2026.04.23 Basilica di San Bartolomeo all'Isola

Medz Yeghern, Koch: gjaku i martirëve të krishterë armenë qoftë fara e unitetit të ardhshëm

Prefekti i Dikasterit për Promovimin e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve i dërgon një mesazh pjesëmarrësve në kremtimin ekumenik për paqen në Bazilikën e Shën Bartolomeut në Ishullin Tiberin, në Romë, në përvjetorin e së "Keqes së Madhe", që bie më 24 prill. Në të, ai vë në dukje se persekutimi i të krishterëve "jo vetëm nuk është ndalur", por është intensifikuar në disa anë të botës

R.SH. – Vatikan

Gjaku i martirëve armenë, dëshmi e një persekutimi kundër të gjithë bashkësisë së krishterë që, sot, "jo vetëm nuk është ndalur, por madje është intensifikuar në disa anë të botës", u bëftë fara "e unitetit të ardhshëm të Korpit të vetëm të Krishtit, të dëmtuar nga kaq shumë përçarje". Kjo është shpresa e kardinalit Kurt Koch, Prefekt i Dikasterit për Promovimin e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve, në një mesazh të lexuar sonte, më 23 prill, në kremtimin ekumenik për paqen botërore në Bazilikën e Shën Bartolomeut në Ishullin Tiberin, në Romë, në përvjetorin e "Medz Yeghern" (E Keqja e Madhe), që bie më 24 prill. Ngjarja u organizua nga Bashkësia e Shën Egjidit dhe nga Përfaqësia e Kishës Armene në Selinë e Shenjtë, me pjesëmarrjen e Kolegjit Papnor Armen dhe të Etërve Mekhitaristë të Venedikut.

Të njohim veprat e virtytshme në Kishë

Mesazhi i kardinalit Koch u hap me një citat nga dekreti mbi ekumenizmin, Unitatis Redintegratio, i cili pohon se "është e drejtë dhe e dobishme të njihen pasuritë e Krishtit dhe veprat e virtytshme në jetën e të tjerëve, që dëshmojnë për Krishtin, nganjëherë deri me derdhjen e gjakut". Këto ishin fjalët me të cilat Koncili II i Vatikanit jo vetëm që "përkulej" para martirëve të të gjitha traditave të krishtera, por, siç është shkruar në kushtetutën dogmatike mbi Kishën, Lumen Gentium, pranonte se me ta, katolikët kishin "një bashkim të vërtetë në Shpirtin Shenjt".

Martirizimi, zemra, ku rreh krishterimi

Një bindje, që ripërtërihet në përkujtimin e "martirizimit të madh dhe të përgjakshëm të të krishterëve armenë, në fillim të shekullit të kaluar", shkruan kardinali, duke kujtuar etimologjinë greke të termit "dëshmitarë", të cilët janë kujtesë se martirizimi nuk është "fenomen i krishterimit, që mund të shpërfillet", por përkundrazi "zemra prej së cilës ai rreh, aty ku Kisha bëhet një me Krishtin, Dëshmitarin e epërm të dashurisë së Zotit".

Persekutimi aktual i të krishterëve

Prefekti i Dikasterit për Promovimin e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve i vendos martirët armenë brenda "martirologut të përbashkët", për të cilin fliste Gjon Pali II, në një bashkim përtej ndarjeve, pra, "në një ekumenizëm të vërtetë gjaku". Pavarësisht nga "fundi i diktaturave të mëdha të shekullit XX", shkruan kardinali, persekutimi i të krishterëve është bërë edhe më intensiv në disa anë të botës. Gjithsesi, ashtu si Kisha e hershme ishte e bindur se "gjaku i martirëve është fara e të krishterëve", shpresohet që sakrifica e kaq shumë "dëshmitarëve të sotëm" do të bëhet prelud i bashkimit të ardhshëm të "Korpit të vetëm të Krishtit", të munduar nga ndarje të shumta.

Shoqërimi i atyre, që dhanë jetën

Urimi i fundit i kardinalit është që martirët t'i shoqërojnë të krishterët "në rrugën drejt bashkimit të plotë dhe gjaku i tyre ta afrojë ditën e bekuar kur të gjithë do të pimë nga e njëjta kupë e Shëlbimit".

23 prill 2026, 19:29