Publikohen logoja dhe motoja e udhëtimit të Papës në Spanjë
R.SH. / Vatikan
Ngjyrat e ylberit që kornizojnë, të stilizuara në qendër të një rrethi, kullat e Sagrada Familia, mbi të cilat spikat e vogël dhe e ndritshme imazhi i Virgjërës Mari me Foshnjën Jezus. Përreth tyre "figura njerëzore të bashkuara me njëra-tjetrën dhe të orientuara drejt lartësisë", një "rreth i hapur" që dëshiron të nxjerrë në pah ndjenjën e "bashkësisë, takimit dhe mbështetjes reciproke". Këto janë shenjat që karakterizojnë logon e udhëtimit apostolik në Spanjë që Papa Leoni XIV do të kryejë nga data 6 deri më 12 qershor të ardhshëm.
Shenjë uniteti dhe shprese
Rrethi i logos u bë i njohur sot, më 7 prill, nga Zyra e Shtypit e Vatikanit së bashku me moton e vizitës papnore “Alzad la mirada” (Ngrini shikimin tuaj), marrë nga kapitulli i katërt i Ungjillit sipas Gjonit, rreshti 35. Nëse simboli grafik i udhëtimit, siç lexohet në njoftimin zyrtar, nuk shpreh vetëm një “të qëndruar bashkë”, por një ftesë për të “ecur të bashkuar drejt një qëllimi të përbashkët” – dhe Virgjëra Mari në qendër është “zemra e lëvizjes: prani amtare që mirëpret dhe orienton shikimet drejt Hyjit, shenjë uniteti dhe shprese për mbarë popullin” – motoja e shtegtimit të Papës në Spanjë është një ftesë për të ngritur shikimin përtej shqetësimeve të përditshme për të rizbuluar praninë e Zotit dhe për t'u hapur ndaj të tjerëve.
Me zemër të hapur
Në fjalët e Jezusit, të cilat janë pjesë e dialogut me Gruan Samaritane te pusi, gjendet “një ftesë për shpresë dhe meditim, që nxit të mos mbyllemi në vetvete, por të rigjejmë unitetin, bukurinë dhe dashurinë si shenja konkrete të një jete të ndarë bashkë”. Në këtë gjest të “ngritjes së shikimit”, përfundon njoftimi, “shprehet edhe qëndrimi me të cilin Kisha në Spanjë mirëpret vizitën e Atit të Shenjtë Leoni XIV: me zemër të hapur dhe të gatshme për të ecur së bashku”.
Gjatë qëndrimit në Spanjë, Leoni XIV do të vizitojë Madridin, e më pas do të zhvendoset në Barcelonë – 16 vjet pas Benediktit XVI – ku do të përurojë kullën e re dhe më të lartë të Sagrada Familia, Bazilikës monumentale të projektuar dhe pjesërisht të ndërtuar nga Antoni Gaudì, në ditët kur kujtohet 100-vjetori i vdekjes së arkitektit të madh (10 qershor 1926), i shpallur vitin e kaluar Shërbëtor i Hyjit i Nderuar. Në Barcelonë, ndër të tjera, nga data 9 deri më 12 qershor do të zhvillohet takimi i ipeshkvijve të Mesdheut. Nga Katalonja, Papa Leoni XIV do të fluturojë pastaj drejt arkipelagut të Ishujve Kanarie, me ndalesa në Tenerife dhe Gran Canaria.