Nunci në Kuvajt: “një luftë e gjatë nuk i sjell dobi askujt në këtë zonë që qysh tashti është nën trysni”
R.SH. - Vatikan
Pesë persona u vranë në Gjirin Persik që nga e shtuna, 28 shkurt, të gjithë shtetas të huaj: një në Kuvajt, tre në Emirate dhe një në Bahrein. Të hënën, më 2 mars, shpërthime të reja u dëgjuan në Dubai, Abu Dabi, Doha dhe Manama. Në Kuvajt, tym i dendur u ngrit nga ambasada amerikane. Sulmet iraniane po i dridhin të gjitha këto shtete të Gadishullit Arabik, të cilat mbaheshin gjithmonë si vende të sigurta.
Në intervistën e mëposhtme për «Vatican News», kryeipeshkvi Imzot Eugene Nugent, nunc apostolik në Kuvajt, Bahrein dhe Katar, përshkruan gjendjen dhe dëshirën e Kishës për paqe. Duke folur rreth Iranit, Papa Leoni XIV tha: «Paqja nuk ndërtohet me kërcënime të ndërsjella e as me armë vdekjeprurëse».
Pyetje: Cila është gjendja e tashme në Kuvajt, aty ku ndodheni ju?
Situata është dramatike dhe po përkeqësohet dita-ditës. Natën e kaluar nuk mbyllëm sy për shkak të një varg shpërthimesh nga ora 2:00 e mëngjesit e në vijim, me sirenat që nuk pushonin. Këtë mëngjes, mësuam se ambasada amerikane këtu në Kuvajt ishte sulmuar nga një dron. Për fat të mirë, nuk pati vdekje por pati dëme sepse ra zjarr brenda ambasadës.
Përsëri këtë mëngjes, mësuam se dy avionë ushtarakë amerikanë u rrëzuan pranë bazës ajrore amerikane "Ali al Salem", të cilën e njoh mjaft mirë sepse shkoj atje rregullisht për të kremtuar Meshën. Ka një kontingjent italian pranë saj. Po përpiqemi të qëndrojmë të qetë, sigurisht, por është disi e frikshme, duhet thënë. Rreth nunciaturës, nuk kemi parë dëme. Ne jemi e vetmja ambasadë në lagjen Shaab, zonë e qetë e qytetit.
Lagjja diplomatike, ku ndodhet edhe ambasada iraniane, është mjaft afër, por lagjja jonë është e qetë. Bazat ushtarake dhe aeroportet janë objektivat kryesore, si dhe terminali «Një» i aeroportit të Kuvajtit, i cili u godit që ditën e parë nga një dron.
Pyetje: Bahreini dhe Kuvajti po goditen nga lufta. Si po përjetohet kjo gjë në shtete që zakonisht promovojnë dialogun ndërfetar dhe bashkëjetesën paqësore?
Ne të gjithë jemi disi të tronditur nga ajo që po ndodh. Kishim shpresuar që dialogu dhe negociatat që po zhvillohen të jepnin fryte. U çuditëm vërtet kur shpërtheu lufta më 28 shkurt. Për fat të mirë, mesazhi i Atit të Shenjtë këtë të diel në lutjen e Engjëllit të Tenzot dhe thirrja e tij për lutje për paqe në këtë rajon, si dhe për dialog dhe negociata, u pritën mirë këtu. Ne ua përcollëm mesazhin gjithkujt që mundëm. E njëjta gjë vlen edhe për mesazhin e Vikarit Apostolik të Arabisë Veriore, të ipeshkvit Aldo Berardi, i cili i fton njerëzit për lutje dhe solidaritet në këtë kohë. Edhe ky mesazh u prit mjaft mirë.
Pyetje: Çfarë mund të themi në një kohë kur sulmet dhe hakmarrjet po pasojnë njëra-tjetrën, në çdo drejtim?
Ne jemi në kontakt me autoritetet dhe ambasadorët, të paktën për t'i inkurajuar ata që të përdorin çdo mjet të mundshëm për ta përfunduar këtë luftë. Mjerisht, kur fillon një luftë, askush nuk e di, kurrë, se kur do të mbarojë. Gjithçka po përshpejtohet, por ne duhet të provojmë çdo shteg. Një luftë e gjatë nuk i sjell dobi askujt dhe nuk do t'i sjellë dobi askujt, veçanërisht në një rajon që tashmë është sprovuar nga shumë konflikte.
