Kërko

Për një bujqësi efikase Për një bujqësi efikase

Selia e Shenjtë: modele më të efektshme e të qëndrueshme për prodhimin agroushqimor

Fjala e vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë FAO, IFAD dhe WFP, Imzot Fernando Chica Arellano, në sesionin e 39-të të Konferencës Rajonale për Amerikën Latine dhe Karaibet: "E domosdoshme të përballohen në mënyrë të përgjithshme përmasat ambientale, ekonomike dhe sociale të prodhimit bujqësor".

R.SH. / Vatikan

Në sesionin e 39-të të Konferencës Rajonale për Amerikën Latine dhe Karaibet (LARC), që zhvillohet nga 2 deri në 6 mars, në Brasilia, Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në FAO, IFAD dhe WFP, Imzot Fernando Chica Arellano, shprehu shqetësim për një rajon – për Amerikën Latine dhe Karaibet që - pavarësisht se krenohet për biodiversitet e jashtëzakonshme, "aleat i vlefshëm për sigurinë globale ushqimore", preket gjithnjë e më shumë nga fatkeqësitë natyrore, të cilat ndikojnë në urinë, varfërinë dhe degradimin mjedisor.

Politikat dhe të rejat për bujqësi efikase

"Për fat të keq - u ankua Imzot Arellano - emergjenca klimatike nuk i përket një të ardhmeje të mundshme, por është diçka që po e jetojmë tashmë sot, me pasoja dramatike, që komprometojnë sigurinë ushqimore". Duke kujtuar fjalët e Leonit XIV në selinë e FAO-s, më 16 tetor - "Në një epokë në të cilën shkenca e zgjati jetëgjatësinë, teknologjia afroi kontinentet e njohuria hapi horizonte të paimagjinueshme më parë: lejimi i miliona qenieve njerëzore të jetojnë - dhe të vdesin - të goditur nga uria është dështim kolektiv, çorientim etik, mëkat historik".

Përfaqësuesi i Vatikanit në FAO, IFAD dhe WFP  theksoi se "prandaj është e domosdoshme të adresohen në mënyrë gjithëpërfshirëse përmasat  mjedisore, ekonomike dhe sociale të prodhimit bujqësor, duke mbështetur vendet e rajonit në integrimin e politikave, teknologjive dhe inovacioneve, për të rritur produktivitetin dhe për të lehtësuar shndërrimin e sistemeve agro-ushqimore drejt praktikave më të qëndrueshme, të cilat mbrojnë jetesën dhe burimet natyrore".

Zbatimi teknologjik duhet të bazohet mbi kritere etike

"Për t'iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme sfidave aktuale", vazhdoi Vëzhguesi i Përhershëm imzot Arellano, "është themelore të jesh në gjendje të mbështetesh në aleanca të forta strategjike. Në këtë kontekst, sektori shkencor luan rol të konsiderueshëm në krijimin e inovacionit dhe të njohurive, për ta shpejtuar transformimin e sistemeve agro-ushqimore drejt modeleve më të kënaqshme dhe më elastike". Së fundi, preku nevojën për të siguruar llogaridhënie, në mënyrë që "përdorimi i teknologjisë të bazohet gjithnjë në etikë dhe në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor".

06 mars 2026, 12:01