Kërko

Kryeipeshkvi Paul Stagg Coakley, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të SHBA Kryeipeshkvi Paul Stagg Coakley, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të SHBA

Kryetari i Konferencës së Ipeshkvijve të SHBA-së: I hidhëruar nga fjalët e Trumpit për Papën

Deklaratë e kryeipeshkvit Paul Coakley pas kritikave të ashpra të presidentit të SHBA-së kundër Papa Leonit XIV. Kryetari i Konferencës së Ipeshkvijve të Italisë (CEI): Papa nuk është kundërshtar politik, por Pasardhësi i Pjetrit, i thirrur për t'i shërbyer Ungjillit, së vërtetës dhe paqes.

R. SH. / Vatikan

"Jam i hidhëruar që Presidenti ka zgjedhur të shkruajë fjalë kaq përçmuese për Atin e Shenjtë. Papa Leoni nuk është rivali i tij; Papa nuk është as politikan. Ai është Mëkëmbësi i Krishtit që flet për të vërtetën e Ungjillit dhe për kujdesin e shpirtrave". Këto fjalë tha kryeipeshkvi Paul Stagg Coakley, kryetar i Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të SHBA-së në një deklaratë duke iu përgjigjur postimit në medien sociale "E Vërteta" në të cilin Presidenti Donald Trump kritikonte ashpër Papa Leonin.

Deklarata e Konferencës Ipeshkvnore Italiane

Kryesia e Konferencës së Ipeshkvijve Italianë, duke ripohuar në një deklaratë "bashkimin e plotë me Atin e Shenjtë Leonin XIV, shpreh keqardhje për fjalët që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i drejtoi Papës orët e fundit". Duke i bërë jehonë deklaratës së kryetarit të Konferencës së Ipeshkvijve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidenca e Kishës katolike italiane kujton se "Papa nuk është një kundërshtar politik, por Pasardhësi i Pjetrit, i thirrur për t'i shërbyer Ungjillit, së vërtetës dhe paqes. Në një kohë të shënuar nga konflikti dhe tensioni ndërkombëtar, zëri i tij përfaqëson një kushtrim që mbron dinjitetin njerëzor, dialogun dhe përgjegjësinë. Kishat në Itali shprehin afërsinë, dashurinë dhe lutjet e tyre për Atin e Shenjtë, duke shpresuar se të gjithë do ta respektojnë personin dhe shërbimin e tij".

13 prill 2026, 13:05