Kërko

Familja Familja

Një dokument i Vatikanit për "ekologjinë integrale të jetesës në familje"

Dikasteret i Vatikanit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor dhe për Laikët, familjen e jetën, publikojnë një tekst të përbashkët për të ndihmuar në "transmetimin e kujdesit në familje, për krijimin dhe jetën njerëzore”.

R.SH. / Vatikan

"Ekologjia Integrale në Jetën Familjare" është titulli i dokumentit prodhuar bashkërisht nga Dikasteret e Selisë së Shenjtë për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor (Dssui) dhe për Laikët, Familjen e Jetën (Dlfv) si dhe për të "transmetuar, kështu, kujdesin për krijimin dhe jetën njerëzore brenda familjes". Një deklaratë njoftoi se teologë, këshilltarë dhe çifte të martuarish u përfshinë në hartimin e tekstit, të konceptuar për t'iu përgjigjur thirrjeve të Papëve Françesku dhe Leoni XIV, për ta dëgjuar britmën e të varfërve dhe të tokës dhe për të ofruar një përgjigje konkrete, duke vënë në praktikë mësimet e këshillës apostolike pas-sinodale Amoris Laetitia dhe enciklikës Laudato si'.

Tokë pjellore për shoqërinë

"Vlerat që marrin formë dhe rriten në familje, përbëjnë tokën pjellore nga e cila buron jeta e shoqërisë. Prandaj, familjet janë themelore për zhvillimin dhe transmetimin e vlerës së kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët dhe për çdo person", shkruajnë Kardinalët Michael Czerny dhe Kevin Farrell, prefektë të dy Dikastereve, në hyrjen e tyre. "Të shumta familjet, vazhdojnë dy kardinalët, që e jetojnë tashmë këtë thirrje me zemrën e hapur dhe me shpresën, që është Krishti Jezus. Në familje, ne mësojmë dhurimin e vetvetes, durimin dhe përkushtimin, pranimin dhe mbrojtjen e jetës, në mënyrë që ajo të lulëzojë dhe të zhvillohet plotësisht; si dhe përkryerjen e reciprocitetin, shkëmbimin ndërgjeneracional dhe solidaritetin me familjet e tjera, së bashku me transmetimin e njohurive dhe traditave".

Njohuri dhe reflektime

Dokumenti ofron njohuri të dobishme për familjet, grupet kishtare dhe lexuesit individualë, për t'u përballur me sfidat aktuale mjedisore dhe për të nxitur zhvillimin integral të çdo personi. Pjesa e parë mbledh koncepte themelore bazuar në shkrimet më të rëndësishme të Papës Françesku; e dyta përmban kapituj tematikë, që pasqyrojnë shtatë objektiva të nxjerra nga Laudato Si': dëgjimi i britmës së tokës, të varfërve dhe të ligështve; mbi nxitjen e një ekonomie ekologjike; miratimi i stileve të jetesës ad hoc, apo të përshtatshme; ekologjia dhe edukimi integral; përshpirtëria ekologjike nga një perspektivë familjare dhe nga familjet që marrin pjesë në jetën komunitare.

Në dispozicion falas

Çdo kapitull zhvillon shpjegime, implikime, pyetje dhe veprime konkrete. "Ekologjia integrale në jetën e familjes" është në dispozicion falas në pesë gjuhë, në faqet zyrtare të internetit të dy Dikastereve.

29 prill 2026, 17:25