2026.04.26 GMG Seul 2027_Cinque Santi Patroni

Dita Botërore e Rinisë në Seul 2027: shpallen pesë shenjtorët pajtorë

Shën Gjon Pali II, Shën Andrea Kim Taegon, Shën Françeska Havier Kabrini, Shën Jozefina Bakita dhe Shën Karl Akutis:këta janë modelet e besimit tek të cilët të rinjtë mund të mbështeten. Këta janë shenjtorët që u zgjodhën nga Komiteti Organizativ Vendas si Pajtorë për Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë 2027.

R.Sh. Vatikan

Në një deklaratë, Komiteti Organizativ Vendas për Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë 2027 në Seul, njoftoi emrat e pesë Shenjtorëve Pajtorë, duke i paraqitur ata si "modele besimi për të rinjtë dhe si udhërrëfyes, falë dëshmisë së jetës dhe përshpirtërisë së tyre".

Këta janë Shën Gjon Pali II (1920–2005), themeluesi i Ditës Botërore të Rinisë, mjaft i përmendur për vëmendjen e tij ndaj të rinjve, familjes dhe dinjitetit të jetës njerëzore; Shën Andrea Kim Taegon (1821–1846), prifti i parë katolik korean, një simbol i besimit dhe guximit, i martirizuar në një moshë të re; Shën Françeska Havier Kabrini (1850–1917), misionare e njohur për kujdesin e saj kundrejt migrantëve dhe të varfërve; Shën Jozefina Bakhita (1869–1947), një skllave e liruar që më vonë u pat bërë murgeshë, dëshmitare e shpresës, e lirisë dhe e besimit ndër vuajtje; Shën Karlo Akutis (1991–2006), një shenjt i ri, i epokës dixhitale, jeta e të cilit mbetet model i shkëlqyer i ungjillëzimit dixhital.

Lutja për Pajtorët

Procesi i përzgjedhjes filloi shumë kohë më parë, me një anketë mbarëkombëtare të të rinjve, punonjësve të baritorisë për të rinjt dhe të edukatorëve, gjë që nisi në fund të vitit 2024. Më pas, filloi një shqyrtim i shenjtërve «kandidatë» dhe u bë përzgjedhja përfundimtare. Në deklaratë, thuhet më tej, se një grup vullnetarësh të rinj kaluan dy muaj duke studiuar jetën dhe përshpirtërinë e këtyre pesë pajtorëve. Përmes diskutimit dhe reflektimit të përbashkët, të rinjtë përgatitën një lutje të posaçme dhe një simbol përfaqësues për secilin shenjtor, duke shprehur veçorinë që secili prej këtyre shenjtorëve u ofron të rinjve të sotëm.

Farrell: Shenjtëria nuk është një ideal i pakapshëm

"Pajtorët luajnë një rol themelor në përgatitjen e çdo Dite Botërore të Rinisë", tha kardinali Kevin Farrell, prefekt i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën. Sipas kardinalit, "këta të rinj, edukatorët dhe meshtarët duhet të reflektojnë mbi dhuratën e thirrjes së Zotit, mbi thirrjen e pagëzimit, meshtarisë, jetës rregulltare dhe të martesës, duke na inkurajuar të përgjigjemi me bujari dhe guxim në ecje pas Krishtit, i cili pushtoi botën, siç kujton tema e Ditës Botërore të Rinisë të ardhshme". Kardinali Farrell shpreson që dëshmia e këtyre mund t'i frymëzojë të rinjtë, veçanërisht në vendet e prekura nga vështirësitë dhe persekutimi, të shohin se shenjtëria nuk është një ideal i paarritshëm, por një thirrje që kërkon përgjigje.

Kryeipeshkvi i Seulit: Një lidhje e thellë shpirtërore me pajtorët

"Këta shenjtën pajtorë," shpjegoi kryeipeshkvi Peter Soon-taick Chung i Seulit, kryetar i Komitetit Organizativ Vendas të Ditës Botërore të Rinisë, Seul 2027, "përshkojnë kontinente dhe breza, dhe secili prej tyre rrëfen një rrugë konkrete për ta jetuar besimin në realitetet me të cilat përballen të rinjtë sot." Shpresa e kryeipeshkvit është që të rinjtë të krijojnë një lidhje të thellë shpirtërore me pajtorët e tyre.

Cili shenjt je ti?

Komiteti Organizativ Vendas ka paraqitur tashmë jetën dhe përshpirtërinë e shenjtërve pajtorë në faqen zyrtare të internetit të «WYD Seul 2027» dhe në kanalet e veta të mediave sociale përmes përmbajtjes dhe programeve shtesë për të ndihmuar të rinjtë të angazhohen më shumë me dëshminë e tyre. Ekziston gjithashtu një program interaktiv i titulluar "Zbuloni Pajtorin Tuaj!", i projektuar sipas stilit të testeve të personalitetit dhe të kuizeve interaktive. Këtu, përdoruesit grishen t’u përgjigjen në një seri pyetjesh me zgjedhje të shumëfishta për të zbuluar se cili nga këta pesë pajtorë përputhet më shumë me personalitetin e tyre.

26 prill 2026, 21:58