Kërko

2018.10.03 Apertura Assemblea Generale Ordinaria Sinodo dei Vescovi

Sinodi, raporti mbi gratë: T’u hapet rruga për role në udhëheqje

Grupi i Studimit 5 i dorëzoi raportin përfundimtar Sekretarisë së Përgjithshëm të Sinodit. Dokumenti bën thirrje për njohjen e "mundësive të grave për përgjegjësi në Kishë", sepse "asgjë nuk i pengon gratë të marrin role udhëheqëse". Raporti bën thirrje për ndryshime në mendësinë kishtare, të zhytur në "klerikalizëm" dhe kërkon vëmendje më të madhe ndaj kodeve gjuhësore në mësimdhënie, katekizëm dhe dokumente.

R.Sh. Vatikan

"Fakti që je grua nuk mund të të pengojë të marrësh role udhëheqëse në Kishë". Ky është një nga pasazhet kryesore në raportin përfundimtar të Grupit 5, një nga dhjetë Grupet e Studimit të themeluara nga Papë Françeskut në vitin 2024 për të zhvilluar mendime dhe propozime mbi çështjet që dolën gjatë Sinodit mbi Sinodalitetin e Kishës. Grupi në fjalë, i ngarkuar – bashkë me Dikasterin e Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë – të hulumtojë "çështjet teologjike dhe kanonike që lidhen me format specifike të shërbesës", përfshirë temën e pjesëmarrjes së grave në jetën dhe udhëheqjen e Kishës, i paraqiti raportin e tij përfundimtar Sekretarisë së Përgjithshëm të Sinodit.

Ky është grupi i tretë – pas atij mbi misionin dixhital dhe formimin meshtarak – që paraqiti studimin e tij, fryt i një procesi të ndërlikuar dëgjimi, analize, kërkimi dhe dialogu me dioqezat dhe universitetet. Sot, ai u bë publik, ashtu sikurse dëshironte Papa Leoni XIV, i cili vendosi që, ndërsa raportet e ndryshme dorëzohen, të bëhen publike "në frymën e transparencës".

Papa, i cili do të thotë fjalën e fundit mbi rezultatet dhe rekomandimet e raporteve të ndryshme – ka vendosur gjithashtu se, sapo të përfundojë puna, grupi do të përfundojë mandatin dhe do të konsiderohet "i shpërndarë".

Pikëpamjet e Françeskut dhe kontributi i grave në historinë e Kishës

Për punën e tij, Grupi i Studimit 5 është mbështetur në "disa pikëpamje" të Papë Françeskut që "deri tani janë pranuar pak". Raporti i grupit citon nxitjet apostolike «Evangelii Gaudium» dhe «Querida Amazonia» si dhe «motu proprio» me titullin «Antiquum Ministerium» rreth rolit të katekistit.

Sidoqoftë, në raport nuk ka asnjë referencë për temën e të ashtuquajturave diakonesha, e cila quhet një çështje  «e papjekur» për diskutim dhe për këtë arsye iu pat besuar më parë nga Papa dy komisioneve, të dyja të kryesuara nga kardinali Giuseppe Petrocchi. I dyti prej këtyre, dhjetorin e kaluar, hodhi poshtë mundësinë e një diakonie femërore, megjithatë, pa "formuluar një gjykim përfundimtar".

Puna e Grupit të Studimit u përqendrua te një analizë e thellë e profileve të disa grave në historinë e lashtë dhe më moderne të Kishës: duke filluar me matriarkat e Besëlidhjës së Vjetër, Marinë Madalenë, e deri te Zhan d'Ark, Hildegarda e Bingenit dhe Francesca Cabrini, e prap te Dorothy Day, Maria Montessori dhe Wanda Półtawska, më të rejat. Të gjitha këto gra "gëzonin autoritet dhe pushtet të vërtetë", dhe nuk ishin të kushtëzuara nga "sakramenti i meshtarisë", e megjithatë “e gjallëruan popullin e Hyjit”.

