Papa në Afrikë. Kard. Parolin: katolikët të jenë protagonistë të ndryshimit
R.SH. - Vatikan
Algjeria, Kameruni, Angola dhe Guinea Ekuatoriale presin Leonin XIV, që do të jetë në Afrikë nga 13 deri më 23 prill. Gjatë pjesës së parë të shtegtimit, Ati i Shenjtë do të vizitojë Annabën, qytet i lashtë i Iponës. Nuk është "gjest thjesht përkujtimor", thekson Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, "por akt identiteti të thellë dhe, mbi të gjitha, koherencë shpirtërore". Përgatitjet janë në përfundim e sipër në të katër vendet, ndërsa pritja më e dëshiruar është për fjalët e Papës. Siç vuri në dukje Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, në takimin me gazetarët për të paraqitur udhëtimin e tretë apostolik, Ati i Shenjtë do të përqendrohet, ndër të tjera, në temat e paqes, dialogut, kujdesit për krijimin, migrimin dhe familjen. Lidhur me logjikën grabitqare që shpesh e prek kontinentin afrikan, duke thelluar varfërinë, korrupsionin dhe dhunën, Kardinali Parolin shpreson që katolikët të jenë ndërtues të drejtësisë, të paqes e solidaritetit.
Kardinali Parolin, Ati i Shenjtë do të jetë në Afrikë nga 13 deri më 23 prill, duke përforcuar në fe bashkësitë katolike. Do të vizitojë katër vende me një axhendë shumë të ngjeshur, duke përfshirë takime institucionale, takime me komunitetet lokale dhe kremtime. Cili është filli i përbashkët që e bashkon një itinerar kaq të larmishëm?
Filli i përbashkët i këtij Shtegtimi Apostolik është në zgjedhjen e Atit të Shenjtë për të sjellë praninë e Kishës, aty ku vuajtja njerëzore është më e mprehtë. Katër vende të ndryshme në historinë, kontekstin shoqëror dhe sfidat e tyre politike, por të bashkuara nga një realitet themelor i shënuar nga dritëhija: bashkësi katolike të gjalla dhe të rrënjosura thellë, por edhe varfëri, brishtësi, pabarazi dhe tensione të pazgjidhura. Papa Leoni XIV shtegton në Afrikë për të qenë pranë atyre që jetojnë në periferitë ekzistenciale.
Vendi i parë është Algjeria. Leoni XIV do të vizitojë edhe Xhaminë e Madhe në Algjer dhe do të kremtojë Meshën e Shenjtë në Anaba, qyteti i lashtë i Iponës. Çfarë rëndësie ka ky kthim në vendet e Shenjtit të Iponës për një Papë që është bir i Shën Augustinit - e sa mund të ndikojë kjo në dialogun myslimano-kristian, në një vend me shumicë myslimane?
Si bir në shpirt i Shën Augustinit dhe Papa i parë që i përket Urdhrit Augustinian, udhëtimi në Anaba nuk është thjesht gjest përkujtimor, por akt identiteti të thellë dhe, mbi të gjitha, koherence shpirtërore. Papa Leoni e njeh mirë këtë tokë dhe e ka vizituar disa herë si Epror i Përgjithshëm i Urdhrit. Në këtë kontekst, Shën Augustini përfaqëson një element dialogu: përbën një pikë natyrale takimi ndërmjet traditës së krishterë dhe botës islame. Vizita në Xhaminë e Madhe të Algjerit i përshtatet në mënyrë të përkryer kësaj perspektive, parë si vazhdim i natyrshëm i rrugës së dialogut ndërfetar që tashmë ka filluar në Turqi e në Liban; një dialog që Ati i Shenjtë synon ta ndjekë me durim e vendosmëri.
Në Kamerun, Ati i Shenjtë do të vizitojë tre qytete: Yaoundé, Bamenda dhe Douala, me çaste të rëndësishme, si takimi i paqes në Bamenda dhe vizita në një jetimore. Në dritën e tensioneve ndër disa rajone të vendit, çfarë roli mund të luajë kjo vizitë në arritjen e pajtimit e të paqes ndërmjet bashkësive?
