Rrënojat e Hippos dhe në sfond Bazilika e Shën Agustinit në Anaba Rrënojat e Hippos dhe në sfond Bazilika e Shën Agustinit në Anaba

Në Iponën e sotme, ku augustinianët kultivojnë vëllazërinë e dialogun

Në kodrën e Annaba-s, ku ndodhet Bazilika e Shën Agustinit, rregulltarët, përveç kryerjes së shërbesave fetare në vendin e kultit, organizojnë nisma të ndryshme për të nxitur takimet ndërmjet kulturave dhe feve dhe impenjohen për të përhapur mësimet e Atit të madh të Kishës. Atë Fred Wekesa: prania e Papës ndërmjet nesh është bekim dhe inkurajim për të vazhduar angazhimin tonë.

R.SH. / Vatikan

Një Bazilikë, një manastir, një bibliotekë, një bujtinë për shtegtarët. Kur Annaba ishte Ipona, Augustini, ipeshkvi i saj, kishte krijuar një bashkësi klerikësh në lagjen e krishterë, pranë rezidencës së ipeshkvit. Kishte mbledhur dhe kataloguar me kujdes shkrimet e tij dhe kishte ndërtuar një strehë për të huajt e nevojtarët. Kështu, kur në vitin 1839 Imzot Antoine Adolphe Dupuch, ipeshkëv i dioqezës së Algjerit, e cila aso kohe përfshinte mbarë Algjerinë, vizitoi qytetin portual, e pa një vizion ndërmjet rrënojave të selisë së lashtë ipeshkvnore të Augustinit: ai vend duhej të rikthehej në prestigjin e tij të humbur dhe të rindërtohej ajo që kishte ekzistuar në kohën e Shën Augustinit, Atit të madh të Kishës, i cili jetoi ndërmjet shekujve të katërt dhe të pestë.

Dhe sot, në kodrën e Annaba-s, soditet Bazilika kushtuar Ipeshkvit shenjt, Augustinit. Pranë tij është "Presbiteriumi" i Etërve Augustinianë, azil pleqsh i drejtuar nga Motrat e Vogla të të Varfërve. E për rreth dy vjet "Spazio Santa Monica" strehoi të gjitha veprat e ipeshkvit të famshëm të Iponës. Të gjitha vende që Papa Leoni XIV i vizitoi në ditën e dytë të shtegtimit të tij baritor në Algjeri, mbi gjurmët e atit shpirtëror të augustinanëve, urdhrit rregulltar të cilit i përket.

Në vende që të kujtojnë Shën Augustinin

Ndalesa e parë është vendi arkeologjik i Iponës, pastaj Papa arrin në majën e kodrës së Annaba-së, Lalla Bouna, si e quajnë algjerianët. Këtu ndalet në Shtëpinë e Motrave të Vogla të të Varfërve dhe, më pas, në bashkësinë e fretërve Augustinianë, të cilëve u është besuar kujdesi baritor i Bazilikës së Shën Augustinit. Pasdite, Mesha do të mbahet në vendin e kultit, një vend që nuk ishte vizituar kurrë më parë nga një Papë.

Biblioteka "e Re" e ipeshkvit të Iponës

Janë tre, rregulltarët që banojnë në Presbiterium, përgjegjës për mbajtjen gjallë të kujtimit të Ipeshkvit të Iponës, shën Augustinit në Annaba: Atë Fred Wekesa, nga Kenia, rektor i Bazilikës së Shën Augustinit; Atë Dominique Habakkuk Juma Gbefe Juma, me origjinë nga Sudani i Jugut, meshtar; dhe Atë Leviticus Longzem Shailong, nigerian, ekonom. Falë tyre, biblioteka e pasur e Augustinit, e përshkruar nga biografi i tij i parë Possidio si e mbushur me "libra, predikime dhe letra", të cilat ai gjithmonë i rekomandonte "të ruheshin me kujdes për brezat e ardhshëm", u rikthye në shtëpinë e vet të mëparshme pas shekujsh.

