Observatori i Vatikanit njofton se ka emërtuar një asteroid me emrin e Papa Leonit XIII
R.SH. / Vatikan
Observatori i Vatikanit «La Specola Vaticana» njofton se katër asteroidë janë emërtuar sipas figurave të rëndësishme në historinë e observatorit, përfshirë këtu edhe Papën Leoni XIII, i cili e rithemeloi observatorin në vitin 1891. Të katër asteroidët u zbuluan nga astronomi lituanez Kazimieras Černis dhe astronomi i Observatorit të Vatikanit, jezuiti Atë Richard Boyle. Këta janë: "(858334) Gioacchinopecci", "(836955) Lais", (836275) Pietromaffi" dhe "(688696) Bertiau".
Ndër këta, "(858334) Gioacchinopecci" u emërtua kohët e fundit si peng nderimi kundrejt Papa Leonit XIII (1810-1903). Emri shekullar i këtij pape qe Gioacchino Vincenzo Raffaele Luigi Pecci. Ky papë e rithemeloi observatorin e Vatikanit pas humbjes së territoreve papnore dhe strukturave të rëndësishme astronomike që gjendeshin aty.
Ka edhe asteroide të tjera të emërtuara sipas papëve, si përshembull: "(560974) Ugoboncompagni" që nderon Papa Gregorin XII për punën e tij në reformën e kalendarit; Papa Benedikti XVI ka asteroidin me emërtimin "(8661) Ratzinger", një emër i caktuar nga astronomi Lutz Schmadel në 2000.
Procesi i emërtimit të asteroideve mbarështohet nga «Grupi i Punës për Nomenklaturën e Trupave të Vegjël të Bashkimit Ndërkombëtar Astronomik».
Asteroidët marrin një emërtim të përkohshëm pas zbulimit, sipas datës së vëzhgimit. Kur orbita e një asteroidi përcaktohet me saktësi të mjaftueshme dhe trajektorja e tij e ardhshme mund të parashikohet me besueshmëri, atij i caktohet një numër i përhershëm. Aktualisht, afërsisht 850,000 nga afërsisht 1.3 milion asteroide të njohura kanë marrë një numër të përhershëm.
Kështu asteroidi "(836955) Lais" është emëruar sipas Giuseppe Lais (1845-1921), një meshtar dhe astronom italian i cili ishte zëvendësdrejtor i këtij observatori për tridhjetë vjet.
Po ashtu, "(836275) Pietromaffi" nderon kardinalin Pietro Maffi (1858-1931), kryeipeshkvin e Pizës, i cili qe kryetar i observatorit nga viti 1904 deri në vdekjen e tij në vitin 1931. Në mbyllje mund të përmendim edhe asteroidin "(688696) Bertiau" që është emërtuar sipas Florent Constant Bertiau (1919-1995), një astronom jezuit belg.