Second Session of the 16th Ordinary General Assembly of the Synod of Bishops

Sinodi: Botohen dy raportet e para përfundimtare mbi formimin meshtarak dhe misionin dixhital

Dy nga dhjetë grupet e studimit të krijuara për të hulumtuar temat e Sinodit paraqitën raportet e tyre përfundimtare mbi analizën, kërkimin dhe dëgjimin e të tjerëve, që kishin ndërmarrë muajt e fundit. Grupi 3 paraqiti propozime në lidhje me misionin në internet dhe kërkesën për ta përfshirë këtë te detyrat e zakonshme baritore. Grupi 4 nuk e rishikoi «Raportin mbi Meshtarët», por bëri sugjerime si përfshirja e grave dhe e laikëve në programe formimi. Pas paraqitjes, grupet u shpërndanë.

R. Sh. Vatikan

Dy nga dhjetë Grupet e Studimit – ato të krijuara nga Papë Françesku gjatë Sinodit mbi Sinodalitetin, për të dalë me ide dhe propozime rreth çështjeve që lindën gjatë Sinodit – i paraqitën raportet e tyre përfundimtare Leonit XIV. Këto raporte janë rezultat i një procesi të ndërlikuar ku përfshihet dëgjimi i ekspertëve dhe i profesionistëve të ndryshëm; analiza e kontributeve, kërkimi akademik dhe dialogu me Konferencat Ipeshkvnore dhe Universitetet Katolike. Bëhet fjalë këtu për Grupin 3 të Studimit, i cili kishte si temë «Misionin në mjedisin dixhital» dhe për Grupin 4 të Studimit, që hulumtoi «Rishikimin e Ratio Fundamentalis Institutionis Sacerdotalis në një Perspektivë Misionare Sinodale» – një dokument ky i vitit 2016, rreth formimit meshtarak.

Vetë Papa urdhëroi që, ndërsa këto dokumente t’i dorëzohen Sekretariatit të Përgjithshëm të Sinodit, të botohen dora-dorës me "frymë transparence". Botimi tjetër, në radhë, është planifikuar më 10 mars 2026, sipas një deklarate të Sekretariatit të Sinodit, i cili shpjegon se me prezantimin e këtyre dokumenteve, "Grupet e Studimit që i dorëzuan ato përfundojnë mandatin që u ishte besuar dhe për këtë arsye duhet të konsiderohen të shpërndara". Grupet, dhe veçanërisht bashkërenditësit dhe sekretarët, shprehin mirënjohjen për "bujarinë" dhe "kompetencën" që është treguar në "këtë udhëtim sa të vështirë aq edhe të frytshëm".

Sinodalizmi i zbatuar në praktikë

Grupet, të përbëra nga meshtarë dhe ekspertë të çdo kontinenti – paraqitën Raportet e tyre të Përkohshme më 17 nëntor. Ato ishin planifikuar të dorëzoheshin në qershor 2025, por kalimi në amshim i Papë Françeskut dhe zgjedhja e Leonit, dhe pastaj nevoja për më shumë kohë për punën, e bënë të domosdoshme zgjatjen e afatit. Papë Leoni XIV e miratoi zgjatjen e afatit por kërkoi që raportet përfundimtare t'i dorëzoheshin sa më shpejt të ishte e mundur. "Përtej vlerës së përmbajtjes së tyre, këto raporte dëshmojnë për përvojën e udhëtimit të ndërmarrë së bashku me dikasteret e Selisë së Shenjtë. Kjo nuk është hera e parë që dikasteret bashkëpunojnë në një projekt të përbashkët, por ka diçka më shumë në këtë mes,  sepse pati ushtrim të vërtetë në dëgjimin e të tjerëve, në reflektim dhe në shquarjen e së mirës në mënyrë të përbashkët. «Është sinodalitet i zbatuar në praktikë, jo thjesht bashkëpunim burokratik», deklaron kardinali Mario Grech, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit.