Një rrugë e gjatë për të bërë

Konsulentët e Grupit dhanë një kontribut themelor në hartimin e raportit, që është rezultati përfundimtar i konsultimit me të tjerët, i dallimit të veçorive dhe i kërkimit të konsensusit edhe kur interesat shpesh janë kundërshtuese mes tyre". Në dokument, bashkë me një "falënderim" me zemër për të gjitha gratë të cilat, nga Amazona e  deri në skajet e Afrikës dhe Evropës Qendrore, si dhe në Kurie, nëpër shkolla e nëpër shoqata të tjera janë "të përkushtuara për t'i shërbyer Kishës", shprehet edhe shqetësimi se, ndonëse është bërë shumë prap mbetet mjaft për t'u bërë. Shumë gra janë të shqetësuara në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në jetën e bashkësive

Shqetësimi kryesor

Dokumenti thekson numrin në rritje të grave – të reja dhe të moshuara – që po largohen nga Kisha Katolike ose nga pjesëmarrja aktive në shoqatat kishtare lokale. Bashkë me këtë, ka edhe një rënie të thirrjeve të grave për jetën rregulltare. E gjithë kjo, thotë dokumenti, është gjithashtu për shkak të një "krize të përgjithshme besimi".

Një aspekt tjetër i kësaj gjendjeje, që dokumenti nxjerr në pah është kërkesa gjithnjë e më e fortë nga gratë e përfshira në punën baritore ose ekspertet në teologji dhe të drejtën kanonike për të "rishikuar format aktuale të udhëheqjes së Kishës për t'i bërë ato më të prekshme për gratë". Këto përfshijnë: sakramentin e meshtarisë, mundësinë e krijimit të «ministrive» të reja me karakteristika të veçanta, mundësinë për të predikuar gjatë kremtimeve të bashkësisë dhe çështjen e "menaxhimit të një komuniteti ose të zyrave specifike dioqezane".

Ndryshimi i mendësisë

Raporti përfundimtar i Grupit 5 më pas bën thirrje për kapërcimin e një "grupi mendimesh dhe sjelljesh" të përhapura në mendësinë kishtare të identifikuara si "klerikalizëm" ose "maçoizëm". Domethënë, "qëndrime të lidhura me menaxhimin e pushtetit dhe përdorimin e gjuhës kur kjo krijon mosbesim". Problem i dukshëm është gjithashtu miratimi nga ana e klerit dhe e disa laikëve i "një kodi gjuhësor" që i identifikon femrat vetëm me tipare të tilla si "butësia, dorëzimi, bindja, dobësia", ose thjesht "me role që lidhen me familjen". Raporti përsërit rekomandimin për t'i "kushtuar vëmendje më të madhe gjuhës dhe imazheve të përdorura gjatë predikimeve, mësimdhënies, katekizmit dhe hartimit të dokumenteve zyrtare të Kishës".

Pengesat për njohjen e karizmave dhe të thirrjeve

Është e nevojshme të "pranohet se gratë vazhdojnë të hasin pengesa për pranimin më të plotë të karizmave të tyre, të thirrjes së tyre dhe vendit të tyre në sferat e ndryshme të jetës së Kishës, në dëm të shërbimit të tyre ndaj misionit të përbashkët", thuhet në një faqe tjetër të raportit përfundimtar të Grupit 5.

Gratë, lexohet në raport, i kanë dhënë shtysë të fortë misionit të bashkësisë së krishterë sepse janë dëshmitaret e para të besimit në familje, aktive në bashkësi dhe në famulli, janë të përkushtuara ndaj shkollave, spitaleve dhe strehave vorfnore, udhëheqin nismat për pajtimin dhe promovimin e dinjitetit njerëzor dhe të drejtësisë sociale, dhe zhvillojnë veprimtari kërkimore teologjike pranë institucioneve që lidhen me Kishën. "Është thelbësore", thuhet në dokument, "që i gjithë ky kontribut i grave në jetën e Kishës të realizohet në mënyrë më të plotë në kohën tonë, duke u dhënë zemër grave për misionin në dobi të Kishës dhe gjithashtu duke gjetur mënyra të reja për to që të marrin pjesë në udhëheqjen e e Kishës".

Asnjë lëshim

Çështja e grave është, sipas Grupit 5, "një shenjë e kohërave". Prandaj, ajo që kërkohet është një "ndryshim në mendësi, në të gjitha fushat e veprimit të Kishës". Së pari, duhet të shkojmë përtej konceptit se pjesëmarrja aktive e grave në jetën dhe në udhëheqjen e Kishës është një "lëshim" nga ana e autoritetive kishtare,sepse në të vërtetë gratë kanë të drejtë për këto gjëra ngaqë janë krijesa të pagëzuara dhe përçojnë karizma".

