Kërko

Kishë e rrënuar në Ukrainë (AFP) Kishë e rrënuar në Ukrainë (AFP)

Selia e Shenjtë: Mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare nuk është luks, por përparësi

Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë UNESCO-s, imzot Campisi, flet në Paris, duke theksuar sa e ngutshme është mbrojtja e vendeve të besimit dhe të kulturës, shkatërrimi i të cilave shkakton "humbje identiteti dhe fshirje të kujtesës kolektive", veçanërisht tashti që vlojnë luftërat në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë. Theksi vihet te sfidat e inteligjencës artificiale dhe te përdorimi etik i teknologjisë, si dhe në komunikimin në shërbim të së vërtetës dhe të së mirës së përbashkët.

R.SH. / Vatikan

Arsimi si mjeti kryesor i paqes, njohja e kulturës si shpirti dhe e ardhmja e çdo populli dhe komunikimi si shërbim thelbësor ndaj së vërtetës dhe jo si zë i propagandës dhe i pushtetit. Këto janë pikat kryesore ku u përqëndrua fjalimi i imzot Roberto Campisi-t, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në UNESCO, në sesionin e 224-të të Këshillit Ekzekutiv të organizatës, e cila, siç dihet, është pjesë e Kombeve të Bashkuara. UNESCO-ja, nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar, synon të ndërtojë një botë më humane, të barabartë dhe vëllazërore.

Ky mision është më i nevojshëm se kurrë në gjendjen e tashme ndërkombëtare, sipas prelatit, i cili shprehu mbështetjen e tij në emër të Selisë së Shenjtë për nismën UNESCO80, duke e quajtur atë "një mundësi të rëndësishme për të forcuar efikasitetin, koherencën dhe ndikimin e organizatës në përputhje me nismën UN80". Ky organ i OKB-së i meriton duartrokitjet në veçanti për mbështetjen që u ka dhënë shumë vendeve pavarësisht kufizimeve financiare; mësuesve dhe studentëve që ende jetojnë në situata të vështira dhe të cilët, siç theksoi Papa në Mesazhin e tij për Ditën e 60-të Botërore të Komunikimit, duhet të "fitojnë aftësi kritike" dhe të "rriten me lirinë e shpirtit", pavarësisht tmerreve dhe frikës që ngjall lufta.

Lypset mbështetje për arsim cilësor

Duke propozuar rishtas «Marrëveshjen Globale për Arsimin», që pati nxitur Papa Françesku dhe tashti Papa Leoni, kryeipeshkvi Campisi theksoi familjen si vendin kryesor të komunikimit dhe hapjen e çdo personi ndaj asaj që është transhendente, për të promovuar në çdo gjerësi gjeografike atë "dinjitet të patjetërsueshëm njerëzor të dhuruar nga Zoti" dhe përparësinë e së mirës së përbashkët. «Bëhet fjalë, veçanërisht për arsimimin gjithpërfshirës që përqendrohet tek e mira e përbashkët, solidariteti dhe te mbrojtja e mjedisit», u shpreh Campisi. «Nevojitet një përdorim human dhe etik i teknologjive dixhitale dhe i inteligjencës artificiale. Lypset, po ashtu, të merret parasysh bota e brendshme dhe shpirtërore e të rinjve. Është nëpërmjet një edukimi cilësor, të vërtetë dhe të plotë, që ne ndërtojmë shoqëri më të drejta, të afta për dialog dhe paqe». Sfida, megjithatë, nuk është vetëm teknologjike, por edhe antropologjike. «Pyetja», shtoi ai, «nuk kufizohet vetëm tek ajo që janë në gjendje të bëjnë makinat, por lidhet edhe me atë që u ndodh qenieve njerëzore kur jetojnë në mjedise teknologjike që i japin trajtë vëmendjes, emocioneve, mendimeve dhe imagjinatës së tyre. Në këtë drejtim, delegacioni i Selisë së Shenjtë po ndjek me interes krijimin e “Observatorit të Inteligjencë sArtificiale në Arsim”».

Mbrojtja e vendeve të kulturës dhe të besimit në zona lufte

Një pikë tjetër kyçe ka të bëjë me trashëgiminë kulturore, e cila kërcënohet sistematikisht, veçanërisht në situata konflikti gjithnjë e më të shpeshta, "ku çdo rregull dhe konventë ndërkombëtare duket se shkelet sistematikisht. Situata të shumta konflikti, si në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, po çojnë në shkatërrimin e burimeve materiale dhe kulturore, shpesh me rrezikun e humbjes së identitetit dhe të fshirjes së kujtesës kolektive". Kështu lajmëroi Hassan Fartousi, Sekretari i Përgjithshëm i Komisionit Iranian të UNESCO-s, i cili tha se në muajin e fundit të luftës në Iran, 160 vende kulture janë goditur nga sulmet ajrore, disa prej të cilave janë dëmtuar në mënyrë të pariparueshme.

Në veçanti, Selia e Shenjtë, vijoi imz. Campisi, thekson rëndësinë e mbrojtjes së vendeve kulturore fetare, të cilat përfaqësojnë vende të gjalla besimi, kulture dhe jete komunitare. Prandaj, Selia e Shenjtë kërkon zbatimin e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe "detyrimin për të respektuar dhe për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, duke përfshirë vendet e kultit, si shprehje të identitetit të popujve. Respektimi i këtyre normave përbën një përgjegjësi thelbësore, ligjore dhe morale, veçanërisht në zonat e konflikteve të armatosura". Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në UNESCO nuk ka dyshime në këtë pikë: "Mbrojtja e trashëgimisë kulturore nuk është luks por përparësi. Ajo kontribuon në qëndrueshmërinë e popullatave dhe përbën bazën e domosdoshme për çdo proces pajtimi dhe rindërtimi." Prandaj, ajo duhet të ruhet, por edhe të transmetohet për të formuar ndërgjegje që tregojnë respekt, për të qenë të hapura për takime dhe për të marrë përgjegjësi të përbashkëta, duke mbështetur kësisoj kulturën e paqes.

Komunikimi në shërbim të së Vërtetës

Në fund, në fjalën e imzot Campisit nuk munguan edhe disa rekomandime në fushën e komunikimit dhe të informacionit, për të mbështetur dhe për të garantuar lirinë e shprehjes, sigurinë e gazetarëve dhe edukimin mediatik. Edhe një herë, prelati kujtoi fjalët e Leonit XIV kur, duke pritur redaksinë e revistës televizive të RAI-t, TG2 në audiencë, tha: «Gjithmonë, por veçanërisht në rrethanat dramatike të luftës – si këto që po përjetojmë – informacioni duhet të jetë i kujdesshëm të mos shndërrohet në propagandë. Dhe misioni i gazetarëve, në verifikimin e informacionit në mënyrë që të mos bëhen megafon i pushtetit, bëhet edhe më i ngutshëm dhe i brishtë, «thelbësor» do të thoja. Varet nga ju të rrëfeni vuajtjet që lufta u shkakton gjithmonë popujve; të tregoni fytyrën e luftës edhe nëpërmjet syve të viktimave, në mënyrë që të mos e shndërroni atë në një lojë video.»

Është me të vërtetë thelbësore, përfundoi imzot Campisi, që komunikimi të mbetet në shërbim të së vërtetës dhe të së mirës së përbashkët. Kjo gjë sot nënkupton një përgjegjësi më të madhe të përbashkët: luftën kundër keqinformimit, promovimin e përdorimit etik të teknologjisë dhe nxitjen e një kulture takimi, për të kapërcyer polarizimet.

20 prill 2026, 12:04