Kryeipeshkvi Cruz Serrano: Novacioni teknologjik duhet të sigurojë barazi. Duhet të përfshihen edhe gratë.
R.Sh. Vatikan
Kontributi i grave është i nevojshëm në të gjitha aspektet e jetës shoqërore dhe është gjithashtu i rëndësishëm në shndërrimin dixhital. Prandaj, Selia e Shenjtë shpreson që "në rritjen e novacionit shkencor dhe teknologjik të ketë barazi dhe, në këtë pikë, të përfshihen edhe gratë e vajzat". Kështu u shpreh kryeipeshkvi Juan Antonio Cruz Serrano, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Organizatës së Shteteve Amerikane, në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Përhershëm për të përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, me temë «Gratë në Shndërrimin Dixhital të Amerikave», e cila u zhvillua të mërkurën, më 4 mars, në Uashington.
Shoqëria e sotme dhe shndërrimi dixhital
Sipas diplomatit të Selisë së Shenjtë, "reflektimi mbi rolin e grave" në shndërrimet dixhitale kërkon " që të nënvizohet dinjiteti i tyre, i barabartë me atë të tjerëve, i dhuruar nga Zoti". Po ashtu, duhet vënë në dukje edhe kontributi i tyre për ndërtimin e shoqërisë. Prandaj ka kuptim thirrja për të mos i harruar "gratë që përjetojnë gjendje diskriminimi, keqtrajtimi dhe dhune", të cilat, meqë shpeshherë kanë "më pak mundësi për të mbrojtur të drejtat e tyre", në të vërtetë janë "dyfish të varfra", siç thekson Papa Leoni XIV në thirrjen e tij apostolike «Dilexi te». Kjo gjendje nuk duhet të anashkalohet në botën e sotme, "e cila po përjeton një proces të shpejtë të transformimit dixhital, ku dalja në skenë e inteligjencës artificiale" ka sjellë "një fazë të re për shoqërinë në tërësi".
Nxitja e aftësive teknike dhe i etikës
"Selia e Shenjtë beson se shndërrimi dixhital në Amerikë duhet të shoqërohet me rregullore të përshtatshme", tha kryeipeshkvi Cruz Serrano, i cili shtoi se "bashkëpunimi ndërkombëtar" dhe "edukimi në përdorimin e përgjegjshëm dhe të sigurt të teknologjive" janë gjithashtu të nevojshme. Po ashtu – shtoi kryeipeshkvi – kemi nevojë për "një edukim të gjithanshëm që nxit si aftësitë teknike ashtu edhe formimin etik". Në këtë mënyrë, përfundoi vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë, teknologjia mund të vihet vërtet “në shërbim të së mirës së përbashkët dhe të rritjes së çdo personi, burri dhe gruaje, duke respektuar dinjitetin e secilit”.