Kërko

Kompleksi i Zojës Ndihmëtare në Castello Kompleksi i Zojës Ndihmëtare në Castello

Heshtje dhe kundrim i Hyjit, Selia e Shenjtë në Bienalen e Venedikut

U paraqit në Vatikan pavijoni i Selisë së Shenjtë në Ekspozitën e 61-të Ndërkombëtare të Artit të Bienales së Venedikut, e cila do të mbahet nga 9 maji deri më 22 nëntor 2026. Njëzet e katër, artistët pjesëmarrës, të frymëzuar nga Shën Hildegarda e Bingenit, mbi temën "Veshi është syri i shpirtit". Dy, selitë: Kopshti Mistik i karmelitanëve në Cannaregio dhe Kompleksi i Zojës Ndihmëtare në Castello

R.SH. – Vatikan

Një lutje në tinguj, e krijuar rreth kategorisë së dëgjimit dhe e frymëzuar nga vepra dhe figura e shenjtores dhe dijetares së Kishës, Hildegarda e Bingenit. Kështu u paraqit në Vatikan pavijoni i Selisë së Shenjtë në Ekspozitën e 61-të Ndërkombëtare të Artit – Bienalja e Venedikut.

Në atë, që kardinali José Tolentino de Mendonça - komisar i pavijonit dhe prefekt i Dikasterit vatikanas për Kulturën dhe Edukimin - e quan “një observator mbi botën”, do të shërbejnë si busull fjalët e Papës Leoni XIV. Duke bërë thirrje për paqen gjatë rruzares së 11 prillit, ai pohoi: “Nuk kemi nevojë të turbullohemi nga nxitimi i një bote që nuk di se çfarë ndjek, por duhet të kthehemi për t’i shërbyer ritmit të jetës, harmonisë së Krijimit dhe shërimit të plagëve të tij”.

Pjesëmarrja e Selisë së Shenjtë në Bienale, shtoi kardinali gjatë konferencës për shtyp, "do të jetë mundësi për t’u zhytur në kundrimin e Hyjit e në dëgjimin e Tij. Nga brendësia e shpirtit, që është një përmasë e rëndësishme, shpresojmë që të lindin frytet e paqes, të takimit dhe të së ardhmes". Në një botë me konflikte dhe tensione, arti mund të bëjë shumë: "Kemi nevojë që artistët të flasin. Duhet t'i dëgjojmë ata si profetë. Arti na ofron vizione të reja të botës", vërejti kardinali Tolentino de Mendonça.

Pjesëmarrësit në konferencën për shtyp
Pjesëmarrësit në konferencën për shtyp   (@VaticanNews)

Ftesë për të ngadalësuar ritmin dhe për të medituar

Ngadalësimi i ritmit të jetës, dëgjimi, meditimi dhe ruajtja e gjërave vërtet të çmueshme, janë të gjitha terma kyç për pavijonin e Selisë së Shenjtë, me temë “Veshi është syri i shpirtit”, që u paraqit Sallën e Shtypit të Vatikanit, nga kuratorët Hans Ulrich Obrist dhe Ben Vickers.

Për prefektin e Dikasterit për Kulturën dhe Edukimin, "koha jonë ka nevojë për mësues të rinj dhe profili polifonik i shenjtes Hildegarda mund të shërbejë si ilaç kundër përhapjes pa cak të po së njëjtës muzikë, duke na frymëzuar në mbartjen e vizioneve të reja" dhe duke na çuar drejt zbulimit të një "gjuhe të panjohur". Ose më saktë, na duhet "një forcë imagjinimi, që nxit paradigma shoqërore gjithnjë e më gjithëpërfshirëse dhe motivon praktikat komunitare dhe vëllazërore".

Projekti është frymëzuar nga këngët, shkrimet dhe imazhet vizionare të mistikes dhe abateshës benediktine, eksperte në shkencat natyrore, shenjtëruar në vitin 2012 nga Benedikti XVI. "Një figurë, që mund të duket e largët", deklaroi de Mendonça, "duke qenë se është mistike e shekullit XII, por që ka një zë të fuqishëm bashkëkohor, të aftë të shndrisë pyetjet dhe shtigjet e së tashmes".

  (@VaticanNews)
28 prill 2026, 10:12