Kërko

Seminar rreth inteligjencës artificiale në Vatikan. Tighe: Kisha të mbështesë zhvillimin e sistemeve etike

Sekretaria e Selisë së Shenjtë për Ekonominë dhe Zyra e Punës e Selisë Apostolike (ULSA) organizon një veprimtari kushtuar rreziqeve dhe mundësive të teknologjive të reja, tema që Leoni XIV i vlerëson dhe i nxit. Sekretari i Dikasterit për Kulturë dhe Arsim paralajmëron kundër "paradigmës teknokratike" që i sheh këto mjete si jo-neutrale dhe ripohon rolin e Selisë së Shenjtë në promovimin e një mbarështimi të përbotshëm të IA-le.

R.Sh. Vatikan

"Bollëk mjetesh dhe qëllime të paqarta." Kjo formulë që i mvishet Albert Ajnshtajnit i përshtatet një bote të ndikuar dhe që po merr trajtë nga teknologjitë e reja. Interesat në lojë janë të shumëfishta dhe jo-neutrale. Pikërisht në këtë kontekst Selia e Shenjtë, e pandikuar nga interesat ushtarake ose tregtare, mund të luajë një rol kyç në promovimin e qeverisjes globale që nxit sisteme që janë "etike duke filluar nga vetë formati i tyre".

Këto ishin disa nga konceptet që dolën gjatë seminarit "Potenciali dhe sfidat e inteligjencës artificiale", organizuar nga Sekretaria e Selisë së Shenjtë për Ekonominë dhe Zyra e Punës e Selisë Apostolike (ULSA), mbajtur sot paradite, më 2 mars, në Sallën Shën Piu X, në Romë. Punimet u hapën nga profesor Pasquale Passalacqua, drejtor i ULSA-s, i cili theksoi se vetë Papa Leoni XIV, pasi u informua drejtpërdrejt rreth nismës, "e vlerësoi dhe e inkurajoi" atë, duke bërë thirrje për një "ndërgjegjësim më të thellë në këtë fushë kaq aktuale dhe të ndërlikuar". Diskutimet u drejtuan nga Alessandro Gisotti, zëvendësdrejtor editorial i Dikasterit të Vatikanit për Komunikim. Ndër folësit, bënin pjesë imzot Paul Tighe, sekretar i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Kulturë dhe Arsim; Atë Paolo Benanti, profesor në Universitetin Papnor Gregorian dhe në Universitetin LUISS Guido Carli; dhe profesor Corrado Giustozzi, profesor në programin e masterit në Inxhinieri të Sistemeve Inteligjente në Universitetin Campus Bio-Medico.

Duke menduar për praninë dhe misionin në botë

Imzot Tighe ngriti disa pyetje në fillim të fjalimit të tij, duke shqyrtuar se si Kisha, dhe gjithashtu Kuria Romake, duhet të mendojnë për praninë dhe misionin e saj në një botë të transformuar nga inteligjenca artificiale: Si mund të jetë Kisha një prani pozitive në këtë botë të re, të guximshme? Si mund të ndihmojmë të sigurohemi që potenciali i IA-së t'i shërbejë përparimit të vërtetë të njerëzimit, "pa i përkeqësuar përçarjet ekzistuese?"

Paqëndrueshmëria, pasiguria, kompleksiteti, dykuptimësia

Duke përmbledhur pasojat e publikimit të ChatGPT në vitin 2022, një nga chatbot-et më të njohura të zhvilluara nga kompania amerikane OpenAI, ipeshkvi irlandez përdori akronimin PPKD: Paqëndrueshmëri, Pasiguri, Kompleksitet dhe Dykuptimësi. Ky është një kontekst kaq i shpejtë dhe i paparashikueshëm saqë edhe vetë zhvilluesit nuk janë të vetëdijshëm, në një garë që ndërthur "sfidat ekonomike dhe politike". Në këtë mes, premtimet për një "të ardhme të ndritur" rrinë sipër "kërcënimeve ekzistenciale". Rreziqet, "pa dashur të flasim me retorikën e fundit të botës", janë konkrete sepse përfshijnë: "armët biologjike, propagandën, dezinformimin, sistemet përtej kontrollit njerëzor".

Përballja me "paradigmën teknokratike"

Sekretari i Dikasterit të Vatikanit për Kulturë dhe Arsim më pas bëri thirrje për një pikë takimi midis shkollave të ndryshme të mendimit: "Mundësitë që shfaqen drejt së ardhmes janë të pafundme", pati thënë filozofi austriak Karl Popper. Megjithatë, e ardhmja nuk mund ta injorojë agjencinë njerëzore, domethënë "përgjegjësinë e veprimeve të njeriut". Kjo aksiomë u pohua nga Papa Benedikti XVI në enciklikën «Caritas in Veritate» dhe sot përsëritet në thirrjen drejtuar të gjithë Kishës për të "mbështetur zhvillimin e sistemeve të IA-së që janë etike për nga formati i tyre, domethënë etike që nga fillimi i tyre". Përfaqësimi, transparenca dhe kuptueshmëria janë fjalë kyçe për t'iu kundërvënë "paradigmës teknokratike" të cilën e nënvizoi Papë Françesku. Kjo e fundit rrezikon të shumëfishojë padrejtësitë, pabarazitë, polarizimin dhe kërcënimet mjedisore në vend që t'i hulumtojë ato.