Në këtë drejtim, Grupi 5 thekson rëndësinë e "përshkrimit të rolit të grave në jetën e Kishës duke filluar nga realiteti në tërësinë e tij, i ndriçuar nga besimi, duke kapërcyer vizionin që kufizohet vetëm te disa karakteristika si amësia, butësia ose kujdesi. Një vizion i tillë anashkalon cilësi të tjera femërore po aq të rëndësishme si aftësia për udhëheqje dhe këshillim, mësimdhënia, dëgjimi i të tjerëve etj".

Shembulli i Marisë

Nga ky këndvështrim, anëtarët e Grupit 5 propozojnë "rishqyrtimin e tipit marian të roleve femërore në Kishë, veçanërisht mënyrën e paraqitjes së figurës së Marisë". Kjo gjë do të thotë të zhvendoset vëmendja drejt aspekteve që shkojnë përtej amësisë dhe synojnë më tepër "rolin e saj si dëshmitare, si një grua që mendon dhe pyet, e zhytur plotësisht në gëzimet dhe hidhërimet e popullit të saj, për të mos përmendur faktin se, sipas të gjitha gjasave dhe siç dëshmohet nga Veprat e apostujve 1:14, ajo ishte një pikë referimi për bashkësinë e parë të krishterë të mbledhur në lutje pas Ngjitjes së Krishtit në Qiell".

Prandaj, teologjia dhe magjisteri janë të thirrur të angazhohen "duke bashkëvepruar me jetën e njerëzve", duke shmangur "tundimin për të dhënë përgjigje të parapërgatitura", dhe duke ofruar "një këndvështrim që merr parasysh problemet e ditës dhe është fryt i kërkimit të përbashkët".

Emërimet e femrave në Kurien Romake

Në mbyllje, raporti përfundimtar analizon papnitë e Françeskut dhe Leonit XIV: i pari me emërimet e grave në pozicione të rëndësishme në Kurien Romake. Ky model i dy Papëve "është një model që duhet të na nxitë të mendohemi". Po ashtu, është një model që shumë dioqeza duhet ta ndjekin për të përparuar nga ana kishtare, thekson raporti.

Gjithashtu, mbi temën e emërimeve të grave dokumenti shqyrton kushtetutën apostolike «Praedicate Evangelium» mbi Kurien Romake. Aty thuhet se "çdo besimtar mund të kryesojë një dikaster ose një organizatë, duke pasur parasysh kompetencën specifike, fuqinë e qeverisjes dhe funksionin e kësaj të fundit". Ka zyra që kërkojnë sakramentin e shugurimit, por ky sakrament nuk i pengon mundësitë e tjera të shërbimit ministror". "Prandaj, mundësia që një grua të mbajë detyrën e kreut të një dikasteri ose të një organi tjetër të Vatikanit nuk duhet të diskutohet. Në të vërtetë, kjo gjë parashikohet nga një Kushtetutë Apostolike", pohon Grupi 5.

Në një pasazh tjetër, raporti thekson pasurimin që krijimi i mundësive për pjesëmarrjen e grave në role institucionale do të sillte në proceset e vendimmarrjes, falë "këndvështrimeve të ndryshme". Në këtë drejtim përmenden shembuj "të lavdërueshëm", siç janë dioqezat franceze që kanë figurën e "delegatit të përgjithshëm" ose të "delegatit ipeshkvnor", ose viset e Amazonës ku gratë udhëheqin veprimtaritë baritore të bashkësive, përveç ushtrimit të shërbesës së Fjalës dhe të Eukaristisë. Megjithatë, në disa situata, këta hapa janë "të vështirë për t'u bërë" dhe kërkojnë "një shndërrim të vërtetë kulturor, domethënë të mendësisë".

Mundësi të reja për përgjegjësitë

Propozimi i Grupit 5 është, pra, të përcaktohen fushat e kompetencës në mënyrë që të "hapet rruga për hapësirat e reja të përgjegjësisë për gratë në Kishë". Me fjalë tjera, po përsëritet sa u tha te dokumenti përfundimtar i Sinodit mbi Sinodalitetin e Kishës, domethënë, se "nuk ka arsye që i pengojnë gratë të marrin role udhëheqëse në Kishë".

10 mars 2026, 18:56