Imagine Widget ENGLISH

Një video-widget për faqet katolike të internetit me lajmet dhe pamjet më të fundit të Papës

Mund të integrohet lehtësisht në faqet e internetit të dioqezave, famullive, shoqatave dhe organizatave të lidhura me Kishën dhe përditësohet automatikisht me lajmet dhe videot më të fundit. Leoni XIV: "Kjo nismë e Vatican News është mjet për ungjillëzimin, jep mundësinë për të krijuar rrjet dhe shkëmbim dhuratash" ndërmjet Romës dhe Kishës në vende të ndryshme të botës

R.SH. – Vatikan

 "I dashur vëlla, kjo nismë e Vatican News është mjet për ungjillëzimin; jep mundësinë për të krijuar rrjet dhe për të shkëmbyer dhurata ndërmjet Romës dhe Kishës në vendin tënd. Është një mënyrë për famullitë dhe bashkësitë e tua që të marrin vazhdimisht informacion nga burimi parësor". Këto janë fjalët që Papa Leoni XIV shkruan në një pusullë drejtuar ipeshkvijve të botës, duke i ftuar ata ta këshillojnë dhe ta përdorin një video-widget të ri të Vatican News, një mjet, që do t'u japë mundësinë faqeve të internetit të dioqezave, famullive, shoqatave e organizatave katolike të marrin video dhe lajme falas rreth Papës dhe Selisë së Shenjtë. Në këtë mënyrë, ata që vizitojnë faqet e internetit të dioqezave, ose famullive, përmes kompiuterit, laptopit, ose smartphone-it do të kenë gjithmonë lajmet më të fundit mbi mësimet dhe veprimtaritë e Ipeshkvit të Romës dhe do të jenë në gjendje të ndajnë postime rreth Papës në mediat sociale, në gjuhën e tyre amtare.

 "Do të ishte e rëndësishme që video-widget të integrohej gjerësisht në sa më shumë faqe interneti, për të theksuar lidhjen me Ipeshkvin e Romës", pohon prefekti i Dikasterit për Komunikimin, Paolo Ruffini. "Përhapja e këtij mjeti të ri", nënvizon, nga ana e tij, drejtori editorial i Vatican Media, Andrea Tornielli, "mund të ndihmojë në luftën kundër fenomenit të lajmeve të rreme duke ofruar menjëherë burimin origjinal të lajmeve dhe të teksteve, siç thekson Ati i Shenjtë në pusullën e tij, me të cilën dëshiron ta mbështesë këtë nismë të re".

Widget-i mund të integrohet në çdo faqe interneti thjesht duke kopjuar një kod. Për ta pasur atë në gjuhën dhe në përmasat e dëshiruara (horizontalisht a vertikalisht, duke zgjedhur edhe fontin për tekstin), mjafton të shkohet në adresën e mëposhtme të internetit:

https://www.vaticannews.va/widget/embed.html

Pasi të plotësohet gjithçka kërkohet aty, do të krijohet një kod i ri i personalizuar për integrimin. Kjo është diçka që duhet ta bëjë webmasteri i faqes, por një herë të vetme: video-widget do të përditësohet automatikisht pa asnjë ndërhyrje të mëtejshme. Kështu, gjithkush mund të marrë video të shkurtra, në kohë reale, rreth Papës dhe Selisë së Shenjtë, si në format horizontal, ashtu edhe në format vertikal, me mundësinë e publikimit në mediat sociale; një "rul" me lajmet më të fundit të Vatikanit në gjuhën e zgjedhur dhe një lidhje direkte me faqen “Vatican.va”, ku janë të botuara tekstet e plota papnore.

Në widget përfshihet edhe lidhja e drejtpërdrejtë me gazetën vatikanase “L'Osservatore Romano” dhe me Radio Vatikanin.

06 mars 2026, 09:28