Kërko

Shkatërrim pas një sulmi në Bregun Perëndimor Shkatërrim pas një sulmi në Bregun Perëndimor

Ndihmë për Tokën Shenjte, Kardinali Gugerotti: të jepet shpresë

Prefekti i Dikasterit për Kishat Lindore shkruan një letër, kushtuar mbledhjes së ndihmave për vendet "e Shëlbuesit" në të Premten e Madhe. Pavarësisht nga mbulimi i zvogëluar mediatik dhe përsëritja e thirrjeve, është gjithnjë e më urgjente mbështetja për të krishterët, që nuk kanë "ditë në të cilën mund të marrin frymë lirisht

R.SH. / Vatikan

"Një pikë uji në oqean", thuhet ndonjëherë - shpesh gabimisht – duke e nënvlerësuar rëndësinë e një gjesti, në dukje të kotë. Megjithatë, ky gjest është themelor nëse ajo pafundësi "duke i humbur pikat, po bëhet shkretëtirë". Me këtë metaforë, në një letër ku dënohet zhurma e pandërprerë e armëve, pavarësisht "pretendimit se paqja është arritur" dhe e medias që raportonte për të "shumë më pak se më parë", Kardinali Claudio Gugerotti, Prefekt i Dikasterit për Kishat Lindore, i dërgoi  thirrje mbarë Kishës Katolike që të ndihmojë në Collecta pro Terra Sancta tradicionale,  mbledhjen e ofertave për vendet e "Shëlbuesit", si  çdo vit të Premten e Madhe.

Mos rrini duar kryq "në këtë botë në flakë"

"Fjalët" e thëna vit pas viti janë gjithnjë e më të përsëritura", pranon Kardinali në letrën e bashkëfirmosur nga Kryeipeshkvi Michel Jalakh, Sekretar i Dikasterit. Është edhe më e vështirë të "mendosh për shërimin dhe dizinfektimin" e plagëve të një konteksti, në të cilin njerëzit vazhdojnë të vdesin, tokat janë të diskutueshme dhe të krishterët emigrojnë për të shpëtuar jetën. Prandaj, një ndryshim në mendësi, ndjeshmëri dhe përparësi është i nevojshëm e ndikon në jetën tonë të përditshme, në mënyrë që të mos e lejojmë veten të çnjerëzohemi.

Kard. Gugerotti e përcakton mbështetjen financiare për Vendet e Shenjta në këtë drejtim: për të "mundësuar edhe një ditë jetë", për t'u ofruar një shkëndijë shprese atyre që duhet të fillojnë nga e para, vëllezërve dhe motrave tona të krishtera si për ruajtjen e Tokës së Shenjtë. "Ky është një gjest i rëndësishëm edhe për ne", shton, "mbasi na ndihmon të kuptojmë se pa sakrifica, mbetemi inertë në këtë botë në flakë dhe për këtë arsye bashkëfajtorë me ata, që e vunë flakën".

Nuk ka "ditë në të cilën mund të marrësh frymë i qetë".

Sipas dëshirës të Papëve, mbledhja do të bëhet  të Premten e Madhe. Ata që jetojnë në vendet "e Shëlbuesit" e dinë se falë këtij kontributi - "e ndoshta vetëm me të", vëren me trishtim Prefekti i Dikasterit për Kishat Lindore - siguria e tyre, kujdesi shëndetësor, rifillimi i arsimit për brezat e rinj dhe rindërtimi i shtëpive mund të garantohen. Për shumë prej tyre, përfundon Kardinali Gugerotti, nuk ka "ditë në të cilën mund të marrësh frymë lirisht". Dhe ndërsa ata që i vizitojnë janë të sigurt se mund të kthehen në shtëpi, "banorët e këtyre viseve mbeten me frikën e tyre", me tmerrin e "zhdukjes" për shkak të fesë të tyre.

Veprat e Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë

Letra shoqërohet me një raport përmbledhës mbi ndërhyrjet e kryera nga Kujdestaria e Tokës Shenjte, përmes Urdhrit të Fretërve të Vegjël, për vitet 2024 dhe 2025. Ndër objektivat kryesore të misionit françeskan, shkruhet në dokument, janë mbështetja dhe zhvillimi i pakicave të krishtera, veçanërisht në kohë emergjence, si dhe ruajtja e përmirësimi i zonave arkeologjike, i shenjtëroreve dhe i liturgjisë në vendet e kultit. Gjatë periudhës dyvjeçare në fjalë, zonat e ndërhyrjes, përmes projekteve që synojnë dhe komunitetin lokal, përfshinin Rodosin, Jordaninë, Sirinë, Libanin, Egjiptin dhe Italinë. Projektet u financuan jo vetëm nga mbledhja e fondeve, por edhe nga përpjekjet për mbledhjen e fondeve nga Fondacioni Françeskan për Tokën Shenjte (FFHL), shoqata Pro Terra Sancta (PTS) dhe donatorë të tjerë privatë dhe institucionalë.

Ndërhyrjet me punëtorë nga  Çisjordania.

Raporti thekson se dy vjet pas fillimit të luftës, të ardhurat nga vetë rajoni kanë rënë, duke u zvogëluar, duke u ngadalësuar dhe ndonjëherë, duke pezulluar shumë projekte. Në këtë situatë emergjente, përparësi u jepet ndërhyrjeve që "ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e nevojtarëve". Ata që mbështesin shtegtarët janë përqendruar në vende të tilla si Betlehemi, Jerusalemi dhe Nazareti, duke i dhënë përparësi përdorimit të punëtorëve nga Bregu Perëndimor "për të siguruar punë për të krishterët në një zonë që nuk përfiton as nga ndihma sociale, as nga rrjetet e sigurimeve shoqërore dhe që, në vitet e fundit, për shkak të konfliktit dhe bllokimeve të ndryshme, do të kishte mbetur plotësisht edhe pa burimet ekonomike".
Veprat e destinuara për komunitetin lokal kanë sjellë dobi për të rinjtë, famullitë, të moshuarit dhe nevojtarët e tjerë, duke mbështetur arsimin dhe aktivitetet famullitare në Tokën e Shenjtë.

15 mars 2026, 16:16