, krijon probleme të tjera shpirtërore, të cilat peshojnë rëndë mbi shpirt nëse nuk përshtaten dhe nuk zgjidhen brenda një vizioni vertikal, gjithëpërfshirës dhe të mençur të jetës fetare. Ashtu si kontakti, jo thjesht fizik dhe hedonist me natyrën - mjet dhe qëllim tjetër klasik për pushimet - kontakti me ajrin e hapur, detin, fshatin, malet - duhet të shërbejë si shkallë natyrale dhe e lehtë për t'u ngjitur dhe për t'u shprehur në lutje, me këngën e krijesave, kënduar nga vetë princi i krijesave, njeriu, në një himn për Krijuesin - ashtu edhe kontakti me panoramën shoqërore që shpaloset para udhëtarit duhet ta shtypë zemrën e tij dhe të zbulojë planin kompleks jo vetëm të qytetërimit, por edhe planin misterioz, megjithatë të padukshëm, i cili synon të arrijë çdo njeri, që dëshiron të shpëtojë.

Papa Pali VI në Tokën e Shenjtë në vitin 1964
Papa Pali VI në Tokën e Shenjtë në vitin 1964

Të shtegtosh do të thotë të duash

Shtegtimi është burim dijeje. Papa Gjon Pali I e theksoi këtë në audiencën e përgjithshme të 27 shtatorit 1978, duke kujtuar fjalët e një profesori filozofie. Dituria është e lidhur me të mësuarit, me përvojën. Të njohësh, për shembull, kambanoren e Shën Markut, sipas atij profesori, do të thotë "se ajo të ka hyrë disi në mendje: fizikisht ka mbetur aty ku ishte, por thellë-thellë ka ngulitur pothuajse një portret intelektual të vetes". Çfarë do të thotë të duash kambanoren e Shën Markut? "Do të thotë", shpjegon Papa Luciani, duke kujtuar fjalët e profesorit, "se ai portret, nga brenda, të shtyn dhe të anon, pothuajse të mbart, të bën të lëvizësh me shpirtin tënd drejt kambanores, që është jashtë".

Të duash do të thotë të udhëtosh, të vraposh me zemër drejt objektit të dashur. Imitimi i Krishtit thotë: ai që e do "currit, volat, laetatur", vrapon, fluturon dhe gëzohet. Të duash Zotin, pra, do të thotë të udhëtosh me zemër kah Zoti. Udhëtim i bukur. Si djalë, isha i magjepsur nga udhëtimet e përshkruara nga Zhul Verni ("Njëzet mijë lega nën det", "Nga Toka në Hënë", "Rreth botës për tetëdhjetë ditë", etj.). Por udhëtimet e dashurisë për Zotin janë shumë më interesante. Aty lexojmë për jetën e shenjtorëve. Shën Vincent de Paul, festën e të cilit e festojmë sot, për shembull, është një gjigant i bamirësisë. (...) Shën Pjetër Claver, duke ia kushtuar veten tërësisht Zotit, nënshkroi: "Pjetri, skllav i zezakëve përgjithmonë". Udhëtimi sjell edhe sakrifica, por këto nuk duhet të na ndalojnë.

Udhëtimi i jetës

Njeriu është edhe në udhëtim në rrugën e jetës. Në këtë perspektivë qendrore i përshtatet fjalëve të thëna nga Papa Gjon Pali II më 8 nëntor 1979, me rastin e Ditës së 21-të të Punëtorëve të Hekurudhave.

Shtegtimi i vazhdueshëm a nuk është imazh i një udhëtimi tjetër, një udhëtimi që na bashkon të gjithëve? A nuk është jeta e çdo njeriu në tokë një vijë, një shteg, një trajektore, ndërmjet një pike fillimi dhe një pike mbarimi? Po, secili prej nesh është  udhëtar, sipas një imazhi të njohur; dhe gjëja e rëndësishme - siç kujton edhe emri i stacionit kryesor të Romës - është të arrijmë me lumturi "fundin" e udhëtimit tonë, duke ruajtur, sipas fjalëve të Shën Palit, besimin për të, gati për të marrë shpërblimin nga Zoti (krh. 2 Tim 4:7-8).

E në udhëtimin tonë përgjatë shtigjeve të jetës, thekson më në fund Papa Vojtila, është burim ngushëllimi i vërtetë të mbajmë mend atë që Psalmi Përgjegjës na bën ta kujtojmë: "Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është mbrojtja e jetës sime; nga kush do të trembem?".

13 prill 2026, 10:02