Kryeipeshkvi Bettencourt: Papa në Afrikë ishte bekim, vizita do të japë fryte
R.SH. / Vatikan
Udhëtimi apostolik i sapopërfunduar i Leonit XIV në Afrikë, i krijoi Papës mundësinë për t'i jetuar realitetet e vështira dhe të dhimbshme të katër vendeve që i vizitoi, edhe pse ishin duke ecur drejt zhvillimit, drejtësisë sociale dhe të drejtave të njeriut. Njëkohësisht, e lejoi Kishën lokale të ripohonte me forcë bashkimin e saj të plotë me Kishën universale. Domethënien e thellë të udhëtimit në Kamerun dhe në Guinenë Ekuatoriale e përshkruan Nunci apostolik, Kryeipeshkvi José Avelino Bettencourt, shoqërues i Papës gjatë vizitës.
Shkëlqesi, ju e shoqëruat Papën në vizitat e tij në Kamerun dhe, më pas, në Guinenë Ekuatoriale. Po fillojmë me vendin e parë: si shkoi vizita?
Kameruni është vend i pafund. I shtrirë nga Atlantiku, deri në Sahara, ka 26 dioqeza dhe afërsisht 300 kongregacione fetare, nga Trappistët - deri tek më aktivët shoqërisht. Gjatë vizitës, Ati i Shenjtë mundi të prekte disa aspekte të rëndësishme, nga kremtimet e Eukaristisë, deri te vizita në zonën e shkatërruar nga lufta e Bamendës.
Mesazhi i paqes i Papës Leoni ishte i fuqishëm. Besoj se do të mbetet në kujtesë ikonike të kësaj vizite të parë në Afrikë. Ishte jehonë e fjalëve të tij të para, të thëna nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit: "Paqja qoftë me ju", të cilat ai arriti t'i përsëriste në shumë mënyra në Afrikë. Papa eci nëpër rrugët e Bamendës, e ky ishte simbol shumë i fuqishëm. Në Douala, vizitoi një spital katolik, i cili i mirëpret të gjithë ata që kanë nevojë. Në Yaoundé, përveç vizitave në institucionet qeveritare, vizitoi edhe një jetimore, të vendosur në qendër të një lagjeje myslimane, ku katolikët e myslimanët jetojnë krah për krah. Mundi, kështu, të prekte shumë tema dhe realitete e besoj se na la edhe me shumë të reflektojmë për të ardhmen.
Çfarë ju bëri më shumë përshtypje nga vizita në Guinenë Ekuatoriale?
Guinea Ekuatoriale e dëshironte prej kohësh këtë vizitë. Mbaj mend se kur i paraqita kredencialet e mia, pyetja e parë që më bënë ishte: "Kur do të vijë Ati i Shenjtë këtu?". Sigurisht, është vend kryesisht katolik, vend i vogël me rreth dy milionë banorë, shumë më i vogël se vendet e tjera të vizituara nga Ati i Shenjtë gjatë këtij udhëtimi.
Papa mundi të vizitonte burgun në Bata; autoritetet bënë gjeste humanitare dhe festimet qenë euforike. Njerëzit ishin plot besim dhe e prisnin këtë vizitë me gjithë zemër.
Gjatë vizitës së Papës në këto dy vende, dëgjuam fjalime shumë prekëse mbi nevojën për barazinë ekonomike, respektin për të drejtat dhe nevojën për t'u siguruar ardhmërinë të rinjve. A mendoni se këto fjalë mund të japin fryte?
Ati i Shenjtë predikoi Ungjillin, i theksoi leximet e ditës dhe i zbatoi ato në realitet. Kisha nuk hesht kurrë. Sa herë që kremtojmë Eukaristinë, dëgjojmë Fjalën e Zotit, predikojmë Fjalën e Zotit. Ky është vazhdim i angazhimit të Kishës për të nxitur progresin dhe zhvillimin, e ne besojmë se do të japë rezultate pozitive.
Në Yaoundé, Papa vizitoi një jetimore. Në Malabo, një spital psikiatrik. A ishte kjo mënyra e Papës për t'iu afruar njerëzve në këto vende që po kalojnë kohë të vështira?
Po, Ati i Shenjtë deshi vërtetë t`i vizitonte disa nga aspektet sociale të Kishës. Kisha i kushtohet fuqimisht kujdesit shëndetësor, arsimit dhe punës sociale. E Ati i Shenjtë dëshironte që Ungjilli të zbatohej konkretisht në terren, duke i inkurajuar ata që punojnë në këta sektorë.
Vizita e tij vuri në dukje gjithçka që po bën Kisha në këto vende ndaj i inkurajoi dhe i frymëzoi këto vende për të vazhduar angazhimin në shoqëri. Për këtë, jemi shumë mirënjohës ndaj Atit të Shenjtë.
Shkëlqesia Juaj, tani, pas këtij shtegtimi apostolik, cilat do të jenë përparësitë për marrëdhëniet diplomatike ndërmjet këtyre dy vendeve dhe Selisë së Shenjtë?
Të dy vendet nënshkruan marrëveshje - kornizë me Selinë e Shenjtë, që kanë të bëjnë me kuadrin ligjor të Kishës dhe të institucioneve të saj, si dhe bashkëpunim në kujdesin shëndetësor, arsimin dhe punën sociale. Këto janë të gjitha fusha në të cilat ne do të vazhdojmë të zhvillojmë bashkëpunimin tonë.
Këto marrëveshje janë në fuqi vetëm prej 10 vitesh. Bëhet fjalë për një proces: Selia e Shenjtë është e përkushtuar me shumë kujdes dhe vëmendje për të mbështetur Kishën lokale dhe urdhërat fetare, të cilat janë vërtet shumë bujare në punën e tyre këtu. Selia e Shenjtë është shumë afër Kishës lokale në këtë drejtim, ndaj shpresojmë se do të jemi në gjendje të arrijmë diçka konkrete. Ka pasur shenja shumë inkurajuese nga autoritetet në këtë drejtim.
Gjatë udhëtimit Papa Leoni XIV shkeli në katër vende të ndryshme afrikane, kështu që mund të thuhet se pikërisht për këtë arsye ky shtegtim mori edhe një lloj përmase universale...
Në Algjeri, Kamerun, Angolë dhe Guine Ekuatoriale Papa pa realitete dhe situata të ndryshme kulturore. Vizita e këtyre katër vendeve së bashku, nxori në pah universalitetin, që i karakterizon!
Në vizitën e tij në kontinent, Ati i Shenjtë preku gëzimet e dhimbjet e Korpit të Krishtit në këtë pjesë të botës. Në të njëjtën kohë, kjo Kishë i drejtoi Kishës universale një kërkesë për lutje dhe solidaritet në situatën me të cilën përballet. Ishte një përvojë e bukur dhe kuptimplote, e cila na bashkoi edhe më shumë si Kishë.
Besoj se vizita ishte sukses, falë Provanisë Hyjnore. Prania e Atit të Shenjtë në Afrikë në vitin e parë të papnisë së tij ishte vërtet hir dhe bekim, ndaj frytet e kësaj vizite nuk do të mungojnë. Me angazhimin e vazhdueshëm të Kishës dhe të gjitha institucioneve të përfshira, do të shohim shumë rezultate pozitive.