Kërko

Një pamje e Qytetit të Kuvajtit më 2 mars 2026 (AFP ose licencuesit) Një pamje e Qytetit të Kuvajtit më 2 mars 2026 (AFP ose licencuesit)

Lindja e Mesme: nunci në Kuvajt, "një luftë e zgjatur nuk i shërben askujt"

Nunci në Kuvajt: ‘një luftë e gjatë nuk i shërben askujt në një rajon që tashmë është nën tension’ Arqipeshkvi Eugene Nugent, Nunci Apostolik në Kuvajt, Bahrein dhe Katar, flet për Vatican News mbi dëshirën e Kishës lokale për t'u lutur dhe agjëruar për paqen, ndërsa dhuna përshkallëzohet në Lindjen e Mesme.

R.SH. / Vatikan

Në Lindjen e Mesme, Nunci Apostolik në Kuvajt, Katar dhe Bahrein, imzot Eugene Martin Nugent, ka paralajmëruar se një luftë e zgjatur “nuk i shërben askujt dhe nuk do t’i shërbejë askujt”, sidomos në një rajon tashmë të prekur nga konflikte dhe paqëndrueshmëri.

Në një intervistë për mediat e Vatikanit, imyot Nugent e përshkruan situatën si “dramatike dhe në përkeqësim të vazhdueshëm” pas sulmit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit kundër Iranit dhe kundërpërgjigjes së Teheranit, duke rrezikuar një përshkallëzim më të gjerë në gjithë rajonin e Gjirit Persik. Ndërkohë, ambasadat amerikane në Kuvajt dhe në Arabinë Saudite janë mbyllur përkohësisht për shkak të tensioneve në rritje.

Imzot Nugent thekson se rreth nunciaturës apostolike (selisë diplomatike të Vatikanit) nuk janë regjistruar dëme dhe se selia diplomatike e Selisë së Shenjtë ndodhet në një zonë të qetë të qytetit, edhe pse është pranë lagjes diplomatike ku ndodhet edhe ambasada iraniane.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (Centcom), gjashtë ushtarë amerikanë humbën jetën në një sulm iranian në një port civil të Kuvajtit, viktimat e para amerikane në këtë konflikt. Po ashtu, dy avionë ushtarakë amerikanë janë rrëzuar pranë bazës ajrore “Ali al Salem”, ku ndodhet edhe një kontingjent italian.

Lufta, sipas nuncit apostolik në Kuvajt, Katar dhe Bahrein, imzot Eugene Martin Nugent, shpërtheu papritur më 28 shkurt, ndërkohë që kishte shpresa për dialog dhe negociata. Në këtë kontekst, ai kujton thirrjen e Papës për lutje, dialog dhe diplomaci, duke theksuar se edhe pse “zhurma e armëve është e fortë”, duhet të përdoren mjetet tradicionale të negocimit për të hapur rrugë drejt paqes.

Arqipeshkvi imzot Eugene Martin Nugenti cilëson si "profetike" fjalët e shqiptuara në vitin 2022 nga Papa Françesku në Bahrejn, kur e përkufizoi luftën si "një skenar tragjikisht fëminor". "Prej shekujsh njerëzimi ka qenë i përfshirë në konflikte të shumta, por në fund duhet të kërkojmë vëllazërinë dhe të gjejmë atë që kemi të përbashkët", pohon imzot Nugent, duke nënvizuar se çdo vend "është i detyruar të kërkojë paqen dhe harmoninë".

Nunci apostolik shpjegon se është në kontakt të përditshëm me ipeshkvin imzot Aldo Berardi, Vikar Apostolik për Arabinë Veriore, dhe me famullitarët e Kuvajtit, Bahrejnit dhe Katarit. Disa Kisha janë të hapura, të tjera të mbyllura, me kremtime private.

Në nunciaturën Apostolike kremtohet Mesha çdo mëngjes dhe pasdite lutet Rruzarja për paqen. "I inkurajoj të gjithë të ruajnë qetësinë dhe të luten", pohon ai, duke kujtuar gjithashtu koinçidencën mes Kreshmës së krishterë dhe Ramazanit mysliman, "një kohë agjërimi dhe lutjeje për të krishterët dhe myslimanët". Veçanërisht e ndier në rajon është devocioni ndaj Zojës Mari të Arabisë. "Edhe myslimanët kanë një devocion të madh për Marinë", kujton nunci apostolik, duke iu lutur "Mbretëreshës së Paqes" sepse, përfundon ai, "është falë ndërmjetësimit të saj që lufta do të marrë fund".

03 mars 2026, 13:23