Kërko

Shkatërrimi i luftës në Khartum, Sudan (AFP ose licencuesit) Shkatërrimi i luftës në Khartum, Sudan (AFP ose licencuesit)

Selia e Shenjtë: të mobilizohen të gjitha burimet për të luftuar plagën e urisë në botë

Fjala e Imzot Fernando Chica Arellano, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), Fondit Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor (IFAD) dhe Programit Botëror të Ushqimit (WFP), në Nouakchott, në sesionin e 34-të të Konferencës Rajonale për Afrikën. Pa ndërhyrje të përshtatshme, paralajmëroi, mbi gjysmë miliardi njerëz "mund të vuajnë nga kequshqyerja kronike brenda vitit 2030, 60% e tyre në Afrikë".

R.SH. / Vatikan

Sistemet agro-ushqimore, që përbëjnë "shtyllën kurrizore të Afrikës", duhet të përballojnë “sfida të papara" për shkak të konflikteve, ngjarjeve ekstreme të motit, tronditjeve ekonomike dhe pabarazive në rritje. "Duhet të mobilizohen të gjitha burimet e disponueshme" për të luftuar plagën e urisë në botë.

Ky është mesazhi i  nisur  nga Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë FAO, IFAD dhe WFP, Imzot Fernando Chica Arellano, në fjalimin e tij në Nouakchott, Mauritani, ku zhvillohej sesioni i 34-të i Konferencës Rajonale për Afrikën, që përfundoi sot, më 17 prill.

Mobilizim i burimeve kundër urisë

Përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë kujtoi të dhënat nga raporti i fundit i OKB-së mbi Gjendjen e sigurisë ushqimore dhe ushqimit në botë (SOFI 2025), sipas të cilit afërsisht 673 milionë njerëz vuanin nga uria në vitin 2024. Në vijim vuri në dukje se "512 milionë njerëz mund të vuajnë nga kequshqyerja kronike deri në vitin 2030, 60% e tyre në Afrikë". Prej këndej, thirrja e bërë nga Papa Leoni XIV në fjalimin e tij në FAO, më 16 tetor, "për të mobilizuar të gjitha burimet e mundshme, me frymë solidariteti, në mënyrë që askujt në tokë të mos i mungojë ushqimi i nevojshëm, si në sasi, ashtu edhe në cilësi. Në këtë mënyrë, do të jetë e mundur t'i jepet fund një situate, që mohon dinjitetin njerëzor".

Respekti për dinjitetin njerëzor

Për të çliruar plotësisht potencialin e Afrikës, sipas Imzot Chica Arellano, duhet të përqendrohemi "në zgjidhje të përparuara, që përfshijnë investime të synuara, inovacion dhe zhvillim aftësish, krijim vendesh pune për të rinjtë dhe fuqizim të grave, pjesëmarrje të përmirësuar në tregje dhe tregti, dhe përpjekje kolektive për të adresuar shkaqet rrënjësore të migrimit". "Është e vërtetë - vazhdoi Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë - se  duhet ta përmirësojmë  prodhimin lokal dhe ta rishikojmë punën tonë ndaj prodhimit, shpërndarjes dhe konsumit të ushqimit për të përmbushur nevojat në rritje në këto tri fusha, të cilat janë themelore për jetën e çdo qenieje njerëzore. Por është themelore edhe që ky proces optimizimi të jetë i rrënjosur fort në respektin për dinjitetin njerëzor të patjetërsueshëm, të dhuruar nga Zoti.

Kjo është e vetmja mënyrë për të ndërtuar sisteme ushqimore vërtet më elastike dhe më të barabarta, për të mirën si të njerëzve - veçanërisht të më të ligshtëve - ashtu edhe të krijimit, që na u besua nga Zoti".

17 prill 2026, 11:02