Pyetje: Si mund të ripërtërihet diplomacia përballë armiqësisë që ka rrënjë të thella?
Tashpërtash, armët po bëjnë mjaft zhurmë e poterë. Duhet të provojmë mjetet tradicionale të diplomacisë dhe të negociatave. Shpresojmë që, me deklaratën e presidentit Donald Trump, i cili tha se do të ketë bisedime me regjimin e ri në Iran, mund të fillojë dialogu.
Shpresojmë për një dialog të arsyeshëm me të gjitha palët. Për momentin, kjo është mjaft e vështirë sepse gjendja në Iran është shumë e ndërlikuar. Ka shumë përçarje brenda vendit dhe është e vështirë të kuptosh dinamikën gjeopolitike. Duhet të provojmë dialogun në çdo nivel. Diplomacia është e vetmja mënyrë për t'i dhënë fund kësaj lufte.
Pyetje: Në Bahrein në vitin 2022, Papa Françesku e pati përshkruar luftën si "një skenar dramatikisht fëminor", duke denoncuar se, "Në kopshtin e njerëzimit, në vend që të kujdesemi për të, ne luajmë me zjarrin kur përdorim raketa dhe bomba". Çfarë jehone kanë këto fjalë sot?
Ato duken profetike. Janë fjalë të fuqishme që u flasin të gjithëve. Për shekuj me radhë, njerëzimi është përfshirë në shumë konflikte, por në fund të fundit, duhet të kërkojmë vëllazërimin dhe të gjejmë atë çka kemi të përbashkët me të tjerët.
Kemi jetuar në këtë rajon për shekuj me radhë. Çdo vend është i detyruar të kërkojë paqe dhe harmoni. Ne lutemi shumë për këtë. Javën e kaluar, kremtuam Meshën në katedralen këtu në Kuvajt për përvjetorin e katërt të luftës në Ukrainë. Katër ditë më vonë, shpërtheu lufta këtu. Vetëm lutja – dhe, gjatë Kreshmëve, agjërimi – janë të rëndësishme. Është gjithashtu Ramazan për myslimanët. Të krishterët dhe myslimanët janë të dy palët në një kohë agjërimi dhe lutjeje. Le t'i lutemi Zotit të na japë dhuratën e paqes.
Pyetje: Çfarë mbështetjeje mund t'i jepni Kishës vendase dhe besimtarëve që janë të tronditur?
Unë jam në kontakt të përditshëm me ipeshkvin imzot Aldo Berardi dhe me meshtarët e famullisë në tri shtetet për të cilat jam përgjegjës: Kuvajt, Bahrein dhe Katar. Përpiqem t'’u jap zemër dhe t'i mbështes. Disa kisha janë ende të hapura, por të tjerat janë të mbyllura, kështu që Mesha kremtohet në mënyrë private. Në nunciaturën apostolike, ne kremtojmë Meshën çdo mëngjes në orën 7:30 të mëngjesit dhe pasdite, në orën 5:00 të pasdites, lusim rruzaren për paqe. Gjithashtu kemi grupe lutjeje në WhatsApp. U kërkoj të gjithëve të qëndrojnë të qetë dhe t'i luten Virgjërës Mari për këtë dhuratë që na nevojitet të gjithëve.
Pyetje: Sa është i rëndësishëm përkushtimi ndaj Zonjës sonë të Arabisë në këto rrethana?
Zonja jonë e Arabisë është themelore; besimtarët tanë kanë përkushtim të thellë ndaj saj. Edhe myslimanët kanë përkushtim të madh ndaj Merjemes, siç e quajnë ata Zojën e Bekuar, e cila përmendet disa herë në Kuran. Në këtë moment dramatik, i lutemi shumë Virgjëreshës, Mbretëreshës së Paqes. Nëpërmjet ndërmjetësimit të saj te i Biri, do të marrë fund lufta.