Ipeshkvi Gervasi: është e nevojshme një aleancë ndërmjet meshtarëve dhe familjeve që të bëhemi një Kishë e vetme
R. SH. / Vatikan
Rizbulimi i aleancës midis familjeve dhe meshtarëve në bashkësitë famullitare në mënyrë që të parët të mos i braktisin të dytët dhe anasjelltas, në kontekstin e një shoqërie të globalizuar që shkërmoq pareshtur vlerat e familjes dhe të kujdesit prindëror. Ky qe përfundimi i ditës së studimit dhe reflektimit që Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen dhe Jetën ia kushtoi dje, më 28 prill, temës: "Sakramenti i Martesës, i Besimit dhe Munus Docendi", zhvilluar në Casina Pio IV, në Kopshtet e Vatikanit.
Bashkësia ku ka fe të gjallë është kushti paraprak për thirrje të fuqishme
"Kriza që po përhapet në martesën e krishterë dhe vështirësia me të cilën përballen meshtarët në nxitjen e besimit të nevojshëm për sakramentin e martesës në fakt i kanë rrënjët te vështirësinë e të qenit i krishterë sot. Është më e nevojshme se kurrë të rizbulojmë kuptimin e një bashkësie të krishterë me një identitet të vërtetë dhe besnik kundrejt Ungjillit, sepse vetëm kjo mund të sjellë thirrje", tha për mediat e Vatikanit, në fund të diskutimit, ipeshkvi Dario Gervasi, sekretari ndihmës i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën. Thirrja për familje dhe thirrja meshtarake janë të dyja të rrënjosura në vështirësinë e të qenit i/e krishterë sot, përsëriti ai.
"Problemi nuk është mungesa e thirrjeve meshtarake, por mungesa e të krishterëve. Në të vërtetë, nëse vëzhgojmë mikro-bashkësitë ose vendet ku besimi përjetohet siç i ka hije, aty gjejmë lindjen e thirrjeve për martesë dhe për thirrje meshtarake", shtoi ai. Zgjidhja mund të jetë një marrëveshje ndërmjet klerit dhe familjeve. "Ne e vërejmë krizën e meshtarëve," vijoi fjalën e vet imzot Gervasi, "ashtu siç shohim krizën e çifteve, kështu që do të thotë se nëse qëndrojmë së bashku, ndoshta mund ta mbështesim njëri-tjetrin, si edhe të rritemi së bashku."
Reflektim mbi dashurinë martesore në të gjitha gjerësitë gjeografike
Në tetor, Leoni XIV, plot dhjetë vjet pas thirrjes apostolike të Papa Françeskut «Amoris Laetitia», do të mbledhë kryetarët e konferencave ipeshkvnore të botës për një ditë "dëgjimi të ndërsjellë" dhe "shqyrtimi sinodal", konkretisht mbi temën e dashurisë martesore. "Unë besoj se ky është një rast vërtet i rëndësishëm," vërejti sekretari ndihmës i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, "sepse mund të ofrojë një mundësi për reflektim së bashku, duke parë këndvështrimin e botës. Padyshim që do të jetë një kuvend shumë i kualifikuar, që do të bashkojë shqetësimet e të gjitha familjeve të krishtera dhe jo të krishtera, që jetojnë në çdo gjerësi gjeografike. Kjo do të na bëjë t’i kushtojmë kësaj teme një dëgjim të kujdesshëm dhe më të vëmendshëm."
Nevoja e edukimit për thirrjet e jetës
"Sot reflektuam mbi rëndësinë e munus docendi-t, domethënë mbi mënyrën se si ta fuqizojmë vërtet meshtarin, në mënyrë që ai të jetë mësues i besimit, bashkëudhëtar shpirtëror dhe i aftë të ndezë thirrjen e pagëzimit tek të rinjtë të cilët një ditë do të thirren për të krijuar familje të reja. Familja nuk është thjesht një rol, një status, një gjendje, një kusht, por një thirrje”. Kështu u shpreh për mediat e Vatikanit profesoresha Gabriella Gambino, zv/sekretare e Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën. Nëse martesa është një thirrje kishtare, ashtu si thirrja meshtarake, atëherë të dyja kërkojnë përgatitje dhe formim. "Martesa është një thirrje", vijoi zv/sekretarja e Dikasterit dhe "ne jemi të thirrur për diçka të madhe dhe për këtë arsye, ndoshta, ka ardhur koha të pyesim seriozisht se si po e përgatitim veten të gjithë, meshtarët nëpër seminare, por jo vetëm. Ne duhet të jemi në gjendje ta çlirojmë fuqinë e sakramentit të pagëzimit që më pas duhet të lulëzojë tek të rinjtë me një thirrje të jashtëzakonshme, që është ajo e shumicës së besimtarëve të pagëzuar në të gjithë botën." Dokumentet konciliare i bëjnë thirrje të gjithë të krishterëve – laikëve, familjeve dhe meshtarëve – secilit sipas thirrjes së vet – të formojnë bashkësinë kishtare, dhe "kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme", nënvizoi profesoresha Gambino, duke cituar në veçanti enciklikën «Lumen Gentium». "Plotësimi i thirrjeve është diçka thelbësore për ndërtimin e Kishës. Prandaj, meshtarët duhet të trajnohen që të jenë në gjendje të krijojnë familje të krishtera dhe t'i shoqërojnë ato hap pas hapi", vazhdoi ajo, "por edhe familjet duhet t'i mbrojnë meshtarët, duhet t'i shoqërojnë, duhet t'i bëjnë të ndihen të mirëpritur".
Meshtari, subjekt dhe objekt kujdesi
Gjatë takimit, doli në pah rëndësia jo vetëm e thirrjeve të përplota, por edhe e kujdesit të ndërsjellë. "Prifti nuk është vetëm subjekt i kujdesit, por edhe objekt i kujdesit, sepse ai është njeri, dhe për këtë arsye kjo dhuratë e madhe që ne si meshtarë kemi marrë, është dhuratë për njerëzimin, por prapseprap ne mbetemi të brishtë", shpjegoi për mediat e Vatikanit imz. Simone Renna, zv/sekretar i Dikasterit për Klerin. Në bashkësitë e vogla famullitare, ku famullitari nuk mund të mbështetet tek meshtarët e tjerë, vështirësitë që ndesh ky duhen shqyrtuar nga familjet. "Brishtësia e meshtarëve nganjëherë është nënvlerësuar ose harruar", sqaroi imzot Renna. "Meshtari duhet të vazhdojë të kujdeset për familjet e famullisë, por një meshtar i fortë është gjithashtu një meshtar që ka pasur fatin të gjejë laikë në krah të tij që janë kujdesur për të, për jetën dhe rritjen e tij". Dhe pastaj, pas çdo dorëheqje të meshtarëve duhet të gjendet një mundësi për takim dhe mbështetje të ndërsjellë. "Ne meshtarët kemi nevojë për dikë që të kujdeset për ne në mënyrë të veçantë sepse shpesh kemi bërë zgjedhje dhe kemi sakrifikuar shumë gjëra. Kështu që këto nuk duhet të kthehen në zbrazëti", përfundoi fjalën e vet zv/sekretari i Dikasterit për Klerin, "por në hapësira të mbushura me anëtarë të tjerë të bashkësisë së krishterë".