Ndalojeni luftën "para se të bëhet humnerë e pandreqshme"
R.SH. / Vatikan
Deri ku - e deri kur: janë këto të panjohurat e konfliktit, që shpërtheu nga sulmi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i Izraelit kundër Iranit. Nuk është e qartë kush e planifikoi edhe një luftë tjetër, duke parashikuar pasojat që tani po shpalosen në terren. Ndërkaq përgjigja e Iranit po përqendrohet mbi Izraelin - që ka nisur t’i godasë Hezbollahët në Liban, si përgjigje e sulmeve nga lëvizja shiite - dhe mbi bazat amerikane të zhvendosura në Lindjen e Mesme, ndërsa ka sulmuar edhe disa vende të Gjirit, madje edhe Evropën, konkretisht Qipron, ku u nis një sulm me dron në bazën britanike, që Londra ua kishte dhënë forcave ushtarake amerikane.
Kjo është hera e parë qysh nga fundi i Luftës II Botërore, që një vend i Bashkimit Evropian preket nga konflikti. Kjo përfshirje e zuri BE-në në befasi - për më tepër, asnjë nga 27 vendet nuk ishte paralajmëruar nga Uashingtoni për sulmin kundër Iranit – ndaj mbetet e paqartë se si të reagohet. Vetëm Spanja u tërhoq menjëherë nga konflikti, duke i thënë jo përdorimit të bazave të saj.
Kjo luftë e re, e cila shpërtheu ndërsa ishin duke u zhvilluar negociatat ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbi çështjen bërthamore të Teheranit, po e ndez përsëri një pjesë të botës, që vuan prej dekadash nga paqëndrueshmëria serioze dhe e rrezikshme. E është e pamundur të thuhet me siguri se kur do të përfundojë. Kush e filloi, beson se mund të zgjasë katër ose pesë javë, por nuk e përjashton as mundësinë e mëtejshme e edhe atë të vendosjes së trupave në terren. As nuk duket se janë vlerësuar plotësisht pasojat e dështimit, për të arritur qëllimin përfundimtar, përkatësisht ndryshimin e regjimit në Teheran.
Ndërkaq vdekjet i shtohen vdekjeve, shkatërrimet shkatërrimeve, ndërsa gjithnjë më tepër shtohet frika nga një konflikt shumë më i gjerë, e me pasoja të paparashikueshme. Për këtë arsye, siç pohoi Papa Leoni XIV të dielën e kaluar, është e nevojshme të "ndalohet spiralja e dhunës, përpara se të bëhet humnerë e pandreqshme".