Ka disa vite që një krizë ka shpërthyer në rajonet anglishtfolëse të Kamerunit, duke shkaktuar shumë viktima. Banorët e Bamendës po e përjetojnë atë. Prandaj, në kontekstin e keqësimit të situatës së sigurisë dhe të asaj humanitare, vizita e Pasardhësit të Pjetrit tregon vëmendjen dhe kujdesin që Bariu universal i Kishës ka për grigjën e tij, duke u përpjekur të kuptojë vështirësitë e saj nga afër dhe duke ecur përkrah saj. Ndalesa e tij në Bamenda është ajo e një Bariu, që identifikohet me grigjën e tij. Në përgjithësi, Ati i Shenjtë vjen në vend si bartës shprese e, veçanërisht për të rinjtë, si bartës pajtimi e paqeje. Mesazhi i tij është ftesë për dialog dhe respekt të ndërsjellë.
Ndalesa e tretë është Angola, ku Papa do të vizitojë, përveç kryeqytetit, Luandës, edhe vende simbolike si Muxima dhe Saurimo, duke u takuar me komunitete kishtare e realitete lokale. Çfarë mesazhi synon t'i sjellë Ati i Shenjtë një vendi që ka pasuri të shumta, por edhe pabarazi të rënda sociale?
Tre vendet që Ati i Shenjtë do t’i vizitojë në Angolë, në një farë mënyre, simbolizojnë sfidat dhe shpresat me të cilat po përballet aktualisht vendi. Luanda dhe Saurimo përfaqësojnë pasuritë e kësaj toke e nëntoke. Kryeqyteti tani është oaz prosperiteti, duke tërhequr investime të huaja dhe emigracion nga zonat rurale. Saurimo është qendër e njohur për veprimtaritë minerare, veçanërisht diamantet. Ndërsa shfrytëzimi i burimeve natyrore ka sjellë begati, disa nga pasojat e tij negative nuk mund të anashkalohen, siç janë shfrytëzimi i punëtorëve, keqësimi i hendekut socioekonomik dhe ndikimi mjedisor. Së fundmi, vizita në shenjtëroren mariane të Muximës përfaqëson vitalitetin e fesë, që e ka ndihmuar popullin angolez të kapërcejë ngjarjet e ndryshme të trishtueshme të historisë. Do të doja të shtoja se edhe unë e jetova gjallërinë e Kishës vendase, kur shkova për shugurimin ipeshkvnor të Imzot Germano Penemote, Nunci i parë Apostolik me origjinë nga Angola.
Vendi i fundit do të jetë Guinea Ekuatoriale, duke përfunduar udhëtimin nëpër Malabo, Mongomo dhe Bata e duke u takuar me të rinj, familje, botën e kulturës e madje edhe me të burgosur. Çfarë rëndësie ka kjo vëmendje e veçantë ndaj të rinjve dhe familjeve, në një vend ku Kisha ka prani të thellë në shoqëri?
Guinea Ekuatoriale është ndër vendet më katolike të Afrikës, me 80% të popullsisë të fesë katolike. Duke ndjekur gjurmët e Shën Gjon Palit II, i cili vizitoi vendin në vitin 1982, kjo vizitë na kujton 170-vjetorin e fillimit të ungjillëzimit të vendit (1855-2025), me moton "Krishti, drita e Guinesë Ekuatoriale, drejt një të ardhmeje shprese". Me këtë Shtegtim Apostolik, populli i Guinesë Ekuatoriale kujton të kaluarën, me besim në një udhëtim feje e shprese drejt së ardhmes. Vizita e Papës dhe takimet e tij, veçanërisht me të rinjtë dhe familjet, rindezin flakën e fesë së tyre, duke i inkurajuar t’i kultivojnë vlerat e krishtera dhe të këmbëngulin në to. Është ftesë e dashur dhe atërore për pajtim, drejtësi dhe këmbëngulje në fe, si dhe shpresë për ndikim pozitiv në shoqëri.