Propozime për misionin dixhital

Prandaj, me sot, përfundon mandati i Grupit 3 mbi misionin në mjedisin dixhital, domethënë, si ta jetosh misionin e Kishës në një kulturë që po merr formë gjithnjë e më shumë nga teknologjia dixhitale. Kjo temë pati dalë në pah gjatë Asamblesë Sinodale dhe u pat trajtuar gjithashtu në fjalimet dhe dëshmitë e ekspertëve të fushës. Grupi, siç u tha në një njoftim për shtyp, nisi një konsultim të gjerë që përfshinte veprimtarë dhe grupe kishtare nga të gjitha kontinentet. U analizuan sfidat dhe u formuluan «rekomandime se si të përfshihet misioni dixhital në strukturat e zakonshme të Kishës; mbi thellimin e nocionit të së drejtës territoriale në dritën e komuniteteve online dhe mbi trajnimin e meshtarëve dhe punonjësve baritorë në fushën e kulturës dixhitale».

Në raportin e tij, Grupi paraqiti më pas një varg propozimesh të ndërtuara në tri nivele (Selia e Shenjtë, konferencat ipeshkvnore dhe dioqezat). Në raport ka edhe një kapitull që i kushtohet metodologjisë së përdorur dhe organeve me të cilat janë bërë konsultime.

Nuk ka rishikim të «Ratio Fundamentalis rreth meshtarëve»

Nga ana e tij, Grupi 4 nuk e rishikoi – siç ishte planifikuar – «Ratio Fundamentalis Institutionis Sacerdotalis» – që shqip do të thotë «dhunti e thirrjes meshtarake», pasi "i konsideron ende të vlefshme parimet themelore të atij dokumenti".

Në vend të rishikimit, Grupi 4 mendoi të paraqiste propozim për një Dokument Udhëzues si të zbatohej «Ratio Fundamentalis» në rrethana sinodale dhe misionare.

Dokumenti i Grupit 4 fillon me një hyrje; pjesa e parë përmban një varg "konvertimesh" të nevojshme për formimin meshtarak, si stili i marrëdhënieve, ana misionare, kungimi, shërbimi dhe përqafimi i stilit sinodal.

Pjesa e dytë e raportit ka disa udhëzime që i kthejnë këto «konvertime» në plane konkrete veprimi. Ndër propozimet më domethënëse ishin: "Ndërthurja e jetës midis seminarit dhe asaj në famulli ose në mjedise të tjera kishtare; përvoja dhe veprimtari formuese të përbashkëta me laikët, persona të kushtuar dhe ministra të shuguruar që në fazën përgatitore; përfshirja e grave të trajnuara dhe kompetente si udhëheqëse me të tjerët në të gjitha nivelet e formimit, përfshirë ekipin e formimit dhe në fund, një propozim tjetër interesant «fitimi i aftësive për përgjegjësi me të tjerët dhe për shquarjen e zgjidhjes së duhur në bashkësi."

Vlerësimi dhe miratimi i Papës

Bazuar te këto Raporte Përfundimtare – ndërsa po pret ato të radhës tjetër – Papa u kërkoi dikastereve përkatëse dhe Sekretariatit të Përgjithshëm të Sinodit të dalin me "propozime operacionale", duke përfshirë këtë edhe një përshkrim të zgjedhjeve të bëra dhe "çdo gjëje që nuk është zbatuar", në mënyrë që përmbajtja që del në pah të përkthehet në udhëzime, vendime dhe procese sipas një "dinamizmi sinodal". Pasi të jenë formuluar në këtë mënyrë, propozimet operacionale do t'i paraqiten Papës, i cili do t'i vlerësojë dhe do t’i miratojë ato.

Në këtë kuptim, kardinali Grech sqaron më tej, "Raportet përfundimtare duhet të kuptohen si dokumente pune, një pikënisje, jo pikë mbërritjeje".

Këto janë dokumente pune studimore por përmbajnë "tregues të vlefshëm" prej të cilëve, Kishat vendase dhe grupet e ndryshme kishtare mund frymëzohen tani e tutje. "Kjo është fryma e sinodalitetit: një udhëtim që nuk ndalet kurrë, në të cilin çdo fazë sjell të reja."

07 mars 2026, 11:42