Kërko

Kryeipeshkvi Luis Marín de San Martín, lëmoshtar i ri i Papës Kryeipeshkvi Luis Marín de San Martín, lëmoshtar i ri i Papës

Papa emëron imzot Marín de San Martín lëmoshtar të ri, kard. Krajewski në Poloni

Kardinali polak Krajewski lë detyrën e prefektit të Dikasterit për Shërbimin e Bamirësisë për t'ia kaluar atë nënsekretarit të Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, Luis Marín de San Martín, O.S.A., të cilit Leoni XIV i ka dhënë titullin e argjipeshkvit.

R. SH. - Vatikan

Leoni XIV ka emëruar Lëmoshtar të ri të Shenjtërisë së Tij, Prefekt të Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Bamirësisë, Shkëlqesinë e Tij Imzot Luis Marín de San Martín, O.S.A., ipeshkëv Titullar i Sulianës, deri më tani Nënsekretar i Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, duke i dhënë titullin e Argjipeshkvit."

Lëmoshtari i ri i Papës, 64-vjeç, të cilin Papa Françesku e kishte emëruar në vitin 2021 si nënsekretar të Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, është ngarkuar sot, më 12 mars, nga Leoni XIV për të pasuar kardinalin Konrad Krajewski, i cili mbante këtë rol që nga viti 2013. 

Ky lajm shënon një ndryshim të rëndësishëm në stafin e afërt të Papës. Kardinali Krajewski njihet gjerësisht për punën e tij të drejtpërdrejtë në ndihmë të të varfërve në Romë dhe udhëtimet e tij të shumta në Ukrainë. Emërimi i tij në vendlindje, në Poloni, vjen pas 13 viteve shërbimi në këtë dikaster vatikanas të Bamirësisë a Karitasit.

Lëmoshtari i ri: do të vazhdoj përpjekjet e Krajewskit, të varfrit në qendër

"Shpresoj të vazhdoj përpjekjen dhe detyrën madhështore të kryer nga kardinali Konrad Krajewski gjatë këtyre viteve. Dua t'i vendos të varfrit në qendër dhe të lejoj që të më sfidojë britma e tyre, e cila është britma e Krishtit. Si i krishterë, si bari, duhet të shfaq fytyrën e vërtetë të dashurisë hyjnore". Këtë nënvizon Lëmoshtari i ri i Papës, augustiniani Imzot Luis Marín de San Martín.

"E di që nuk jam vetëm – shkruan ipeshkvi – jam bir i Kishës, jam pjesë e popullit të Zotit. Ecim së bashku. Për këtë arsye, me përvujtëri dhe besim, u kërkoj miqve të mi dhe të gjithë atyre që duan të më ndihmojnë, të luten për mua. Kam nevojë për mbështetjen e palëkundur të lutjes. Për sa i përket të tjerave, jam i vetëdijshëm se shërbimi ndaj të varfërve na kthen te Ungjilli. Janë ata që na ungjillëzojnë ne".

Në qytetin e tij të lindjes

Kardinali Krajewski, 62-vjeçar, u emërua nga Papa Leoni XIV si argjipeshkëv i ri metropolit i Łódź-it, qytetit të tij të lindjes, në Poloni. Pasi hyri në Seminarin dioqezan të Łódź-it në vitin 1982, Krajewski u diplomua për Teologji në Universitetin Katolik "Gjon Pali II" në Lublin, u shugurua meshtar në vitin '88, dhe kreu studimet e larta në Institutin Papnor Liturgjik të Shën Anselmit në Romë. Ai ka mbrojtur doktoraturën në Teologji, me specializim në Liturgji, në Universitetin Papnor të Shën Tomës të Akuinit, dhe më pas ka shërbyer, mes detyrave të tjera, si bashkëpunëtor i Zyrës së Kremtimeve Liturgjike të Atit të Shenjtë.

Në vitin 2013 u emërua lëmoshtar papnor dhe argjipeshkëv titullar i Beneventos, me shugurimin episkopal më 17 shtator të po atij viti. Papa Françesku e krijoi dhe e shpalli Krajewskin kardinal në Koncistorin e 28 qershorit 2018, me Diakoninë e Shën Marisë së Papërlyer në Eskuilin, Romë. Nga viti 2022 e deri më sot, Krajewski ka kryer shërbimin e prefektit të Dikasterit për Shërbimin e Bamirësisë (Lëmoshtaria Apostolike).

 

12 mars 2026, 13:24