Kërko

Kardinali Koch kremton Meshën në Shën Pjetër në 99-vjetorin e lindjes së Benediktit XVI (@VATICAN MEDIA) Kardinali Koch kremton Meshën në Shën Pjetër në 99-vjetorin e lindjes së Benediktit XVI (@VATICAN MEDIA)

Koch: Benedikti XVI, interpretues i ndritshëm i kohërave tona të errëta

Kardinali Koch, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Unitetin e të Krishterëve kryesoi dje një Meshë, në Shën Pjetër, për të kujtuar 99-vjetorin e lindjes së Papës Ratzinger: ai e jetoi tragjedinë e luftës botërore dhe shkatërrimin atomik, por diti ta kapte në errësirë ​​"praninë e Zotit dhe dashurinë e Tij, që ngroh".

R.SH. / Vatikan

Ishte e Shtuna e Madhe e Pashkëve atë 16 prill 1927, kur vinte në botë Joseph Ratzinger. E Shtuna e Madhe, ditë "e errët", "dita e fshehjes dhe e heshtjes së Zotit në historinë njerëzore". Por ishte edhe sfidë për sytë e fesë, që dinë ta shikojnë Ringjalljen, madje edhe në palosjet më të tmerrshme të historisë, siç diti të bëjë gjatë gjithë jetës së tij teologu, kryeipeshkvi dhe kardinali i thirrur në Katedrën e Pjetrit në vitin 2005. Në homelinë e Meshës së kremtuar dje pasdite, 16 prill, në Bazilikën e Vatikanit, Kardinali Kurt Koch bëri, ndërmjet tjerash, një paralele ndërmjet ditëlindjes së Ratzinger - 16 prill, përvjetori i së enjtes - dhe asaj Nate të Pashkëve, 99 vjet më parë.

Errësira, sfidë për besimtarët

E Shtuna e Madhe e Pashkëve, "kjo përvojë e hidhur e braktisjes nga Zoti", ishte diçka - vërejti Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Promovimin e Unitetit të Krishterë - që pikërisht brezi i cili u rrit në të njëjtën epokë me Joseph-in Ratzinger duhej ta duronte. E edhe këtu kardinali Koch e citoi vetë Papën Ratzinger, që dikur kishte thënë: "Pas dy luftërave botërore, kampeve të përqendrimit dhe gulagëve, Hiroshimës dhe Nagasakit, epoka jonë u bë gjithnjë e më shumë e Shtunë e Madhe: errësira e kësaj dite i sfidon të gjithë ata, që e vënë në dyshim jetën, por na sfidon edhe ne, besimtarët, në veçanti. As ne nuk jemi pa gjë në këtë errësirë".

Mirënjohje për dëshmitarin e madh!

Sfidë, vazhdoi Kardinali Koch, që Joseph Ratzinger-Benedikti XVI arriti ta shihte me sytë e fesë së krishterë; dritë, që e zbulon "fuqinë e saj në një mënyrë më qartë, pikërisht atëhere kur gjërat janë të paqarta" sepse "shkëlqen fuqishëm - në mes të errësirës". Kemi nevojë, komentoi Kardinali Koch, "për interpretues të tillë të kohës sonë, të udhëhequr nga drita e fesë, edhe në epokën tonë aktuale me zhvillimet e saj të tmerrshme të cilat, nga ana tjetër, na bëjnë ta ndiejmë anën e errët të së Shtunës së Madhe".

Por vetë jeta e Benediktit XVI, nënvizoi kardinali Koch, ishte ajo vetë shembull shprese për të cilën, përfundoi ai, duhet ta falënderojmë Zotin për dhuratën e këtij "dëshmitari të madh të besimit dhe mësuesi të shquar të fesë në Katedren e Pjetrit"

17 prill 2026, 14:40