Pati humbur kur vandalët, pasi pushtuan Afrikën e Veriut, i dëbuan ipeshkvijtë e Numidias, në Sardenjë. U vendos në një zonë të kriptës së Bazilikës dhe u hap për publikun çdo të martë dhe të enjte. Aty ngjitesh nga një shkallë në të majtë të altarit. E kjo është "Spazio Santa Monica", ku mund të konsultoheni me 93 traktatet, afërsisht 500 predikime dhe mbi 200 letra të Augustinit, Ipeshkvit të Iponës në latinisht, italisht, spanjisht, frëngjisht, anglisht dhe arabisht. Gjithashtu në dispozicion janë vëllime mbi teologjinë morale, patrologjinë, filozofinë, historinë e feve, islamologjinë, psikologjinë dhe më shumë të tjera, për një total prej mbi 2,000 librash. Etërit Augustinianë mblodhën afërsisht 9,000 tekste që nga mbërritja e tyre në Annaba, në vitin 1933, vit në të cilin Ipeshkvi i Kostandinit, Imzot Emile-Jean-François Thiénard, i kërkoi Urdhrit të Shën Augustinit të kryejë shërbesën në Bazilikë, pasi Kongregata e Shenjtë për Rregulltarët autorizoi ngritjen kanonike të një shtëpie në selinë e lashtë ipeshkvnore të Iponës.

Kontributi i augustinianëve maltezë

Kujdesi për vendin iu besua Augustinianëve të Maltës. Ata projektuan dhe ndërtuan "Presbiterin e Iponës", përuruar më 25 prill 1935, shtëpi e fretërve edhe sot e kësaj dite. Duke i shërbyer Kishës lokale, me kalimin e viteve, augustinianët e shndërruan Bazilikën në një vend takimi e dialogu ndërmjet kulturave dhe feve. U shtuan vizitat turistike, veçanërisht nga algjerianët dhe nxënësit e shkollave, si dhe iniciativat kulturore e mundësitë e studimit. Pas viteve të vështira të "dekadës së zezë", kur augustinianët maltezë nuk ishin më në gjendje të ruanin angazhimin e tyre ndaj Iponës, Këshilli i Përgjithshëm i Urdhrit mendoi për një projekt të ri, që të përfshinte fretërit e shpërndarë në pesë kontinente. Në një letër dërguar të gjithë rregulltarëve në vitin 2005, Eproro i Përgjithshëm i asaj kohe, Atë Robert Prevost, theksoi rëndësinë e sigurimit të një pranie në vendet e Augustinit, "duke pasur parasysh natyrën e veçantë të kontekstit shoqëror, fetar dhe kulturor", mundësi unike që u ofrohet augustinianëve "për dialogun ndërfetar" dhe "njohuritë e jetës dhe mësimeve të Shën Augustinit" në Iponën e sotme. Kështu, në vitin 2013, kapitulli i përgjithshëm i urdhrit augustinian vendosi t'ia besonte drejtimin e shtëpisë së Annaba-së, Kuries së Përgjithshme, duke vendosur të krijonte atje një bashkësi ndërkombëtare.

Bashkësia aktuale rregulltare e Annabas

"Ne fretërit e bashkësisë augustiniane të Annabas e kremtojmë Meshën për besimtarët e krishterë çdo të premte, ditë festive javore këtu", shpjegon Atë Fred për mediat e Vatikanit. "Ne mirëpresim mesatarisht 100-150 turistë e shtegtarë në ditë,  të cilët bëhen 400-500 në verë, një total prej 35,000 deri në 40,000 vizitorësh në vit, kryesisht algjerianë. Drejtojmë edhe bibliotekën dhe organizojmë Ditët Agustiniane, ngjarje kulture, përshpirtërie e dialogu, përmes të cilave kërkojmë të rrisim ndërgjegjësimin për Shën Augustinin, mendimin, filozofinë dhe teologjinë e tij, në mesin e publikut të gjerë", vazhdoi frati. "Edicioni i gjashtë, me temën 'Të jetosh në dashuri, të rikthesh botën', u organizua më 7 nëntor 2015 dhe tërhoqi më shumë se 200 pjesëmarrës". Tani vizita e Leonit XIV është çast i rëndësishëm për prijësit fetarë: tregon afërsinë e Kishës me komunitetin e vogël të krishterë, të integruar në vendin kryesisht mysliman. "Na forcon, duke na ftuar të vazhdojmë dialogun për paqe, të jetojmë si vëllezër, pranë njëri-tjetrit", pohon eprori i Bazilikës së Shën Augustinit, "e ta falim njëri-tjetrin, siç nxiste Ipeshkvi i Iponës, që të jetojmë në unitet".

