"Shcientists for peace", thirrja e Akademisë për Jetën, në kërkim të udhëve drejt paqes
R.SH. / Vatikan
A mund të kontribuojë kërkimi shkencor, me metodat dhe objektet e tij të hetimit, në kërkimin e paqes? Kjo është pyetja që bën Akademia Papnore për Jetën e cila, duke përmbushur misionin e saj specifik, studion, nga një perspektivë ndërdisiplinore, çështje që kanë të bëjnë me nxitjen dhe mbrojtjen e jetës njerëzore. Mbi këtë bazë, po bën thirrje për veprimin "Shkencëtarët për Paqe", sponsorizuar nga Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit Njerëzor Integral, hapur për shkencëtarët, studiuesit dhe akademikët e të gjitha disiplinave, pavarësisht nga kombësia, tradita kulturore, orientimi politik ose përkatësia fetare.
Impenjimi në kërkim të shtigjeve të paqes e të pajtimit
"Në një çast të veçantë historik, në të cilin gjuha e armëve, e luftës dhe shpërthimi i dhunës marrin rëndësi tragjike globale që kufizon edhe kërkimin shkencor", thuhet në një deklaratë nga Vatikani, "shkencëtarët dhe akademikët në të gjithë botën janë të thirrur të mbrojnë paqen dhe të angazhohen në kërkimin e shtigjeve drejt pajtimit dhe zgjidhjes së konflikteve, duke filluar nga praktika e përditshme e kërkimit të tyre". Akademia për Jetën vëren se "konkurrenca dhe debati nuk mungojnë në bashkësinë e sotme shkencore, por mënyra se si mund të përballohen, mund të bazohet mbi komunikimin transparent të informacionit dhe kapërcimin e interesave personale, me qëllim kontributin në trashëgiminë e përbashkët të dijes, edhe përtej kufijve kombëtarë".
Disa vija praktike
Për këtë arsye, sugjerohet të mbështetemi tek Mesazhi i Papës Leoni XIV për Ditën e 59-të Botërore të Paqes, ku theksohet, në veçanti:
"Paqja ekziston, dëshiron të banojë brenda nesh, ka fuqinë e butë për të ndriçuar e për të zgjeruar inteligjencën, i bën ballë dhunës dhe e mposht". Përsëriten, pastaj, disa udhëzime kryesore, të cilat janë gjithashtu objektiva që duhen mbajtur lart, "në mënyrë që kërkimi shkencor të mund të ofrojë kontributin e tij origjinal, vendimtar dhe themelor për ndërtimin e paqes".
Është fjala, kërkojnë nxitësit e inisiativës, të njihet kërkimi shkencor si praktikë e rëndësishme e paqes; të vlerësohet ndikimi i kërkimit për ndërtimin e kulturës së paqes: të vlerësohen bashkësia shkencore ndërkombëtare dhe shoqëria, si vende të diplomacisë, bazuar mbi projektet e mëdha ndërkombëtare e bashkëpunuese e projektet kërkimore që përfshijnë shkencëtarë dhe institucione të popujve dhe kulturave të ndryshme; të jepet kontribut në reflektimin kritik mbi sistemet monopolistike dhe keqpërshtatjen e sistemit të pronësisë intelektuale që mund të krijojë padrejtësi dhe konflikt; të monitorohet rreziku i përdorimit të dyfishtë të gjetjeve të kërkimit, të zhvilluara për qëllime civile paqësore, por që potencialisht mund të keqpërdoren, duke përfshirë edhe ato të sektorit ushtarak; vendosje e zbulimeve dhe shpikjeve në shërbim të paqes, duke kontribuar në debatin mbi projektimin dhe përdorimin e armëve për vetëmbrojtje si dhe zhvillimin e kërkimeve që synojnë zgjidhjen e konflikteve paqësore dhe eliminimin e shkaqeve të tyre.