Inteligjenca Artificiale etike

Zhvillimi i inteligjencës artificiale, pra, nuk ndodh në hapësira asnjanëse, përsëriti ipeshkvi. Në të vërtetë, ky zhvillim është i ndërthurur me "rivalitete gjeopolitike, presione tregtare dhe me krenarinë e secilit", të cilat mund të minojnë anën etike. Në mungesë të rregulloreve ndërkombëtare, "fuqitë e mëdha synojnë epërsinë teknologjike, veçanërisht në fushën ushtarake", ndërsa "ndërgjegjësimi se mund të jetë një flluskë e mundshme financiare na nxit të rrezikojmë, pa marrë parasysh sigurinë". Në këtë drejtim, imzot Tighe përmendi lajmet e fundit dhe rastin e «Anthropic»-ut, një ndërmarrje amerikane e themeluar me qëllim zhvillimin e një intelegjence artificiale më etike dhe më të pavarur nga "trysnia që politika ushtron mbi të që kjo të mos jetë aq e shtrënguar me angazhimet etike të cilat nuk e pranojnë përdorimin e IA për qëllime ushtarake dhe përgjimi".

Rreziqet shoqërore të teknologjive të reja

Në nivel shoqëror, modelet e inteligjencës artificiale shpesh rifillojnë dhe intensifikojnë dinamikat e dëmshme të vendosura tashmë nga dixhitalizimi: individualizmi, polarizimi, "mungesa e kujtesës së përbashkët dhe shpresës kolektive, mbizotërimi i emocioneve mbi argumentimin". Modelet janë krijuar për të kënaqur përdoruesin, shpesh nga të njëjtat kompani që kontrollojnë mediat sociale, deri në pikën e "lajkatimit" të tyre dhe gjenerimit të "halucinacioneve", duke ofruar "përgjigje më shumë të pritshme sesa të sakta". 

Sekretari i Dikasterit të Vatikanit për Kulturë dhe Arsim imzot Tighe theksoi më tej rrezikun e përqendrimit të pasurisë dhe pushtetit nga IA "tek shumë pak duar", duke e lidhur zhvillimin e saj me sfida të mëdha globale, siç është lufta kundër ndryshimeve klimatike ose kujdesi mjekësor, dhe duke i bërë jehonë thirrjes së Papa Françeskut për reforma sistemike politike dhe ekonomike. Ai gjithashtu theksoi rrezikun kur detyra të posaçme njerëzore i lihen në dorë inteligjencës artificale. Kjo është veçanërisht e rrezikshme për ata që nuk janë në gjendje të vlerësojnë në mënyrë kritike rezultatet e saj dhe të bëjnë pyetje të përshtatshme. Kjo gjë ndikon jo vetëm në mjediset e punës dhe akademike, por edhe në ato personale, të marrëdhënieve shoqërore dhe shpirtërore, duke vërtetuar pohimin e psikologut Abraham Maslow: "Atij që ka një çekiç, gjithçka i duket si një gozhdë".

Kisha udhëheq zhvillimin e IA-së

Përballë çështjeve kaq të ndërlikuara, ipeshkvi kujtoi dokumentin «Antiqua et Nova», të zhvilluar në bashkëpunim me Dikasterin e Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesët, duke treguar se "urtësia e zemrës, që përmbledh gjithçka", është ajo që njerëzimit i duhet më shumë sot: një inteligjencë që, përballë fuqisë së mjeteve në dispozicion, vë në pikëpyetje shërbimin e tyre, qëllimet e tyre dhe pasojat e tyre. Ky kuadër shpjegon "vëmendjen e ngjallur nga angazhimi i Papa Leonit XIV për të përfshirë reflektimin rreth inteligjencës artificiale ndër përparsitë e papnisë së tij". Nga ana e vet, Kisha gëzon "autoritetin moral" dhe aftësinë për të bashkuar specialistë të kualifikuar, duke u bërë një partnere e rëndësishme në udhëheqjen e zhvillimit të IA-së.

Dituria: një dhuratë, jo diçka e dhënë

Imzot Tighe shpjegoi, pikë për pikë, se si këto parime mund të përkthehen në veprime konkrete nga Kisha. Në frontin e konkurrencës, kjo gjë mund të bëhet duke promovuar bashkëpunimin dhe qeverisjen globale të teknologjive të reja; Në kontekstin e polarizimit, duke riafirmuar kulturën e takimit dhe dialogut; Lidhur me pabarazitë, duke kujtuar se "një marrëveshje sociale realiste" duhet të bashkojë gjithashtu kultura dhe botëkuptime të ndryshme.

