Selia e Shenjtë: "Paqja është e domosdoshme për zhdukjen e urisë"
R.SH. – Vatikan
Selia e Shenjtë është e shqetësuar për krizat e shumta, që prekin banorët e Lindjes së Mesme, aktualisht në luftë, me pasoja të rëndësishme për sistemet agro-ushqimore. Ky shqetësim shprehet veçanërisht për konfliktet dhe për fenomenet e skajshme klimatike, që po shtyjnë një numër gjithnjë e në rritje njerëzish drejt varfërisë, urisë dhe pasigurisë ushqimore. Kështu pohoi Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në FAO, IFAD dhe ËFP, imzot Fernando Chica Arellano, gjatë sesionit të 38-të të Konferencës rajonale për Lindjen e Mesme (NERC). Në rendin e ditës, "Masat strategjike para tronditjeve sistemike, që prekin sistemet agro-ushqimore në kontekstin e konfliktit të vazhdueshëm".
Një përgjigje e koordinuar politike
Sipas kryeipeshkvit Chica Arellano, "kostot në rritje të energjisë dhe të plehrave kimike, së bashku me pasiguritë në zinxhirin e furnizimit, po rrisin kostot e prodhimit dhe po nxisin paqëndrueshmërinë e çmimeve ushqimore, veçanërisht në vendet më të varfra e në ato, që varen nga importi. Shkallëzimi i konfliktit aktual në Lindjen e Mesme", sipas Vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë, "do të ketë pasoja edhe përtej kufijve dhe do të keqësojë më tej urinë në mbarë botën. Prandaj, është urgjente të gjendet një përgjigje politike e koordinuar dhe shumënivelëshe për të përballuar krizat që po jetojmë, duke mbrojtur popullsitë dhe duke forcuar qëndrueshmërinë afatgjatë".
Thirrjet e Papës
Vëzhguesi i përhershëm kujtoi edhe se, përballë faktorëve të shumtë të paqëndrueshmërisë, që keqësojnë varfërinë dhe pasigurinë ushqimore, Papa Leoni XIV nuk pushon kurrë së kërkuari paqen. "Është i domosdoshëm fundi i përçarjeve dhe i armiqësive, për t’i hapur rrugën paqes së bazuar në dialogun e sinqertë dhe në respektin për dinjitetin e çdo njeriu", vuri në dukje ai, duke shtuar se "sfidë është edhe lehtësimi i vuajtjeve të popullsive që, pavarësisht se janë të pafajshme, tragjikisht bëhen viktima të konflikteve të shkaktuara nga të tjerët". Ai siguroi më pas se Selia e Shenjtë ndjek me shqetësim të madh situatën në shumë rajone të botës, të shkatërruara nga lufta dhe dhuna. "Siç ka theksuar Ati i Shenjtë, vdekja dhe dhimbja e shkaktuar nga këto luftëra janë shkandull për të gjithë familjen njerëzore dhe britmë lartuar Zotit!" nënvizoi ai, duke vënë në dukje se "promovimi i paqes duhet të jetë në qendër të çdo veprimi diplomatik, në mënyrë që zhurma e bombave të pushojë, armët të heshtin dhe të hapet një hapësirë për dialog, në të cilën mund të dëgjohen zërat e popujve".
Zgjidhje të negociuara
Së fundi, thirrja: "Në pritje që të gjendet shpejt një zgjidhje e negociuar për konfliktet, delegacioni i Selisë së Shenjtë shpreson që puna e kësaj konference rajonale të kontribuojë në miratimin e parimeve dhe dispozitave, të cilat synojnë forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në favor të sigurisë ushqimore për të gjithë dhe të promovimit të paqes, elementë thelbësorë për një zhvillim vërtet të qëndrueshëm dhe për zhdukjen e urisë në botë".