Kardinali Ernest Simoni kremtoi 70-vjetorin e shugurimit të tij meshtarak në Shqipëri dhe Kosovë.
R.Sh. / Vatikan
Pasi u shfaq në Lozhën e Bekimeve, përkrah Papa Leonit XIV gjatë bekimit të Pashkëve "Urbi et Orbi", kardinali Ernest Simoni kremtoi përvjetorin e shtatëdhjetë të shugurimit të tij meshtarak dhe për këtë udhëtoi në Prishtinë, Tiranë dhe në Shkodër.
Këto janë tri qytete që simbolizojnë identitetin e popullit shqiptar, pjesë e të cilit ai ndihet plot krenari. Kardinali u pat shuguruar meshtar në katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, më 7 prill 1956.
Në Shqipëri, nën regjimin komunist, një shtet ateist sipas kushtetutës ku të gjitha format e fesë ishin të ndaluara, gjatë persekutimit të të krishterëve nga urrejtja për fenë, kardinali u dënua me burg, punë të detyruar si edhe me vdekje, nga viti 1963 deri në vitin 1991.
Pavarësisht të gjitha këtyre fatkeqësive, kardinali nuk u lëkund në besimin dhe dëshminë e tij të krishterë, duke u kthyer në shembull qëndrese dhe përkushtimi për të gjithë të krishterët shqiptarë.
Ai u krijua kardinal me dekretin e Atit të Shenjtë, Françeskut në koncistorin e 19 nëntorit 2016.
Fondacioni «Kardinal Bartolucci» organizoi tri koncerte të korit të tij polifonik në tri qytetet kryesore të Shqipërisë dhe të Kosovës për të kremtuar përvjetorin e shugurimit të kardinalit. Ngjarjet u shënuan nga një pjesëmarrje e madhe popullore dhe të autoriteteve. Me qindra vetë qenë të pranishëm në kremtimin e shugurimit të dom Ernestit, siç preferon ai ta quaj veten. Morë pjesë edhe autoritetet fetare, ipeshkvi i Prishtinës imz. Dodë Gjergji; ai i Tiranes, imz. Arjan Dodaj kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit dhe ai Shkodrës, imz. Giovanni Peragine, si edhe nunci apostolik në Shqipëri, ipeshkvi Mirosław Adamczyk, i cili foli në Shkodër, në qytetin e lindjes së prelatit. Në koncertin e Prishtinës morën pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci dhe kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Përparim Rama.
Kori i Fondacionit Bartolucci, i drejtuar nga dirigjenti papnor Adriano Caroletti dhe i shoqëruar në organo nga Josep Solé Coll, organist për Festimet Liturgjike të Papës, interpretuan një repertor të pasur të traditës polifonike romake të lidhur me liturgjinë e Pashkëve, ku pati edhe vepra nga Giovanni Pierluigi da Palestrina, Lorenzo Perosi dhe Domenico Bartolucci. I prekur thellë, kardinali Ernest Simoni i ndoqi të tri ngjarjet me interes, duke e përgëzuar ngrohtësisht fondacionin për vitet e tij të punës apostolike dhe ungjillëzuese përmes promovimit dhe përhapjes së muzikës së shenjtë. Kardinali Ernest Simoni shprehu falënderimet e tij të përzemërta për interpretimin e tyre në Shqipëri dhe në Kosovë.