"Jemi me ty!", dhurata për Papën, nga të vegjlit e Bambino Gesù
R.SH. / Vatikan
Një Papë "kryekantier", me çantën e tij plot me Ungjillin, ndërsa udhëheq një ekip fëmijësh të moshave dhe pamjeve të ndryshme të cilët, tullë pas tulle, mbi shkallë, duke u ngjitur, ose mbi supet e njëri-tjetrit, ndërtojnë një mur. Muri i vetëm i nevojshëm sot: ai i "paqes!".
Është mesazh i fuqishëm, mes vijave të thjeshta dhe ngjyrave të ndritshme, dhurata që fëmijët e shtruar në Spitalin e Fëmijëve Bambino Gesù, në Romë, i bënë Papës Leoni XIV me rastin e shtegtimit të tij apostolik në Afrikë. Është një vizatim me të cilin pacientët e vegjël dëshirojnë të premtojnë se do ta mbështesin Papën në shtegtimin e tij të paqes e të pajtimit në Algjeri, Kamerun, Angolë dhe Guinenë Ekuatoriale.
Në duart e Papës Leoni
Vepra artistike shumëngjyrëshe mbërriti në duart e Papës Leoni me rastin e nisjes së fluturimit nga Roma - në Algjer, gjatë përshëndetjeve tradicionale nga gazetarët në bord. Ajo u paraqit nga gazetarja Claudia Torres, korrespondente për median e Vatikanit, e cila shpjegoi rëndësinë e kësaj dhurate për Papën. Leoni e priti dhuratën me një "faleminderit" e një buzëqeshje, duke e kuptuar rëndësinë simbolike të atyre vijave të pastra dhe të figurave të papërsosura të vizatuara nga duart e vogla nga e gjithë bota, duke përfshirë edhe vendet e dëmtuara nga konflikti, si Ukraina dhe Gaza.
Mirëpritja e Bambino Gesù
Puna e jashtëzakonshme e kryer në këto kohë lufte nga Bambino Gesù është e njohur. Që nga bombardimi i parë rus i Kievit, ka mirëpritur në dhomat e tij mbi 2,000 pacientë ukrainas. 30 pacientë të tjerë nga Rripi i Gazës u shtruan në reparte të ndryshme vitet e fundit, disa prej të cilëve kërkojnë mjekime shumë të ndërlikuara.
Puna në Sallën e Lojërave: ndërmjet shkëmbimit e kohës së lirë
Vizatimi për Papën u krijua në Sallën e Lojërave të Bambino Gesù, qendër takimi dhe shkëmbimi, ku takohen çdo ditë të vegjël e të mëdhenj, e edhe adoleshentë që i nënshtrohen trajtimit, e prindër që shoqërojnë fëmijët e tyre. Aty gjinden të krishterë të feve të ndryshme, myslimanë dhe anëtarë të feve të tjera. Në sallën e lojërave luhet, bisedohet, argëtohet, madje duke përfshirë edhe vëllezërit e motrat e pacientëve, falë ndihmës së edukatorëve profesionistë që i angazhojnë pacientët e tyre në projekte dhe programe të përqendruara në temat e paqes, takimit dhe shpresës. Ideja është se, në një epokë të sulmuar nga urrejtja e nga dhuna, siç e ka denoncuar gjithmonë Leoni XIV, është e rëndësishme të ngjallet në brezat e rinj - në këtë rast, shumë të rinj - dëshira për të qenë "ndërtues të paqes". E fëmijët e Bambino Gesù, besojnë vërtet se është e mundur të mposhtet errësira e urrejtjes, e dëshmia e tyre bëhet edhe më e fortë se brishtësia, e cila nuk i pengon të jenë protagonistë.
"Jemi me ty!"
"Ne, ndërtuesit e paqes, jemi me Ty, Papa Leoni!" - shkruajnë në vizatimin për Papën. E bashkëngjisin vizatime të tjera e mesazhe të tjera, si ai që u drejtohet atyre, por edhe të rriturve “për të mos u grindur".
Ndërsa Matilda shkruan disa mendime në formën e poezisë:
"Shpresa, dritë delikate
në errësirën, që peshon;
e diell i padukshëm
që dhimbjen e përvlon;
janë lotët që çelin në heshtje;
është qiell që pret e don
është rrahja e butë e zemrës
së një bote që beson"!