Papa Piu XII Papa Piu XII

Konferencë për Papën Piu XII, më 4 maj, në Romë

Kryesuar nga kardinali protodiakon Dominique Mamberti, Prefekt i Gjykatës së Lartë të Senjaturës Apostolike, ngjarja bën pjesë në nismat, që kremtojnë 150-vjetorin e lindjes së Papës Eugenio Pacelli. Katër relatorë do të ofrojnë një përmbledhje të veprës së tij

R.SH. - Vatikan

"Eugenio Pacelli – Piu XII: ndërmjet Qytetit të Zotit dhe Qytetit të Njeriut": kjo është tema e konferencës, që do të zhvillohet në Romë të hënën, më 4 maj, në Sala dei Papi, të kuvendit të Shën Marisë mbi Minervë, në orën 17.00. Konferenca organizohet në kuadrin e kremtimeve, që përkujtojnë 150-vjetorin e lindjes së tij.

Kryesuar nga kardinali protodiakon Dominique Mamberti, Prefekt i Gjykatës së Lartë të Senjaturës Apostolike, relatorët janë Johan Icks, drejtor i Arkivit Historik të Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, që do të flasë mbi "Eugenio Pacelli dhe konkordatet"; Andrea Tornielli, drejtor editorial i Vatican Media, i cili do të përqendrohet te kardinali Eugenio Pacelli si Sekretar i Shtetit të Vatikanit; Stefan Heid, rektor i Institutit Papnor të Arkeologjisë së Krishterë, i cili do të paraqesë një punim mbi "Piun XII dhe gërmimet nën altarin e Shën Pjetrit"; si edhe dominikani, atë Fabrizio Cambi, epror i kuvendit të Shën Marisë mbi Minervë, që do të ofrojë një pasqyrë të "Italisë dhe Pajtorëve të saj, Shën Katerinës e Shën Françeskut, në magjisterin e Piut XII".

29 prill 2026, 11:43