Thirrja e Papës drejtuar shumicës së heshtur, që zgjedh paqen
R.SH. / Vatikan
Përballë masakrave dhe luftërave të shkaktuara nga idhujtaria e pushtetit e atyre që madje pretendojnë se "rekrutojnë" Zotin nga ana e tyre duke ofruar justifikim fetar për vrasjen e të pafajshmëve, Papa Leoni iu drejtua shumicës dërrmuese të njerëzve në mbarë botën, që dëshirojnë paqe, besojnë në paqe, luten për paqe dhe e ndërtojnë atë ditë pas dite. E bëri këtë mbrëmjen e së shtunës, më 11 prill 2026, gjatë Vigjiljes së lutjes, në Vatikan, që e mblodhi për t'u lutur që t’u jepet fund luftërave të vazhdueshme.
Diçka e ngjashme kishte ndodhur tashmë të martën, më 7 prill, në Castel Gandolfo: përballë kërcënimit të asgjësimit të qytetërimit iranian, të shpallur në mediat sociale nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Pasardhësi i Pjetrit i kishte ftuar qytetarët e vendit të tij të kontaktonin anëtarët e Kongresit për të kërkuar paqe dhe për të ndaluar sulmin masiv ndaj infrastrukturës së Iranit. Tani, pikërisht në ditën e 63-vjetorit të enciklikës Pacem in Terris të Gjonit XXIII, e njëjta thirrje bëhet universale dhe u drejtohet "miliona e miliarda burrave dhe grave, të moshuarve dhe të rinjve, që sot besojnë në paqen" e "shërojnë plagët dhe riparojnë dëmet e lëna nga marrëzia e luftës".
Leoni kërkon që të dëgjojmë në veçanti zërat e fëmijëve, që i panë bashkëmoshatarët e tyre duke vdekur nën bombat në Gaza, Iran, Ukrainë dhe shumë vise të tjera të botës.
Më pak se një javë para kremtimit të Pashkëve, e edhe në prag të Pashkëve për Kishat Lindore, duke përkujtuar fitoren e pambrojtur të Princit të Paqes, Ipeshkvi i Romës u mbështet në shpresën dhe lutjet e një shumice të heshtur për t'iu drejtuar orës dramatike në histori, që po e jeton njerëzimi. Papa bën thirrje për bashkimin e lutjeve të shumë njerëzve me "mundësitë e pafundme të Zotit" për të kërkuar ta thyejnë atë, që ai e quan "zinxhir djallëzor i së keqes".
Fjalët e Papës, i cili e ka bërë paqen shprehjen kryesore të mësimdhënies, janë të qarta si në identifikimin e rrënjës në fund të fundit djallëzore të luftës, ashtu edhe në refuzimin e çdo përsëritjeje të shprehjes "Zoti është me ne". Jo, Zoti nuk mund të jetë me ata që masakrojnë civilët. Zoti është me ata që vuajnë, me ata që vdesin nën rrënoja. Disa shprehje të përdorura nga Leoni XIV janë mbresëlënëse: lutja është "pengesë për atë delirium të plotfuqishmërisë që përreth nesh po bëhet gjithnjë e më i paparashikueshëm dhe e më agresiv", sepse ata që luten janë të vetëdijshëm për kufizimet e tyre, ndaj as nuk vrasin, as nuk kërcënojnë. Kjo është krejt e kundërta e atyre që e bëjnë "veten dhe pushtetin e tyre idhull të heshtur, të verbër e të shurdhër, të cilit i sakrifikojnë çdo vlerë dhe kërkojnë që e gjithë bota të përkulet në gjunjë".
Do të ishte gabim ta shihnim këtë ftesë urgjente për lutje si arratisje drejt spiritualizmit. Një fragment tjetër nga reflektimi i Pasardhësit të Pjetrit e dëshmon këtë. Pasi përmend përgjegjësinë e të gjithëve për të ndërtuar paqen, takim dhe miqësi kudo, Leoni XIV na fton të besojmë "në dashuri, moderim e politikë të mirë". Politikë që, pa i konsideruar fjalët "dialog" dhe "negociim" të papërshtatshme, më në fund ndjek një armëpushim dhe, më pas, marrëveshje paqeje të qëndrueshme.