Kërko

Kreativiteti dhe inteligjenca artificiale në dokumentarin «Në duart tuaja»

Dokumentari i prodhuar nga Dikasteri për Komunikimin me skenar të gazetares Fausta Speranza, u paraqit këto ditë në Vatikan. Filmi përqendrohet te vlera e kreativitetit dhe e mjeshtërisë së njeriut në epokën e shndërrimeve teknologjike. Paolo Ruffini, prefekt i Dikasterit për Komunikimin theksoi rëndësinë e "ngadalësisë që lind bukuri", ndërsa Lorenzo Fontana, kryetar i Parlamentit italian, përmendi se "nëse njeriu e ruan shpirtin e tij, ai nuk ka frikë nga inteligjenca artificiale".

R.Sh. Vatikan

"Atëherë Zoti Hyj e formoi prej pluhurit të tokës njeriun dhe nëpër hundë i shtiu frymën e jetës e njeriu u bë qenie e gjallë" (Zanafilla 2:7). Zoti merr lëndën e brishtë dhe, me një kujdesi të pafund, e shndërron atë. Dora hyjnore jo vetëm që i jep formë, por edhe dinjitet, i jep kuptim. Kështu, fillon një dialog midis të fundmes dhe të pafundmes.

Kështu, më 8 dhjetor 1965, në përfundim të Koncilit të Dytë të Vatikanit, Pali VI u drejtoi artistëve një nga mesazhet më të fuqishme të papnisë të tij. Papa Montini i nxiti ata të ruanin dhe të zbulonin përmasën shpirtërore të realitetit. Shumë prej tyre iu përgjigjën duke ia kthyer besimin që kishin marrë përmes punës së tyre.

Pikërisht me këto fjalë  fillon dokumentari «Nelle tue mani» (Në duart tua), prodhuar nga Dikasteri për Komunikim i cili u paraqit të enjten, më 12 mars, në Sallën Shën Piu X në Via della Conciliazione në Romë. Skenari i dokumentarit është shkruar nga Fausta Speranza, gazetare e mjeteve të komunikimit të Vatikanit, ndërsa regjisor është Stefano Gabriele.

Krijimtaria dhe koha në epokën e shpejtësisë

Dokumentari u paraqit nga prefekti i Dikasterit për Komunikimin, Paolo Ruffini, i cili i ftoi të gjithë të reflektojnë mbi rëndësinë e krijimtarisë njerëzore në një epokë që shquhet për nga shndërrimi i shpejtë teknologjik. Gjatë hapjes së takimit dhe duke përshëndetur, ndër të tjerë, kryetarin e parlamentit italian, z. Lorenzo Fontana, Ruffini theksoi se "jetojmë në një epokë me ritme të shpejta, dhe harrojmë se ne vetë jemi koha jonë". "Thelbi i artit," shtoi ai, "ashtu si ai i komunikimit dhe i jetës, nuk qëndron vetëm te produkti përfundimtar, por edhe në procesin krijues: në marrëdhënie, në kujdesin e treguar me kalimin e kohës, në durimin e mjeshtrit. Ndonjëherë është pikërisht ngadalësia, dhe jo shpejtësia ajo që lind bukurinë."

Kryetari i parlamentit, Lorenzo Fontana, kujtoi se sa "me fat jemi që jetojmë në vende që na kanë dhuruar artistë, bukuri, kulturë dhe mençuri". Në fjalën e tij, Fontana theksoi rolin e shqisave për të përceptuar dhe për të konceptuar botën. Duke iu referuar Shën Tomë Akuinit, ai theksoi se "Zoti na dha shqisat për të kuptuar botën dhe, përmes kësaj dijeje, për të arritur tek Ai". Kjo vëmendje ndaj përvojës dhe zgjuarsisë njerëzore, shtoi ai, është ajo që e bën njerëzimin të ruajë kreativitetin dhe t’ua kalojë atë brezave të ardhshëm. "Inteligjenca artificiale nuk duhet të na trembë," e përfundoi ai fjalën përshëndetëse. "Nëse njerëzimi mbetet njerëzor, me trup dhe shpirt, ne do të jemi në gjendje ta përdorim këtë inteligjencë si mjet për të vlerësuar zgjuarsinë dhe kreativitetin tonë."

Duart që krijojnë: Arti, dituria, ndërgjegja

Dokumentari ofron një vështrim mbi mjeshtërinë dhe aftësinë krijuese njerëzore dhe rrjedhojat kulturore dhe shpirtërore të saj. Vizita në studion artistike «Arte Poli» në Veronë – ku vërehen teknikat e rralla dhe të çmuara të Rilindjes – kthehet në shembull të punës artistike si bashkëpunim dhe ndërthurje e njohurive të ndryshme.