"I biri i Shën Augustinit" në tokën algjeriane

Kur Robert Prevost u zgjodh Papë, paraqitja  e tij si "bir i Shën Augustinit" ngjalli kureshtje të madhe në Algjeri, e në Annaba veçanërisht. Shumë shpresonin ta shihnin në Algjeri. Mesazhe të panumërta me urime të mira arritën në bashkësinë e Etërve Augustinianë, e njoftimi i vizitës baritore të Papës u prit me gëzim të madh. "Mijëra komente në mediat sociale e ftuan Papën Leoni XIV të vizitojë Algjerinë", shpjegon Atë Fred, e shton se shumë nga bashkësitë e vogla të krishtera të Algjerisë, duke pasur parasysh se Papa është frat Augustinian, ishin të bindura se ai së shpejti do të vinte në Algjeri. Më entuziastët për mbërritjen e Papës, janë të rinjtë, shpjegon frati, duke përshkruar përgatitjet e edhe mobilizimin e jashtëzakonshëm në qytet.

Bashkëpunimi me Motrat e Vogla të të Varfërve

Në kodrën e gjelbër të Annaba-s, "mameloni i gjelbër" siç e quajti Gustave Flaubert në "Udhëtimin në Kartagjenë", augustinianët bashkëpunojnë edhe me Motrat e Vogla të të Varfërve në azilin e pleqve, pranë bazilikës. Struktura u ndërtua në truallin që Kryeipeshkvi i Algjerit, Charles-Martial-Allemand Lavigerie, ua lëshoi murgeshave, pasi bleu majën e kodrës më 24 qershor 1881, për të çuar më tej vizionin e Imzot Dupuch, i cili nuk e pa kurrë ëndrrën e tij të realizohej. Të dielave, Etërit kremtojnë Meshën në kapelën e murgeshave; njëra prej tyre shërben si rrëfyese, ndërsa një murgeshë shërben në këshillin e Bazilikës, që mblidhet tri herë në vit për të planifikuar aktivitete baritore. "Gjatë festave, ne ndajmë vaktet, ndonjëherë në shtëpinë e tyre, ndonjëherë në tonën", sqaron Atë Fred. Shkurt, dy familjet fetare mbështesin njëra-tjetrën. Kështu, për shembull, gjatë ngjarjeve të mëdha si Krishtlindjet, Pashkët ose ndonjë festë augustiniane, nëse shumë studentë kërkojnë mikpritje nga fretërit, murgeshat ofrojnë katin e katërt të shtëpisë së tyre. "Është një bashkëpunim i çmuar", komenton Atë Fred. "Siç thotë një proverb afrikan, 'një dorë nuk mund të duartrokasë'". Programi i Leonit XIV për Annaba parashikon gjithashtu edhe një vizitë te Motrat e Vogla të të Varfërve dhe mysafirët e tyre, rreth dyzet, gra dhe burra, për më tepër, kryesisht myslimanë.

Mesazhi i Papës për paqe dhe pajtim

Në përfundim Papa shkon në këmbë në komunitetin e fretërve augustinianë, ku ndalet për drekë dhe më pas, pasdite, kryeson Meshën në Bazilikën e Shën Augustinit. Këtu, në absidë, në një arkivol prej bronzi është shtatorja relike e shën Augustinit, Ipeshkvit të Iponës, me gur Barbentane, porositur nga Ipeshkvi Emile-Jean-François Thiénard i Kostandinit. Përmban kockën e krahut të djathtë të Shenjtit, të vendosur në pozicionin e saj natyror. Relikja është dhuratë nga dioqeza dhe qyteti i Pavisë për Ipeshkvin Dupuch i cili, në vitin 1842, duke dëshiruar mbi të gjitha të ngrinte një monument për ipeshkvin e tij të shquar ndërmjet rrënojave të Iponës së lashtë, ndërmori një udhëtim për në Itali, për të përshkuar udhën drejt kthesës: Romë, Ostia e Milano. Më 23 mars, ipeshkvi mbërriti në Pavia, me qëllim që të nderonte eshtrat e shenjtit algjerian, të ruajtura atje që nga shekulli i 8-të, dhe të merrte një relike për ta çuar në Iponë. Fillimisht e vendosur në Pro-Katedralen e Annabas, ndodhet në Bazilikën e Shën Augustinit që nga 29 marsi 1900, ditë kur u shugurua vendi i kultit.

Tani Papa i parë augustinian vjen për ta nderuar atë e për të nxitur "me të njëjtin zë" si Ipeshkvii i Iponës "paqen", "ripajtimin", "respektin dhe konsideratën për mbarë popujt".

14 prill 2026, 09:39