Selia e Shenjtë: "të krishterët, komuniteti më i persekutuar në botë"
R.SH. – Vatikan
“Pothuajse 400 milionë të krishterë, apo 1 në 7 të krishterë, janë viktima të persekutimeve ose dhunës. Bëhet fjalë për komunitetin fetar më të persekutuar në botë. Në vitin 2025, pothuajse 5000 besimtarë u vranë për shkak të fesë së tyre. Në thelb, trembëdhjetë në ditë”. Denoncimi vjen nga kryeipeshkvi imzot Ettore Balestrero, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, i cili ndërhyri me rastin e iniciativës së promovuar nga Zsòfia Havasi, përfaqësuese e përhershme e Hungarisë pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, me titull: “Krahas të krishterëve të persekutuar: të mbrojmë fenë dhe vlerat e krishtera”.
Martirë dhe dëshmitarë
“Ata që u vranë për shkak të fesë së tyre janë martirë në kuptimin etimologjik të fjalës: dëshmitarë të besimit të tyre që mishërojnë vlera të cilat sfidojnë logjikën e pushtetit”, shpjegoi imzot Balestrero, duke shtuar se “nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, përkundrazi, ata janë viktima të shkeljeve skandaloze të të drejtave të njeriut. Dëshmia e tyre nuk duhet të largojë vëmendjen nga përgjegjësia themelore e shteteve që duhet t’i kishin mbrojtur”.
Për Vëzhguesin e Përhershëm të Vatikanit pranë Kombeve të Bashkuara, në fakt: “një shtet duhet të respektojë lirinë e fesë ose të besimit dhe të përmbahet nga ndërhyrja në aftësinë e individëve ose grupeve për të dëshmuar fenë e tyre privatisht ose publikisht përmes kultit, praktikës dhe mësimdhënies. Është detyrë e shtetit”, vazhdoi imzot Balestrero, “të mbrojë lirinë e fesë ose të besimit, gjë që përfshin pengimin e palëve të treta për të shkelur këtë të drejtë. Kjo mbrojtje duhet të mbrojë besimtarët që janë në shënjestër, para, gjatë dhe pas një sulmi. Megjithatë, pandëshkueshmëria mbetet një nga çështjet më të rënda në panoramën globale të persekutimit fetar. Një shtet duhet të promovojë lirinë e fesë ose të besimit, para së gjithash sepse bëhet fjalë për një të drejtë njerëzore themelore”, nënvizoi ai.
Një plagë që godet të gjitha vendet
Kryeipeshkvi imzot Balestrero u shpreh thellësisht i shqetësuar për miliona besimtarë që janë viktima të dhunës fizike, nënshtrimit, ndalimeve të paligjshme, shpronësimit të pasurisë, skllavërisë, dëbimit të detyruar dhe madje edhe vrasjes për shkak të bindjeve të tyre fetare. “Kjo plagë”, sqaroi ai, “godet të gjitha vendet. Sipas raportit mbi krimet e urrejtjes të Zyrës për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut të OSBE-së, vetëm në vitin 2024 në Evropë janë regjistruar mbi 760 krime urrejtjeje kundër të krishterëve”. Vëzhguesi i Përhershëm të Vatikanit pranë Kombeve të Bashkuara tregoi edhe forma të tjera keqtrajtimi, më delikate dhe shpesh të heshtura, që nuk dallohen lehtësisht nga statistikat. “Mes tyre është një lloj persekutimi i sjellshëm, i cili shpesh merr formën e diskriminimit përmes një margjinalizimi gradual dhe përjashtimit nga jeta politike, sociale dhe profesionale, madje edhe në toka tradicionalisht të krishtera. Ai merr gjithashtu formën e kufizimeve dhe limitimeve më diskrete, sipas të cilave normat juridike dhe praktikat administrative ngushtojnë ose faktikisht anulojnë të drejtat e njohura ligjërisht për popullsinë kryesisht të krishterë, madje edhe në disa pjesë të Evropës”.
Simboli i Kryqit
Imzot Balestrero e përfundoi ndërhyrjen e tij me një “mendim”, simbolik dhe në të njëjtën kohë thellësisht konkret: Kryqin. “Ai formohet nga dy vija që kryqëzohen: ajo vertikale përfaqëson hapjen e njeriut ndaj transcendencës, ndërsa ajo horizontale simbolizon lidhjen e njeriut me të tjerët. Sulmet ndaj dimensionit vertikal kërkojnë të ndërpresin marrëdhënien midis ndërgjegjes dhe Zotit, duke e mbyllur fenë në heshtje. Sulmet kundër dimensionit horizontal ndodhin kur të krishterët persekutohen, gjë që e privon personin njerëzor nga aftësia e tij e lindur për t'iu përgjigjur lirisht thirrjes së të vërtetës”.