Kërko

Nunci në Liban: sulme të papara në Bejrut. Vendi meriton paqe, lufta është vdekje

Kryeipeshkvi imzot Paolo Borgia, duke u kthyer nga një mision në jug me Patriarkun Maronit Raï, përshkruan situatën në kryeqytet, ku bastisjet izraelite shkaktuan vdekje dhe shkatërrim brenda dhjetë minutash: "Sulme me të njëjtin intensitet priten për 48 orë". Lidhur me përjashtimin e Libanit nga armëpushimi: "Një armëpushim këtu dhe fillimi i negociatave janë shumë të dëshirueshme. Një armëpushim do të rihapte derën e diplomacisë". Fjalët e Papës u "vlerësuan" edhe nga jo-të krishterët.

R.SH. – Vatikan

"Nuk ka pasur kurrë një sulm si ky. Ata thonë se ka pasur dhjetë sulme pothuajse të njëkohshme brenda dhjetë minutash... Është përdorur një numër i madh avionësh luftarakë izraelitë. Shtypi po flet për pesëdhjetë, por kjo mbetet për t'u verifikuar. Numri i të vdekurve? Deri më tani, Kryqi i Kuq ka numëruar gati 87 vdekje dhe 722 të plagosur. Numri do të duhet të përditësohet sepse shumë ndoshta janë varrosur nën rrënoja".

Zëri i Nuncit Apostolike në Libani, Kryeipeshkvit imzot Paolo Borgia në telefon është i tendosur. Për më shumë se dhjetë orë, nunci apostolik në Liban ka qenë në një mision në pjesët juglindore të vendit me Patriarkun Maronit Bechara Boutros Raï, duke sjellë ndihmë dhe mbështetje për njerëzit, jo vetëm për të krishterët. Megjithatë, Nunci Apostolik në Liban u tha mediave të Vatikanit se "nuk është aspak i lodhur", të paktën jo shpirtërisht: "Ne duhet ta mbajmë gjallë shpresën për ta sjellë atë tek të tjerët". Skenat që po zhvillohen këto orë në Bejrut, megjithatë, ku fotot dhe videot e ndërtesave të shkatërruara, reve të zeza që ngrihen nga shtëpitë dhe gurëve që fluturojnë mbi civilë po qarkullojnë në mediat sociale, do të vinin në provë guximin e kujtdo.

Shkëlqesi, çfarë po ndodh në Bejrut?

Gjatë gjithë ditës kemi dëgjuar predha mortajesh. Qyteti është mjaft i ngarkuar, ka trafik të madh, dhe në qendër dëgjohen sirenat dhe ambulancat. Bejruti është në kaos dhe ende po vazhdojnë sulmet ajrore të Izraelit, përleshjet mes Hezbollahut dhe Izraelit. Sipas mediave izraelite, sulmet priten të vazhdojnë me këtë intensitet për 48 orë. Duhet të shihet se si do të evoluojë situata.

Dhe kjo ndodh pas një njoftimi të kryeministrit izraelit Netanyahu, i cili mbështeti armëpushimin e dy javëve të Shteteve të Bashkuara me Iranin, duke përjashtuar Libanin…

E kuptoj që janë dy situata të ndryshme, megjithatë të lidhura. Nga njëra anë, Irani është i lidhur me Hezbollahun, por nga ana tjetër Hezbollah është një problem më vete për Izraelin. Megjithatë, është shumë e dëshirueshme që të kishte një armëpushim dhe të fillonin bisedimet për stabilizimin e Libanit në raport me Izraelin. Lufta është e dhimbshme dhe vetëm sa rritë ndasitë, duke sjellë vdekje dhe shkatërrim. Izraeli dëshiron çarmatosjen e Hezbollahut dhe kjo nuk është arritur ende. Një armëpushim do të hapte mundësinë për diplomaci. Po ashtu, autoritetet libaneze, veçanërisht presidenti i Republikës, kanë kërkuar dhe shpresuar për biseda direkte me Izraelin për të gjetur një zgjidhje për luftën e vazhdueshme. Besoj se rruga e duhura është ajo që Papa Leoni XIV theksoi në lutjen e Engjëllit të Zotit më 15 mars, duke u thënë se duhet të ndërmerren “rrugë dialogu për të mbështetur autoritetet e vendit në realizimin e zgjidhjeve afatgjata për krizën e rëndë, për mirëqenien e të gjithë libanezëve.”

Sipas jush, cila mund të jetë zgjidhja për vendin?

Zgjidhja mbetet të vazhdojmë punën për paqe dhe të gjejmë zgjidhje, edhe kur ato duken të paarritshme. Lufta po sjell shkatërrim, vdekje, shumë të pastrehë dhe situata të dhimbshme. Prandaj, të gjithë duhet të kuptojnë se ky nuk është rruga e duhur dhe duhet të ndjekim një rrugë tjetër dhe të gjejmë pozita të përbashkëta dhe arsyeshme.

A mund të thuhet se Libani po kalon "orën më të errët"?

Libani ka përjetuar kaq shumë luftëra sa nuk dihet nëse kjo është ora më e errët. Çdo orë është e vështirë dhe prek njerëz dhe rrethana të ndryshme. Çdo luftë ka specifikat e veta dhe shkakton po aq dhimbje dhe shkatërrim. Nuk mund të thuhet se kjo është ora më e errët, pasi Libani ka mbi 50 vjet që po përjeton luftë.

Si është gjendja e popullit?

Ka shumë vuajtje në zonën e Bejrutit me të pastrehët, sidomos shiitët, që po kalojnë një situatë shumë të vështirë. Edhe shumë të krishterë janë larguar nga Bejruti ose nga jugu i Libanit. E gjithë kjo është e vështirë, sepse ata lënë gjithçka pas dhe ka një problem të madh ekonomik, pasi aktivitetet ndërpriten kur braktisen fshatrat. Ata që janë të mbetur në fshatra kanë një lidhje të fortë me tokën dhe rajonin e tyre, çka i bën të qëndrojnë dhe të rezistojnë. Megjithatë, ka shumë pasiguri dhe ndjenjë të vetmisë, sepse janë të izoluar dhe nuk mund të lëvizin. Për këtë arsye, ne po shkojmë dhe i vizitojmë për t’u treguar praninë e Kishës dhe të Papës, si dhe për të ndihmuar ata që po kalojnë këtë dramë.

Papa ka dërguar një mesazh për Pashkët për të krishterët në Debel, duke i inkurajuar ata të shohin Ringjalljen si burim shprese dhe të mos humbasin guximin. Si e shohin ata këtë thirrje të Papa Leoni XIV?

Për të krishterët, këto fjalë janë shumë të rëndësishme dhe autentike: tani kemi nevojë të shohim Ringjalljen. Libanezët janë shumë besimtarë, prandaj i jetojnë Pashkët si një moment të rëndësishëm të besimit. Ata e shohin këtë si një mundësi për t’i mbajtur gjithmonë sytë nga Ringjallja dhe nga Zoti që shpëton dhe premton një jetë të re. Edhe jo të krishterët i vlerësojnë shumë mesazhet e Papës, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me paqen dhe interesimin e tij për situatën e luftës.

09 prill 2026, 12:14