Në fund, mbi çështjen e "delegimit njohës", duke pohuar edhe njëherë vizionin katolik për arsimin imzot Tighe tha se dija nuk është thjesht e dhënë, por diçka që marrim që e përpunojmë dhe e përcjellim. Sekretari i Dikasterit të Vatikanit për Kulturë dhe Arsim përfundoi fjalimin e tij duke treguar përgjegjësinë specifike të Kuries Romake në lidhje me IA-në: "rritja e ndërgjegjësimit për problemet" dhe "mbështetja e punës së Kishës në të gjithë botën". Konkretisht, kjo do të thotë se duhet forcuar rrjeti i universiteteve katolike, veçanërisht i fakulteteve të teologjisë dhe të filozofisë.

Çfarë është një algoritëm?

Vërejtjet e profesor Giustozzi-t u përqendruan te tiparet e inteligjencës artificiale dhe atë çka nënkupton ajo.

Çështjet e mprehta të teknologjive të reja

Pas paraqitjes së figurës së matematikanit persian Abu Ja'far Muhammad ibn Musa al-Khwarizmi, i cili jetoi ndërmjet shekujve të 8-të dhe të 9-të dhe qe pionier i një qasjeje sistematike dhe logjike për zgjidhjen e ekuacioneve të shkallës së parë dhe të dytë, lektori shqyrtoi çështjet kryesore kritike të proceseve të vendimmarrjes algoritmike. Midis tyre është problemi i paragjykimeve: algoritmet mund të zbatojnë mekanikisht "strategji zgjedhjeje që janë në mendjen e krijuesit të tyre", duke përfshirë ndonjëherë paragjykime, qoftë me mirëbesim apo të qëllimshme, që i shtrembërojnë ose i bëjnë rezultatet të gabuara. Një shembull i cituar është Indeksi i Zhvillimit Njerëzor (HDI), i zhvilluar nga Kombet e Bashkuara që nga viti 1993, i cili shpesh është kritikuar për prirjen për të "shpërblyer modelet sociale që i ngjajnë më shumë Norvegjisë". Për më tepër, një algoritëm mund të jetë joefektiv nëse problemi formulohet gabimisht. Ai mund të prodhojë rezultate të shtrembëruara nëse bazohet në supozime të pasakta ose të dhëna të përafërta, ose mund të dështojë nëse nuk është "vlerësuar në mënyrë të duhur në një numër të mjaftueshëm rastesh të rëndësishme" ose nëse "zbatimi i tij vuan nga gabime logjike ose programimi".

Rëndësia e trajnimit për IA-në

Gjatë këtij diskutimi, profesor Giustozzi shpjegoi se algoritmet tipike të inteligjencës artificiale veprojnë në një nivel më të lartë abstraksioni dhe nuk janë medoemos deterministe: ato nuk kodifikojnë thjesht "çfarë duhet bërë për të zgjidhur një problem", por përkundrazi "çfarë duhet bërë për të mësuar se si ta zgjidhim atë". Prandaj, ato përkufizohen si "të hapura", pasi "rezultatet e tyre nuk rrjedhin drejtpërdrejt nga rregullat, por varen nga përvoja e fituar nga sistemi". Në këtë kuptim, trajnimi, ose faza e mësimdhënies, merr një rol vendimtar në zhvillimin e algoritmit: nëse të dhënat janë të mangëta ose të shtrembëruara, rezultatet në mënyrë të pashmangshme do të jenë të pasakta ose diskriminuese. Në fund, profesori tërhoqi vëmendjen ndaj rreziqeve që lidhen me përdorimin e IA-së, duke theksuar se ajo duhet të konsiderohet gjithmonë si "mbështetje" për aktivitetin njerëzor dhe se rezultatet e saj duhet t'i nënshtrohen një shqyrtimi të vazhdueshëm kritik.

Njohja dhe respektimi i asaj që e karakterizon njerëzimin

Në hapje të seminarit, profesor Passalacqua përcolli përshëndetjet nga kryetari i Zyrës së Punës së Selisë Papnore (ULSA), imzot Marco Sprizzi, i cili nuk mundi të merrte pjesë në takim për shkak të angazhimit të tij për të festuar dyqindvjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Brazilit dhe Selisë së Shenjtë. Në përshëndetjen e tij, pasi përmendi se kjo ngjarje kishte tërhequr vëmendjen e Papës, pasi ishte informuar rreth saj nga imzot Sprizzi në audiencën që iu dha më 6 shkurt, ai kujtoi fjalët e vetë Papës, i cili, në audiencën e tij, dhjetorin e kaluar, me pjesëmarrësit në konferencën «Inteligjenca Artificiale dhe kujdesi për shtëpinë tonë të përbashkët», kishte theksuar se "njohja dhe respektimi i asaj që karakterizon personin njerëzor dhe garanton rritjen e tij harmonike" është "thelbësore për krijimin e një kuadri të përshtatshëm për menaxhimin e pasojave të inteligjencës artificiale".

02 mars 2026, 13:14