Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Kremtimet e Javës së Madhe 2026 të udhëhequra nga Papa Leoni XIV

Zyra e Kremtimeve Liturgjike të Atit të Shenjtë ka bërë të ditur kalendarin e kremtimeve të Javës së Shenjtë të Madhe të Pashkëve që do të kryesohen nga Papa Leoni XIV në Vatikan. Kremtimet do të fillojnë të Dielën e Larit më 29 mars dhe deri të Dielën e Pashkëve më 5 prill.

R.SH. / Vatikan

Zyra e Kremtimeve Liturgjike të Atit të Shenjtë ka bërë të ditur kalendarin e kremtimeve të Javës së Shenjtë që do të kryesohen nga Papa Leoni XIV në Vatikan. Kremtimet do të fillojnë të Dielën e Larit (Palmave), më 29 mars, me Përkujtimin e hyrjes  solemne të Jezu Krishtit Zot në Jeruzalem dhe Meshën e Shenjtë në Sheshin e Shën Pjetrit në orën 10.00.

 Enjten e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, më 2 prill, Ati i Shenjtë Prevost do të kryesojë Meshën e Bagmit (Krizmale, me bekimin e vajrave të shenjtë) në Bazilikën e Shën Pjetrit në orën 9.30, ndërsa pasdite do të kremtohet Mesha e Darkës së Krishtit Zot me apostuj në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran në orën 17.30.

Të Premten e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve , më 3 prill, Papa do të kryesojë Kremtimin e Mundimeve të Jezu Krishtit Zot në Bazilikën e Shën Pjetrit në orën 17.00. Po atë ditë, në mbrëmje, do të zhvillohet Udha tradicionale e Kryqit (Udhën e Kryqit, përshkon Mundimet e Jezu Krishtit) pranë amfiteatrit romak Koloseum në orën 21.15.

Të Shtunën e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, më 4 prill, Papa do të kremtojë Vigjiljen e Pashkëve në Bazilikën e Shën Pjetrit, liturgjinë e Natës së Shenjtë, në orën 21.00.

Të Dielën e Pashkëve, më 5 prill, bekimi "Urbi et Orbi". Së fundi, të dielën e Pashkëve, më 5 prill, Papa Leoni do të kryesojë Meshën e së Dielës së Ngjalljes së Jezu Krishtit, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në orën 10.15, pas së cilës do të japë Bekimin tradicional apostolik “Urbi et Orbi” (për qytetin e Romës dhe botën) nga lozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit në orën 12.00.

09 mars 2026, 11:15