Në dritën e sfidave të teknologjive të reja, del në pah edhe debati që ka lindur me inteligjencën artificiale. Ashtu siç vuri në dukje në një mesazh video për këtë debutim edhe Adolfo Urso, Ministër i Ndërmarrjes dhe i Made in Italy: "Përballë shndërrimeve teknologjike, nuk bëhet fjalë se kë apo çfarë duhet të zgjedhim, njeriun apo makinën, por që njeriu të vazhdojë të jetë në qendër të jetës."

Dokumentari bën bashkë thirrjet e pesë Papëve – nga Pali VI deri te Papë Leoni XIV –  me reflektimet e studiuesve nga fusha të ndryshme. Ndër këto reflektime hyjnë analizat e psikiatrit Tonino Cantelmi, kryetar i Institutit të Terapisë Njohëse Ndërpersonale; konsideratat e teologes Linda Pocher të «Bijave të Kishës» dhe kontributet e historianit Gabriele Rigano, autor i librit «Duke luftuar në një muze».

Përmes imazheve ekskluzive nga arkivat e Muzeve të Vatikanit, historia tregon se si shkathtësia e duarve njerëzore nuk është vetëm aftësi teknike por edhe formë mendimi. Vetë shkenca provon se funksioni i dorës është shumë më i gjerë nga ajo që mendojmë ne. Nëpërmjet duarve ne kuptojmë, mësojmë dhe krijojmë.

Humanizmi i duarve

Një algoritëm mund të analizojë të dhënat, një makinë mund të japë diagnoza, por kujdesi i vërtetë kërkon pa reshtje veprimin e njeriut: prekjen që saktëson, ndihmon dhe vëren brishtësinë e të tjerëve. Inteligjenca artificiale mund të simulojë procese dhe të prodhojë rezultate të besueshme, por nuk është e pajisur me një qëllim, një pasion dhe përvojë e vërtetë vetjake.

Vetë historia na kujton se si bukuria, një krijim që merr formë përmes duarve, është pjesë thelbësore e dinjitetit njerëzor. Gjatë viteve dramatike të luftës, ndërmjet viteve 1943 dhe 1945, Piu XII donte të shpëtonte jo vetëm jetë njerëzore, por edhe trashëgiminë artistike. Si refugjatët ashtu edhe veprat e artit nga qytete të ndryshme gjetën strehim në pallatet e Vatikanit: dy forma të ndryshme të së njëjtës mbrojtje të jetës.

Pas shfaqjes së dokumentarit, u zhvillua një diskutim rreth tryezës së rrumbullakët ku morën pjesë Federico Eichberg, kreu i kabinetit të Ministrisë së Ndërmarrjes dhe Made in Italy, fotoreporteri Roberto Salomone dhe Giovanni Tridente, profesor i Analizës së informacionit në Universitetin Papnor të Kryqit të Shenjtë. Eichberg theksoi rëndësinë e kalimit të stafetës nga brezi në brez: duart e artizanëve përçojnë aftësi dhe njohuri në një mënyrë të papërsëritshme, duke zbuluar cilësi që inteligjenca artificiale nuk mund t'i imitojë, siç janë zgjedhja artistike, vullneti i lirë dhe ndjeshmëria që u jep veprave jetë.

"Zakonisht përqendrohemi te emri: 'inteligjenca'. Ndoshta në vend të kësaj duhet të shohim më shumë te mbiemri: 'artificial'," theksoi profesoresha Tridente. "Artificial," shtoi ajo, "do të thotë i bërë me art, i prodhuar nga njeriu përmes teknologjisë, zgjuarsisë dhe kreativitetit. Në këtë kuptim, Inteligjenca artificiale na detyron të pyesim veten se çfarë është në të vërtetë inteligjenca, çfarë do të thotë të kuptosh, të krijosh, të shohësh dhe të imagjinosh."

Dokumentari i Fausta Speranzës na vë para një humanizëm të ri: një humanizëm duarsh, në të cilin bukuria bëhet urë lidhëse midis kulturave, brezave dhe brishtësisë. Por titulli – Në duart e Tij – mund të interpretohet edhe si një «Besojmë», kujtoi autorja, sepse si besimtarë, ne jemi të vetëdijshëm se zgjuarsia jonë nuk na përket neve.

16 mars 2026, 09:00