Kryeipeshkvi Fisichella: unitet, bashkësi, paqe: pikat kyçe të papnisë së Leonit XIV
R.SH. - Vatikan
Është shumë heret për ta paraqitur magjisterin e Leonit XIV, që kremton përvjetorin e parë të zgjedhjes më 8 maj, por Kryeipeshkvi Rino Fisichella, duke shqyrtuar fjalimet, predikimet dhe deklaratat - veçanërisht gjatë ngjarjeve të Jubileut - kujton "dy pika kyçe": "Unitetin" dhe "Bashkimin". Proprefekti i Dikasterit tò Vatikanit për Ungjillëzimin, në krye të organizimit dhe koordinimit të Jubileut të Shpresës, është në Uashington, ku nga 22-23 prilli mbajti një sërë takimesh në Universitetin Katolik të Amerikës.
Në Fakultetin e Teologjisë, prelati mbajti leksionin e titulluar "Liturgjia e shpërfytyron lutjen e Kishës", ku theksoi se tema e ungjillëzimit duhet të jetë e lidhur ngushtë me liturgjinë dhe me lutjen. Lutja "na lejon të shikojmë thellë në vetvete, për të zbuluar orientimin tonë ndaj Zotit". Lutja, vijoi, është e rëndësishme, veçanërisht kur shqetësimet e vazhdueshme të jetës krijojnë kushte lodhjeje, konfuzioni dhe indiference që e lënë mënjanë, nëse jo eliminojnë plotësisht, nevojën për lutje. Në vend të kësaj, lutja na lejon të "gjejmë një hapësirë qetësie dhe qetësie, autenticiteti dhe pushimi të vërtetë", pohoi kreipeshkvi Fisichella. Në këtë ngjarje, ai pati edhe mundësinë të takohej me Kardinalin Christophere Pierre, ish-Nunc Apostolik në Shtetet e Bashkuara, dhe Imzot Timothy P. Broglio, Ushtarak Ordinar dhe Kryetar Nderi i Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të Shteteve të Bashkuara.
Mësimet e Leonit
Në një bisedë të dytë me studentët, pro-prefekti u përqendrua në vitin e parë të papnisë të Papës së parë të Shteteve të Bashkuara, duke iu përgjigjur pyetjeve të ndryshme nga studentët. Në veçanti, Imzot Fisichella theksoi angazhimin e madh të Papës për paqen, duke nisur me përshëndetjen e tij në Lozhën e Bekimeve, ditën e zgjedhjes, dhe duke vazhduar deri në ditët e fundit të shtegtimit të tij apostolik në Afrikë, gjatë të cilave thirrja për pajtim dhe kundërvënia luftës ishin të vazhdueshme dhe të palëkundura.
Pro-prefekti theksoi gjithashtu mësimet më të rëndësishme të Papës Leoni, të cilat patën interes të madh nga studentët. Reflektimet e tij u frymëzuan nga fjalimet e Papës me rastin e Jubileut të Lëvizjeve dhe Shoqatave, Jubileut të Rinisë, Jubileut të ipeshkvijve, priftërinjve, seminaristëve, katekistëve, studentëve, zyrtarëve qeveritarë dhe punonjësve të drejtësisë. Ai u përqendrua edhe në një sërë çastesh specifike që "na lejojnë të kuptojmë mësimin e Papës Leoni XIV mbi pikat e përbashkëta dhe çështjet reale në jetën e bashkësisë së krishterë në botën e sotme".
Fokus mbi antropologjinë, në epokën dixhitale
Uniteti dhe bashkësia, sipas Imzot Fisichellës, janë "temat e përsëritura" në mësimin e Papës. Unitet përballë kaq shumë "interpretimeve mashtruese" dhe "praktikave pasuese" të radikalizuara, që krijuan "tensione dhe përçarje therëse". Ndarjet janë "plagë që kërcënon besueshmërinë e Kishës dhe efektivitetin e veprimit baritor", deklaroi ai. Prandaj, angazhimi për unitet është "kërkesë që Papa Leoni - i cili zgjodhi "In illo uno unum" si moton e tij - nuk mund ta injorojë, pasi ai vetë është shenjë e dukshme e unitetit".
Në të njëjtën mënyrë, bashkimi është "vetë përmbajtja e ungjillëzimit, e cila përkthehet në një stil jetese të përshtatshëm për besimtarët, që kanë përgjegjësinë ta bëjnë dashurinë të dukshme për të gjithë". Imzot Fisichella theksoi, gjithashtu, fokusin e Papës në antropologji, "çështja e madhe në tryezë, në epokën e kulturës dixhitale". Fjalët e Leonit "janë veçanërisht të fuqishme, kur u drejtohen të rinjve", të cilët i paralajmëroi të jenë kundër algoritmeve "që na tregojnë se çfarë duhet të shohim, çfarë duhet të mendojmë dhe cilët duhet të jenë miqtë tanë".
Mesha në Shenjtoren Kombëtare
Proprefekti i Dikasterit për Ungjillëzim mbajti përsëri një leksion për studentët e departamentit të filozofisë të Kolegjit të Bostonit, kushtuar marrëdhënieve ndërmjet fesë dhe arsyes. Edhe të rinjtë bënë gjithashtu pyetje interesante lidhur me papninë e Leonit XIV dhe thirrjen e tij për paqe.
Kryeipeshkvi kremtoi Meshën në Bazilikën e Shenjtnores Kombëtare të Zojës së Papërlyer, vend adhurimi, që tërheq çdo muaj mijëra shtegtarë dhe që mirëpriti mbi 1 milion besimtarë gjatë Vitit Jubile. Treqind djem dhe vajza, në një ekskursion shkollor, e vizituan Shenjtoren Kombëtare, si pjesë e ekskursionit të tyre në Uashington, D.C., dhe morën pjesë në Meshën e Imzot Fisichellës.