Kardinali shqiptar Simoni pranë Papës Leoni XIV të Dielën e Pashkëve 2026, 5 prill Kardinali shqiptar Simoni pranë Papës Leoni XIV të Dielën e Pashkëve 2026, 5 prill

Pranë Papës në gëzimin e festës

Në 70-vjetorin e meshtarisë, kardinali Simoni ishte me Papën gjatë bekimit të Pashkëve "Urbi et Orbi".

R.SH. / Vatikan

Po publikojmë, më poshtë, dëshminë e Kardinalit Ernest Simoni i cili, më 5 prill, të dielën e Pashkëve, së bashku me Kardinalin Protodiakon Dominique Mamberti, ishte pranë Leonit XIV gjatë mesazhit dhe bekimit  Urbi et Orbi nga lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit. Meshtar i Kryedioqezës Shkodër-Pult, kardinali Ernest Simono Troshani nëntëdhjetë e tetë vjeçar - i cili kremtoi 70-vjetorin e shugurimit të tij meshtarak më 7 prill - vuajti përndjekje të vazhdueshme në Shqipëri: i arrestuar në prag të Krishtlindjes së vitit 1963, u dënua fillimisht me vdekje, e më pas me punë të detyruar në kanalizimet e Shkodrës. Por shërbesën e tij nuk e braktisi kurrë! Meshën e kremtoi në mënyrë të fshehtë deri në rënien e regjimit komunist.

“Nuk do ta kisha menduar kurrë se do ta kremtoja 70-vjetorin e meshtarisë, datën më të rëndësishme të vitit për mua, me Atin e Shenjtë Leoni XIV, të cilin e falënderoj që më ftoi në ditën më solemne të kalendarit liturgjik: Pashkët e Shenjta të Ngjalljes së Zotit tonë Jezu Krisht, i cili vdiq në Kryq për ne, për shpengimin tonë. Nuk do ta kisha menduar kurrë se do ta festoja këtë përvjetor. Nuk do ta kisha përfytyruar kurrë veten përball armëve drejtuar nga unë, ndërsa ata kërcënonin të më qëllonin. Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë ndërsa isha në burg, duke bërë punë të detyruar në miniera, 700 metra nën tokë në tunele dhe pastaj në kanalizime ku gërmova tunelet dhe ku përfundova burgosjen time. Gjatë asaj vuajtjeje të tmerrshme, çdo ditë për ne të burgosurit dukej si e fundit.

E megjithatë, Kryqi ngadhënjyes i Krishtit fitoi edhe mbi persekutimin, për shkak të urrejtjes kundër fesë; hiri hyjnor ishte gjithçka, e kështu kam arritur në këtë pikë. "Më persekutuan mua, do t'ju persekutojnë edhe ju", na e ka përsëritur gjithmonë Zoti ynë Jezu Krisht. Ia kam përsëritur gjithnjë këto fjalë të bukura vetes, duke marrë prej tyre forcën për të ecur përpara.

Ky është një vit shumë i rëndësishëm, plot kujtime: më 7 prill, festova përvjetorin e meshtarisë sime; pastaj, më 19 nëntorin e ardhshëm, me vullnetin e Zotit, do të kremtoj 10-vjetorin e kardinalatit tim, dhuratë e madhe që Ati i Shenjtë Françesku me kujtim të nderuar dëshiroi të ma dhuronte. Duke kujtuar gjithmonë shumë bashkëvuajtës, që fluturuan në qiell, të vrarë nga urrejtja kundër fesë, krejt të pafajshëm, thjesht sepse ishin ndjekës të flaktë të Jezusit, lajmëtarë të Jezusit. Është e pamundur të mos i kujtosh një nga një: burra e gra që derdhën gjakun për Kishën e Shenjtë, të shporuar ndërsa brohorisnin me zë të lartë, me guxim të madh, para skuadrave të pushkatimit: "Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Shqipëria!".

Meshtaria është e gjithë jeta ime; dhuratë e jashtëzakonshme, në të cilën Zoti më bëri padenjësisht pjesëmarrës. Që në moshën katërvjeçare, e ndjeva fort këtë dëshirë brenda meje: nëna ime, grua e përvuajtur, gjigante në fe, më gjeti në këmbë para një komodine duke imituar famullitarin tim në kremtimin e Meshës Shenjte. Në moshën dhjetëvjeçare, askush nuk mund të më mbante më në shtëpi, ndaj hyra në Kuvendin e Shën Françeskut,  në qytetin tim të lindjes, Shkodër. I zhveshur nga çdo lidhje me botën, e vesha rrobën, duke marrë emrin Vëlla Henriku. Doja të bëhesha  frat i përulur, shërbëtor i heshtur i Kishës së Shenjtë në bindje ndaj eprorëve të mi, në varfërinë e shën Françeskut të Asizit. Vitet më të bukura ishin ato në kuvend, nën hijen e kuvendit me shokët e mi fillestarë, me formues e me eprorë. Fatkeqësisht, dëshira ime nuk u realizua: pas dhjetë vitesh studimesh, me ardhjen e regjimit, Kuvendi Françeskan u mbyll. Formuesit e mi të mëdhenj, eprorët e mi, u mbytën barbarisht, pa asnjë faj, të akuzuar si "armiq të betuar të popullit". Parrudha e diktatorit ishte: "Nuk do të fitojmë kurrë nëse nuk e zhdukim klerin katolik”.

Falë Zotit, pas shumë fatkeqësish dhe vuajtjesh, duke vazhduar studimet e mia në fshehtësi, më 7 prill 1956, arrita të bëhem prift në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, plot me njerëz që luteshin tek këmbët e Jezusit. U shugurova me një vëlla tjetër: me Kryeipeshkvin e atëhershëm të Shkodrës, Imzot Ernest Çobës, më vonë edhe ai viktimë e pafajshme e persekutimit nga urrejtja kundër fesë.

Që nga ajo ditë, më e rëndësishmja e gjithë jetës sime, kam ushtruar gjithmonë shërbesën meshtarake: edhe në burg, i pakënaqur, i dëshpëruar e duke rrezikuar jetën time, i ngushëlloja shokët e qelisë me fjalët e Zotit. Në fshehtësi, arrita ta kremtoja Meshën Shenjte përmendësh në latinisht, duke përzierë  miell me ujë, të cilin e gatuaja në një sobë të improvizuar,  e duke e shndërruar në hoste. Këto hoste, të shenjtëruara nga unë nëpërmjet pushtetit që më dha Kisha me shugurimin tim meshtarak, u bënë Korpi i Krishtit. Disa pika vere, të sjella nga gruaja e një intelektuali të madh mysliman, u shndërruan, pas shenjtërimit, në Gjakun e Krishtit.  Zoti më vizitoi edhe në burg, më mbrojti, mbasi nëse do të më kishin gjetur, do të më kishin vrarë menjëherë, do të më kishin varur në qendër të kampit të punës.

I liruar në vitin 1991, pasi u rihapën kishat, gjithmonë i kam shërbyer Kishës Shenjte, popullit shqiptar, në vend e jashtë vendit, duke shkuar shtëpi më shtëpi, rrugë më rrugë, duke i shërbyer popullit të Zotit për shpëtimin e shpirtrave e duke shpallur Lajmin e Mirë të shëlbimit.

(nga L’OSSERVATORE ROMANO, faqja IV, e enjte, 9 prill 2026)

10 prill 2026, 11:52