Kërko

2026.04.11 Lutja e Rruzares së Shenjtë nga Papa për të kërkuar dhuratën e paqes 2026.04.11 Lutja e Rruzares së Shenjtë nga Papa për të kërkuar dhuratën e paqes
Editorial

Papët dhe luftërat në epokën bashkëkohore

Përballë fuqisë shkatërruese të armëve moderne, është shumë e vështirë të flasësh, siç bëhej në shekujt e kaluar, për mundësinë e një "lufte të drejtë". Që në vitin 1963, Gjoni XXIII, në Pacem in Terris, shkroi se në epokën atomike, është pothuajse e pamundur të mendosh për luftën si një instrument drejtësie. Leoni XIV ndjek këtë rrugë, duke e bërë paqen një nga temat qendrore të papnisë së tij.

R.SH. / Vatikan

Andrea Tornielli

Ndërsa kthehemi tek tema e "luftës së drejtë", ia vlen të kujtojmë mësimet e paqes  të Papëve që pasuan njëri tjetrin në Katedrën e Pjetrit gjatë njëqind viteve të fundit. Një mësim që gradualisht u pasurua dhe u thellua, duke arritur në pikën e përcaktimit të mundësisë së një "lufte të drejtë" si gjithnjë, edhe më të vështirë. Konsideratat e teologjisë së shekujve të kaluar dhe justifikimet e mundshme për luftën, nuk e kanë parasysh se kur teologët e së kaluarës shkruan për këto tema, luftërat u zhvilluan me shpata e shkopinj, jo me eksplozivë vdekjeprurës dhe dronë të drejtuar nga makina, fakt që bën pyetje morale me intensitet dramatik. Gjithnjë e më shumë fitoi pjekurinë në rritje ndërgjegjësia se lufta nuk është rrugë për t’u ndjekur!

Nga letra drejtuar palëve ndërluftuese e Benediktit XV në vitin 1917, që e quan luftën e parë botërore "masakër të padobishme", e deri te përpjekjet e Piut XII për të shmangur shpërthimin e Luftës II Botërore; nga fjalët e Gjonit XXIII në "Pacem in Terris", i cili që në vitin 1963 shkroi se "është pothuajse e pamundur të përfytyrohet që në epokën atomike lufta mund të përdoret si mjet drejtësie", tek thirrja e Palit VI në OKB "kurrë më luftë", te përpjekjet e padëgjuara të Gjon Palit II për të shmangur konfliktet katastrofike në Lindjen e Mesme - Pasardhësit e Pjetrit nuk ngurruan të ngrenë zërin e frymëzuar  nga profecia dhe realizmi, për fat të keq, shpesh herë të padëgjuar.

Teksti i referencës është, para së gjithash, Katekizmi i Kishës katolike, i cili parashikon të drejtën për mbrojtje legjitime, por që cakton edhe "kushte të rrepta" për luftën mbrojtëse: "Duhet njëkohësisht: që dëmi i shkaktuar nga agresori ndaj kombit ose bashkësisë së kombeve të jetë i qëndrueshëm, i rëndë dhe i sigurt; që të gjitha mjetet e tjera për ta eliminuar atë të kenë rezultuar të pazbatueshme ose joefektive; që të ketë kushte të bazuara mirë për sukses dhe që përdorimi i armëve të mos shkaktojë të këqija dhe çrregullime më të rënda, se e keqja që duhet zhdukur. Në vlerësimin e këtij kushti, fuqia e mjeteve moderne të shkatërrimit luan rol shumë të rëndësishëm". Kush mund ta mohojë se njerëzimi sot qëndron në prag të humnerës pikërisht për shkak të shkallëzimit të konfliktit dhe fuqisë së "mjeteve moderne të shkatërrimit"?

"Jo"-ja ndaj luftës u përsërit me forcë gjithnjë e më të madhe gjatë papnisë të Papës Françesku i cili, në enciklikën "Fratelli tutti” (“Vëllezër të gjithë”) shkroi: "Është e lehtë të zgjedhësh luftën duke përdorur të gjitha llojet e justifikimeve, në dukje humanitare, mbrojtëse ose parandaluese, madje duke iu drejtuar manipulimit të informacionit. Në të vërtetë, në dekadat e fundit, të gjitha luftërat pretenduan se kanë një 'justifikim' (...) Çështja është se, duke filluar me zhvillimin e armëve bërthamore, kimike dhe biologjike, dhe mundësitë e mëdha e në rritje të ofruara nga teknologjitë e reja, luftës i është dhënë një fuqi shkatërruese e pakontrollueshme, duke prekur shumë civilë të pafajshëm. Në të vërtetë, 'njerëzimi nuk ka pasur kurrë kaq shumë pushtet mbi veten dhe asgjë nuk garanton se do ta përdorë atë mirë'. Prandaj, nuk mund ta mendojmë më luftën si zgjidhje, duke pasur parasysh se rreziqet ka të ngjarë të jenë gjithmonë më të mëdha se dobia hipotetike, që i atribuohet. Përballë këtij realiteti, sot është shumë e vështirë të mbështeten kriteret racionale të zhvilluara në shekuj të tjerë, që të flitet për një 'luftë të drejtë' të mundshme. Kurrë më luftë!"

Pasardhësi i tij, Leoni XIV, e ka paqen një nga temat qendrore të papnisë së tij: përballë marrëzisë së shkallëzimit të luftës dhe shpenzimeve të mëdha për riarmatim, ndoqi me realizëm e profeci të barabartë rrugën e hapur tashmë nga paraardhësit e tij, duke bërë thirrje për paqe, dialog dhe bisedime. Masakrat e civilëve, të kryera vitet e fundit, tronditën ndërgjegjen e miliarda njerëzve në mbarë botën, të cilët i drejtohen Ipeshkvit të Romës. Papa Leoni, ashtu si Jezusi në Gjetseman, na nxit me forcë të vihen shpatat në mill: "Kudo dëgjohen kërcënime në vend të thirrjeve për dëgjim e takim", theksoi gjatë Lutjes për paqe mbajtur të shtunën, më 11 prill. Duke shpjeguar se "ata që luten janë të vetëdijshëm për kufizimet e tyre; ata nuk vrasin dhe as nuk kërcënojnë me vdekje. Në vend të kësaj, ata që i kanë kthyer shpinën Zotit të gjallë janë skllevër të vdekjes, për ta bërë veten dhe fuqinë e tyre idhull të heshtur, të verbër e të shurdhër, për të flijuar çdo vlerë dhe për të kërkuar që e gjithë bota t’i gjunjëzohet. Mjaft me idhujtarinë e vetvetes e të parave! Mjaft, me shfaqjen e forcës! Mjaft me luftën!  Forca e vërtetë zbulohet duke i shërbyer jetës".

15 prill 2026, 13:13