Shkëlqesia Juaj, sa i rëndësishëm është ky shtegtim në Afrikë, edhe në nivel diplomatik?
Çdo Udhëtim Apostolik ka rëndësinë e vet diplomatike, sepse përfaqëson mundësi për të konsoliduar marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe vendeve të vizituara nga Papa. Kjo i jep Atit të Shenjtë mundësinë të takohet me autoritetet dhe të diskutojë çështje me interes të përbashkët, kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar. Në Afrikë, kjo ka rëndësi të veçantë, pasi kontinenti karakterizohet nga një potencial i madh, por edhe nga sfida të mëdha. Siç dihet mirë, diplomacia papnore ka objektiva të qarta: mbrojtja e lirive themelore, veçanërisht liria fetare, promovimi i paqes, nxitja e dialogut, përfshirë dialogun ndërfetar, mbrojtja e dinjitetit të çdo personi njerëzor dhe inkurajimi i zhvillimit integral të popullatave. Nga kjo perspektivë, çdo fazë e Udhëtimit të ardhshëm Apostolik, i cili përfshin Magrebin dhe Afrikën Sub-Sahariane, bëhet mundësi për të riafirmuar angazhimin e Kishës, së bashku me institucionet civile dhe fetare, për bashkëjetesë paqësore ndërmjet besimeve dhe grupeve të ndryshme etnike, për drejtësi sociale, për luftën kundër varfërisë dhe për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Në fund të fundit, për të mbështetur një Afrikë më të drejtë, më paqësore dhe më solidare.
Afrika shpesh vuan nga logjika grabitqare dhe po aq shpesh, edhe nga varfëria, korrupsioni e dhuna. Si mund të thyhen këto spirale dhe sa i rëndësishëm është roli i katolikëve në këto procese?
Afrika është kontinent i pasur me burime njerëzore, kulturore dhe natyrore, por shumë shpesh i nënshtrohet dinamikave që e pengojnë zhvillimin e saj: varfëria, korrupsioni, dhuna dhe logjika e shfrytëzimit që vjen nga jashtë dhe varfëron popullatat tashmë delikate. Thyerja e këtyre mekanizmave kërkon angazhim dhe këmbëngulje. Kisha Katolike është e pranishme në Afrikë përmes shkollave, spitaleve, qendrave të pritjes dhe veprave bamirëse, të cilat shpesh përbëjnë përgjigje konkrete ndaj nevojave themelore të njerëzve. Por përgjigjja e Kishës nuk kufizohet vetëm në punën bamirëse: përfshin formimin e ndërgjegjes dhe edukimin e të rinjve në vlerat e dinjitetit, drejtësisë dhe solidaritetit. Këtu besimtarët katolikë janë të thirrur të luajnë rol vendimtar, jo si përfitues të thjeshtë të një mesazhi, por si protagonistë aktivë të ndryshimit në jetën e tyre, në komunitete të ndryshme e edhe ndër institucionet.
Cilat janë urimet tuaja për këtë vizitë apostolike, në një tokë që edhe ju e doni shumë?
Urimi im është që ky Shtegtim Apostolik të lërë një gjurmë të thellë në tri përmasa të lidhura ngushtë: paqja, dialogu dhe zhvillimi i Kishës vendase. Paqja, para së gjithash, në vendet që ende i kanë të hapura plagët e konfliktit dhe të përçarjes, e ku prania e Atit Shenjt mund të nxisë ndjenjën e pajtimi. Dialogu, pastaj, ku takimet me autoritetet civile dhe përfaqësuesit e traditave të tjera fetare mund të krijojnë hapësira të reja për mirëkuptim të ndërsjellë. Së fundmi, rritja e Kishave lokale, shpesh të vogla, ndonjëherë të izoluara, por gjithnjë bujare. Afrika është kontinent i ri, i pasur me fe e vitalitet, ndërsa vizita e Atit të Shenjtë është akt besimi në të ardhmen e tij - një e ardhme që Kisha synon të vazhdojë ta shoqërojë me përkushtim e shpresë.