Kërko

Gratë afgane që përgatisin ushqim (ANSA) Gratë afgane që përgatisin ushqim (ANSA)

Selia e Shenjtë: jo barrës së borxhit të jashtëm, që nuk e respekton dinjitetin njerëzor

Kryeipeshkvi Ettore Balestrero, vëzhgues i përhershëm pranë OKB-së së Gjenevës, foli në Sesionin e 61-të të zakonshëm të Këshillit të të Drejtave Njerëzore: vendet debitore duhet të miratojnë një sistem qeverisjeje të mirë brenda vendit, ndërsa vendet kreditore, nuk duhet ta rëndojnë varfërinë.

R.SH, / Vatikan

Të kesh nevojë të shlyesh një borxh të mbetur e të mos jesh në gjendje t’i marrësh paratë e nevojshme për të "ushqyer të mirën e përbashkët", domethënë, për të siguruar "nevojat themelore si ushqimi, uji i pijshëm, kujdesi shëndetësor, strehimi dhe mbrojtja sociale". Është diçka që ndodh "në shumë kombe, veçanërisht në Jugun global", vuri në dukje Kryeipeshkvi imzot Ettore Balestrero, Vëzhgues i Përhershëmi Selisë së Shenjtë pranë OKB-së në Gjenevë, i cili dje, 5 mars, foli në Sesionin e 61-të të zakonshëm të Këshillit të të Drejtave të Njeriut.

Krizë morale, më se dilemë ekonomike

Prelati u ndal kryesisht tek ato shtete që "janë përballë zgjedhjeve të pamundura: të paguajnë kreditorët ose të shlyejnë detyrimet themelore ndaj popullatave të tyre". Kjo nuk është thjesht "dilemë ekonomike"; për përfaqësuesin papnor, është më tepër "krizë e thellë e moralit dhe e të drejtave të njeriut". Kjo ndodh edhe sepse, thekson ai, "borxhi i tepërt zvogëlon hapësirën fiskale, imponon masa shtrënguese regresive dhe përjetëson ciklet e varfërisë dhe të pabarazisë, duke penguar drejtpërdrejt realizimin progresiv të të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore".

Praktikat e mira

Imzot Balestrero u drejtohet si vendeve debitore, ashtu edhe atyre kreditore. Të parët, argumenton, "duhet të angazhohen për të miratuar  sistemin tatimor, që respekton parimet e qeverisjes së mirë, transparencës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies". Nëse taksat dhe shpenzimet publike "perceptohen si të drejta dhe të orientuara nga e mira e përbashkët", pohon ai, "nxiten kohezioni social dhe pjesëmarrja vullnetare, duke zgjeruar kështu aftësinë e shtetit për të mobilizuar burimet". Nga ana tjetër, kreditorët dypalësh, shumëpalësh dhe privatë duhet të sigurojnë "që praktikat e huadhënies të respektojnë dinjitetin njerëzor dhe të mos keqësojnë varfërinë dhe vështirësitë".

Jo "huadhënieve grabitqare".

E kundër kujdesit të këtij dinjiteti janë sigurisht , thekson prelati, "borxhet e paligjshme, konkurrenca tatimore dhe huadhënia grabitqare", pasi ato "shkatërrojnë kontratën shoqërore dhe pengojnë aftësinë e shteteve për të  shlyer detyrimet e tyre themelore".

Shpresa e fundit, e pasqyruar në fjalët e Leonit XIV, është që në nivel ndërkombëtar "të bëhet çdo përpjekje për të kapërcyer pabarazitë globale [...] të cilat po krijojnë përçarje të thella ndërmjet kontinenteve, vendeve e, madje, edhe brenda shoqërive individuale".

06 mars 2026, 14:13